Si të arrihet drejtësia tranzicionale në Kosovë? Si të merret vesh se çka ndodhur me personat e pagjetur në Kosovë dhe si të vihet në vend drejtësia në ato raste që janë të njohura për gjyqësinë?
Jo e lehtë! Rruga deri te ai qëllim është shumë e ndërlikuar, e gjatë dhe e pasigurt. Shumë probleme dhe shumë institucione paraqesin vështirësi në rrugën deri tek qëllimi përfundimtar, siç është konflikti i kompetencave të shumë institucioneve që janë marrë me këtë çështje në Kosovë nga viti 1999 e deri më sot. Janë ndërruar institucione të ndryshme duke filluar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY), përmes UNMIK-ut, EULEX-it, e deri te institucionet zyrtare të Kosovës. Disa kanë pasur më shumë sukses e disa më pak, por problemi ka mbetur i pazgjidhur dhe duket se duhet bërë edhe shumë përpjekje që ai të zgjidhet. Kjo është shkurtimisht ajo që është paraqitur në raportin me titullin “RRUGA DREJT DREJTËSISË – Personat e pagjetur në Kosovë nga pikëpamja e politikave” të cilin e publikoi ”CRDP – Centre for Research, Documentation and Publication”.
ICTY ka qenë për të parën herë në terren gjatë viteve të pasluftës më 1999 dhe 2000. Atëherë janë gjetur gjithsej 529 varreza masive në tërë territorin e Kosovës në të cilat kanë qenë rreth 4300 trupa të pajetë. Mirëpo, fokusi i tyre ka qenë në gjetjen e provave se vrasjet masive janë organizuar nga regjimi serb e më pak në identifikimin e trupave dhe procedimin e kriminelëve. Pas përfundimit të atij hetimi, shumë organe të UNMIK-ut dhe të tjera ndërkombëtare u përfshinë në identifikimin dhe punën me familjet e të pagjeturve, gjë që krijoi huti në ndarjen e roleve dhe kompetencave dhe rezultoi me një përparim tejet të ngadalshëm të ofrimit të një procesi të drejtë gjyqësor për familjarët e të pagjeturve.
Zyra e UNMIK-ut për persona të pagjetur dhe forenzikë (OMPF) që nga viti 2002 e deri tek vendosja e misionit të EULEX-it ka qenë organi themelor që është marrë me këtë çështje. Gjatë mandatit të tyre janë nënshkruar disa marrëveshje me Serbinë siç janë: Marrëveshja për ekshumimin dhe pranim-dorëzimin e mbetjeve; Marrëveshja për shkëmbimin e ekspertëve për forenzikë; Marrëveshja për transferimin ndërkufitar të mbetjeve të identifikuara si dhe Protokoli për ekipet e përbashkëta për verifikimin e personave të zhdukur. Mirëpo, ky mision u përball me problemin e mungesës së resurseve njerëzore dhe financiare, që në masë të madhe e pengoi shpjetësinë dhe efikasitetin e procesit. Me të njëjtin problem më vonë u përball edhe EULEX-i i cili i trashëgoi rreth 800 lëndë të pazgjidhura. Nga maji i vitit 2014 Prokuroria Speciale e Kosovës është kompetente për inicimin e procedurave në këtë fushë, mirëpo ekziston droja që edhe ajo do të përballet me mungesën e kuadrit të kualifikuar lokal për punë në këto lëndë.
Si probleme kryesore në procesin e gjithmbarshëm janë theksuar si vijon: ofrimi i ndihmës juridike falas për familjet e personave të pagjetur gjatë procesit të identifikimit dhe procesimit të atyre rasteve. Po ashtu si problem është theksuar edhe veprimi i pakoordinuar i shoqatave të familjeve të personave të pagjetur që nuk mund të jetë efikas. Në të vërtetë, është i domosdoshëm veprimi i koordinuar i shoqatave serbe dhe shqiptare të personave të pagjetur ashtu që të arrihet deri tek një përparim i caktuar në procesin i cili ka të bëjë me të dy palët. Pastaj, si problem i madh është paraqitur edhe mungesa e bashkëpunimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Prokurorisë për Krime të Luftës të Republikës së Serbisë, gjë që është e domosdoshme për zbardhjen e rasteve të personave të pagjetur, sepse ekzistojnë varreza masive në territorin e Kosovës, por edhe në territorin e Serbisë qendrore, kështu që këto raste mund të zgjidhen vetëm me bashkëpunimin e institucioneve kompetente të Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, problem paraqet edhe mungesa e personave të kualifikuar që do të punonin në punët e forenzikës si dhe mungesa e mjeteve materiale. Kjo veçanërisht vjen në shprehje tani kur institucionet e Kosovës duhet të marrin përsipër udhëheqjen e pavarur të këtij procesi, kështu që ekziston një drojë e arsyeshme që ato ende nuk kanë kapacitet për një gjë të tillë pa ndihmën e ekspertëve të huaj.
Vullneti politik/institucional dhe përkushtimi është ndoshta problemi më i madh në zgjidhjen e rasteve të personave të pagjetur. Në të vërtetë, kemi një situatë në të cilën i gjithë komunikimi midis dy palëve është kryer përmes EULEX-it dhe shumë kërkesa kanë mbetur pa përgjigje nga pala tjetër. Nuk ka as marrëveshje për ekstradim midis Kosovës dhe Serbisë që sjell deri tek ajo që ndihma juridike të sendërtohet përmes urdhërit ndërkombëtar për arrestim, do të thotë përmes Interpolit. Marrëveshja direkte për ekstradim do të lehtësonte shumë zgjidhjen e problemit të personave të zhdukur.
Për tejkalimin e këtyre problemeve, në raportin të cilin e ka publikuar CRDP-ja janë paraqitur edhe rekomandime:
• Të themelohet fondi me të cilin do të udhëheq Ministria e Drejtësisë për nevojat eksplicite të marrjes me hetimet e rasteve të personave të pagjetur.
• Ministria e Drejtësisë, e në veçanti Zyra e Prokurorit Special duhet në mënyrë domethënëse të forcojë marrëdhëniet e punës me Zyrën e Prokurorisë për Krime të Luftës e Serbisë përmes Memorandumit të Mirëkuptimit, grupeve punuese apo formave të ngjashme të bashkëpunimit.
• Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur duhet të identifikojnë dhe të mbështesin një organ që mund t’i ofrojë mbështetje familjeve të personave të pagjetur me ndihmë juridike falas dhe hetimit juridik të rasteve të personave të pagjetur.
• Familjarët e personave të pagjetur në Kosovë duhet të organizohen në një grup nacional i cili do të përfaqësojë të gjitha komunitetet etnike, me një platformë dhe një mandat. Ato do të sigurojnë një zë për familjet e të pagjeturve si dhe ndikim politik gjatë punës me Qeveritë e Kosovës dhe Serbisë.
• Departamenti për Mjekësinë Ligjore duhet në mënyrë sa më urgjente të rris investimet afatgjata në resurse materiale dhe ç’është më e rëndësishmja, në trajnimin e ekspertëve lokal mjeko-ligjor.
• Përpjekjet që kanë të bëjnë me personat e zhdukur duhet të jenë të koordinuara dhe të inkorporuara në entitetet ekzistuese nacionale siç është Grupi punues ndërministror për ballafaqim me të kaluarën si dhe nismat rajonale siç është KOMRA.
Raportin e plotë mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm:
http://crdp-ks.org/wp-content/uploads/2014/12/CRDP_report_covers_CIP-MISSING-PERSONS.pdf