Sallata serbo-shqiptare

Nuk di nëse këtë e kam në gjene apo nga edukimi, por sa herë që janë paraqitur fërkime me fqinj sikur këto tani, disi gjithmonë kam menduar jo në drejtimin “si të punohet kundër,” por “si të punosh me” ta. Gjatë kohës sa kam qenë në studime në Angli, kam qenë në klasë së bashku me rreth njëzet persona të nacionaliteteve të ndryshme. Atëherë jam bindur fuqishëm se nuk ekzistojnë kombe të mira dhe të këqija, porse vetëm njerëz të mirë dhe njerëz të këqinj.

0
2509

Dhjetë ditët e kaluara kemi qenë dëshmitarë të përplasjeve në media midis politikanëve shqiptarë dhe serbë. 

Goditjen fillestare e bëri kryetari i Kosovës* Hashim Thaçi me idenë për “të gjithë shqiptarët në një shtet.” Vulin këtë e pranoi me lehtësi dhe me kënaqësi ia ktheu me deklaratën goditje në ajër se ndaj kësaj “duhet reaguar.” Këtu u kyç edhe politikani serb me përkatësi shqiptare Jonuz Musliu, i cili ia ktheu topin Vulinit duke i thënë se president i tij është Edi Rama. Në mes të këtij pingpongu, erdhi edhe lajmi se Haradinaj u lirua nga paraburgimi në Francë, në çka presinistri (presidenti + kryeministri) Vučić i mbufatur reagoi duke tërhequr ambasadorin tonë nga Parisi për konsultim derisa ai i Kosovës* në të njëjtë kohë ngazëllohej.

A ka diçka më të mirë për Qeverinë tonë se sa përplasja me fqinjët (dhe krahinat) në baza nacionale? Jo, duke pasur parasysh që ministrat tanë janë një nga gjeneratorët kryesorë të aferave që po i dridhin institucionet. Ky është rasti ideal që fokusi i mediave të largohet nga protestat e studentëve, rrënimeve në Savamali, projektit krejtësisht të kontestueshëm të “Beogradit në ujë,” aferës helikopteri, doktoraturave të rrejshme, zgjedhjeve të vjedhura – a duhet të vazhdoj të numëroj?

Kështu, e bëjnë një “perde tymi ideale: faqet e para të gazetave po mbushen me gjithfarë skenarësh lufte të cilët nuk kanë kurrfarë lidhjeje me jetën, e ne edhe më tutje jetojmë në shtetin që po shpërbëhet, për çka fajtorë janë pikërisht ata politikanë që edhe po e bëjnë këtë tym.

Kush vuan më së shumti pas këtyre deklaratave aq ndezëse? A ndiheni edhe ju të rrezikuar? Për ne që jetojmë në Nish, Beograd, Kragujevc, ku serbët janë shumicë absolute është e lehtë, por si ndihen serbët në Preshevë, ku shqiptarët janë shumicë e madhe, apo shqiptarët në Medvegjë, ku situata është pikërisht e kundërta? Si e ndien veten një serb nga Graçanica derisa lexon lajme të këtilla? Nuk është gjithaq e këndshme për një shqiptar të zgjohet çdo mëngjes me mendimin e parë “a ma kanë shkruar përsëri në mur të shtëpisë ‘Serbia serbëve, shqiptarë jashtë!’”, apo po ashtu një serbi: “UÇK”. Para se të fillojnë me deklarata të tilla, politikanët, edhe ata shqiptarë edhe ata serbë, do të duhej të mendonin mirë e mirë se çfarë probleme u shkaktojnë bashkëkombasve të tyre.

Është interesante që nuk janë vetëm politikanët pjesë e këtij spin-i të pandërprerë – dinë edhe gazetarët me vetëiniciativë të futen në këtë valle. Shembull i shkëlqyeshëm për këtë është përsëritja periodike e një të njëjtit lajm për ardhjen e gjoja 10.000 shqiptarëve në Nish. Pra, dikush fjalë për fjalë e “lëshoi lajmin të cilit i besuan shumë banorë të Nishit, pa fije rezonimi kritik, me dyshimin që është karakteristik vetëm për ne. Ku janë ata shqiptarë të fuqishëm? Unë nëpër rrugë nuk e pashë as edhe një të vetëm. As në kafiteri, as nëpër shitore. A i ka vërejtur ndokush personalisht? A e ka parë dikush një kontratë të vetme shitblerjeje ku një shqiptar ka blerë pronë të paluajtshme në Nish? Po e theksoj, “që e ka parë”, jo që i ka thënë dikush, që ka dëgjuar prej dikujt, por që e ka parë me sytë e vet? Në fund të fundit, sa duhet të jesh i marrë apo i guximshëm që të vendosesh dhe të fillosh jetën nga e para në jug të Serbisë, thuajse si i huaj, dhe atë në kohën kur kurrë nuk ka qenë më lehtë të shkosh në perëndim?

Vuk Jeremić, kandidat presidencial, e kishte shprehi që gjatë fushatës së tij zgjedhore të shkrepë breshëri deklaratash të pahijshme nacionaliste, e të gjitha në pajtim me specifikat e regjionit në të cilin gjendet. Kështu në Nish publikisht shtroi pyetjen: “A duhet ta lidhim Nishin me Tiranën kështu që çdo fundjavë të na vijnë dhe të na i blejnë banesat dhe shtëpitë?” E thënë kështu, kjo thënë më së paku, fyen mendjen e shëndoshë dhe logjikën, sepse faktet janë të pakontestueshme: në pjesën e rrugës Tiranë-Nish, me gjatësi 386 km, qysh tani 250 km janë në formë të autostradës nëpër Shqipëri dhe Kosovë*. Ku po mungon autostrada? Në trasenë nga Nishi deri në Prishtinë, diçka më shumë se 100 km. Me fjalë të tjera, po të dëshironin me të vërtetë, shqiptarët qysh tani lehtë do të arrinin tek ne. 

Nga ana tjetër, ku do të ishte problemi nëse ne do ta ndërtonim pjesën tonë të autostradës? Serbët nga Kosova* shumë më lehtë do të mund të vinin deri në Serbinë qendrore, e Nishi do të fitonte edhe më shumë rëndësi si qytet në “udhëkryqin e udhëve” – do të tërhiqnim edhe më shumë turistë, do të bëheshim nyje edhe më e rëndësishme për udhëtime ajrore, ndëra do ta forconim ekonominë edhe ashtu të dobësuar. Por pse një politikan mesatar serb të flas për këtë kur populli shumë më tepër reagon ndaj një retorike ndezëse? Nuk i paguhet.

Nuk di nëse këtë e kam në gjene apo nga edukimi, por sa herë që janë paraqitur fërkime me fqinj sikur këto tani, disi gjithmonë kam menduar jo në drejtimin “si të punohet kundër, por “si të punosh me ta. Gjatë kohës sa kam qenë në studime në Angli, kam qenë në klasë së bashku me rreth njëzet persona të nacionaliteteve të ndryshme. Atëherë jam bindur fuqishëm se nuk ekzistojnë kombe të mira dhe të këqija, porse vetëm njerëz të mirë dhe njerëz të këqinj. 

Në atë grup të studentëve ka qenë edhe një shqiptare nga Shqipëria. Në një moment, natyrisht, e prekëm temën e Kosovës*. Ajo më shpjegoi atëherë që “Kosova ka qenë e okupuar nga ana e Serbisë, por tani më në fund është e lirë.”U përpoqa t’ia shpjegoj asaj se si unë e shoh atë problem, por ajo thjesht nuk ishte e gatshme që të dëgjojë mendimin tim. E kuptova që shumë shqiptarë, si dhe shumë serbë, janë peng i interpretimeve vetanake të historisë. Ne e kemi mësuar verzionin tonë të zbukuruar të saj, e ata verzionin e tyre. Në histori të tilla është vështirë të gjenden pikëtakime. Kurse e vërteta është sipas të gjitha gjasave diku në mes – as tek ata e as tek ne. Për të arritur tek ajo, është qenësore që së paku të dëgjosh anën tjetër. 

Meqenëse kurrë nuk kam pasur paragjykime, por kam qenë shumë kureshtar, para dy viteve vendosa që me veturë si turist të shkoj në Prishtinë, duke vizituar edhe Graçanicën. Kur ia thashë këtë miqve të mi, ata u shokuan. “Po ku pikërisht atje? Po shkon me veturë, a je ti normal, do të ta thyejnë veturën! Po gabon e flet serbisht, mund të të ndodhë gjithçka!”

Një natë para se të nisem, nën ndikimin e gjithë atyre komenteve, ndieja sikur po bëja diçka thellësisht të gabueshme dhe të palejueshme. Që të gjithë ishin kundër qëllimit tim. Përveç kësaj, m’u kujtuan tregimet e dajës tim nga Kosova*, të cilin në vitin 1999 shqiptarët e kishin zënë rob e torturuar duke i fikur mbetjet e cigareve në lëkurën e tij. Nga ana tjetër, pikërisht një tjetër shqiptar, mik i tij, e kishte shpëtuar nga ajo torturë dhe e kishte dërguar në një vend të sigurt. Po ashtu më kujtohej se si gjyshja ime, gjithashtu nga Kosova*, më tregonte se si gjithmonë kishte huazuar të holla nga fqinjët shqiptarë, sepse e mbanin fjalën. “Asnjëherë nuk më kanë thënë kur tua kthej vetëm më thoshin i kthen kur të kesh.”

Në fund, vizita u realizua dhe, natyrisht, nuk pati kurrfarë problemesh. Atje u takova me një shok të studimeve nga Nishi, si dhe me disa shqiptarë të cilët i kam njohur më heret. U shëtitëm përgjatë zonës së këmbësorëve dhe flisnim serbisht pa problem – askush nuk na vinte veshin. Po ashtu, në Kosovë* pashë që në fakt ka shumë vetura me targa të Serbisë (Vranjë, Beograd, Nish, etj.), kështu që duket se janë mësuar plotësisht edhe me këtë. 

Vitin e kaluar, duke vazhduar rrugën e “rrëzimit të tabuve”, u ula në veturë së bashku me të dashuren shtatzënë dhe tre miq të tjerë dhe shkuam për një fundjavë të zgjatur në Tiranë. Është e tepërt të thuhet që edhe kësaj here komentet para udhëtimit ishin të ngjashme me ato për Prishtinën. Tirana është më afër Nishit se sa Subotica, plus nuk paguan kurrfarë takse rrugore. Autostrada është fantastike, vozitja ishe një kënaqësi e vërtetë (përveç asaj pjese të rrugës deri në Prishtinë, natyrisht).

Ishte jashtëzakonisht interesante të shohësh Tiranën, qytetin që me banorë i afrohet Beogradit, por që mbetet larg nga ai sa i përket infrastrukturës. Dy netë radhazi vetura ime ka qenë e parkuar në të njëjtin vend, në vendparkim publik në rrugë. Askush nuk e ka prekur dhe qartazi askush nuk i ka kushtuar vëmendje targave të Nishit. 

Do të kishte qenë mirë po të ishim pak më të guximshëm dhe të guxonim t’i kapërcenim këto vija ndarëse. Do të shihnim njerëz që janë sikur ne, me të njëjtat brenga dhe probleme. Do të shihnim qytetarë të cilët po ashtu i mundon shteti i paaftë, jofunksionaliteti dhe mosekzistimi i institucioneve, pagat e ulëta dhe papunësia. Do ta kuptonim që ata në fakt nuk dallojnë aq shumë prej neve. 

Kur pati vërshime në Serbinë perëndimore para disa viteve, cili nga të huajt erdhi i pari në ndihmë? A ishin ata vëllezërit rus apo kinez? Jo, ishin fqinjët më të afërt – boshnjakët dhe kroatët. Kur uji arriti tek kroatët, ksh u shkoi atyre në ndihmë? Njerëzit tanë, serbët nga Serbia. 

Nëse diçka e tillë rastësisht do të ndodhte në jug të Serbisë, kush do të na ndihmonte i pari? Sigurisht bullgarët dhe maqedonët, por edhe shqiptarët. 

Duhet të kuptojmë që kjo është toka jonë dhe që askush prej nesh nuk do të shkoj askund në një të ardhme të afërt. Jemi këtu ku jemi, fqinjët tanë nuk i kemi zgjedhur, jemi këtu pranë njëri-tjetrit e kështu do të jetë edhe në të ardhmen. E kaluara ishte e shëmtuar, duhet ta mbajmë mend, por jo të jetojmë në të. Individët përgjegjës për këtë duhet të shkojnë në burg, nga cilado anë qofshin ata. E ne të tjerët, si një shumicë e ndershme me qëllime të mira, duhet të gjejmë mënyrë që të luftojmë dhe të fitojmë, por jo njëri-tjetrin, por njëri pranë tjetrit dhe që kështu më në fund ta heqim Ballkanin nga harta botërore e vatrave të luftës dhe politikës. 

*Termi “Kosovë*” tashmë disa vite nuk e prejudikon statusin e saj, meqenëse politikanët nga të dyja anët nuk janë në lartësi të detyrës dhe janë të paaftë që të zgjidhin këtë lëmsh politik. E shikuar realisht, kështu e kanë më mirë. 

(Autori është deputet i partisë “Dosta je bilo” (Mjaft më) nga Nishi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016.  Inxhinier i diplomuar i kompjuteristikës.)