“Këto ditë do të shënojmë një vit nga takimi i fundit në nivel ekspertësh,” tha drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Đurić, në fillim të nëntorit. Sipas tij, në sistemin institucional të Prishtinës më “nuk ekziston instanca e ngarkuar për dialog, sepse në qeverinë e sapokrijuar të Kosovës nuk ka as ministri, as zyrë e as ndonjë shërbim që do të merrej me këtë punë”. Đurić e tha këtë në ditët kur po fillonin punën prokurorët dhe gjyqtarët serbë në sistemin e integruar të drejtësisë të Kosovës, sipas marrëveshjes, implementimi i së cilës ishte konfirmuar në takimin e fundit të nivelit më të lartë në Bruksel, më 31 gusht. Ndërkohë, këshilltari i presidentit të Kosovës, Blerim Shala, ish-koordinator për bisedime me Serbinë, shtjelloi idenë që e kishte paralajmëruar se pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale do të nisë formimi i “Ekipit të unitetit”. Meqë është vlerësuar se dialogu po hyn në fazën përfundimtare, dhe më të rëndësishme të tij, tha ai, me rëndësi të madhe është arritja e një konsensusi sa më të gjërë të partive politike në Kosovë. I pyetur nëse do të ketë ndonjë takim të ri në nivel presidentësh së shpejti, Shala tha se “as Brukseli, as Beogradi, e as Prishtina nuk duan më takime që do të zgjasin disa orë e ku përsëri do të themi se pajtohemi se duhet të pajtohemi që po shkojmë drejt finales së këtij procesi…” Sipas tij, palët tani duhet të flasin për përmbajtjen e një “marrëveshjeje ndërkombëtare detyruese” (marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, historike) dhe mekanizmat e implementimit të saj. Edhe kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se qeveria po përgatitë platformën për etapën e ardhshme të dialogut dhe se ajo do t’i propozohet Kuvendit ku do të kenë të gjithë mundësi të kontribuojnë.
Një marrëveshje ligjërisht detyruese në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve u përmend edhe nga presidenti Vučić pas takimit që pati në Bruksel me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, nga mesi i muajit. Ai citohet se ka thënë që Serbia nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së pa marrëveshje ligjërisht detyruese me Kosovën. Ndërkaq, në një konferencë për gazetarë pas takimit të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit BE-Serbi, ku ishte e pranishme edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabić, Mogherini foli për “përpjekjet për një kërcim cilësor në një periudhë të shkurtër kohore.” E pyetur nëse mund të qartësonte se a do të ketë nënshkrime të palëve deri në fund të vitit të ardhshëm, Mogherini tha: “nuk mund të jem e qartë dhe nuk dua të jem e qartë për atë se kur dhe cili saktësisht do të jetë rezultati i kësaj faze të re të Dialogut, pikërisht sepse ndiej nevojën në këtë fazë për të mbrojtur hapësirën politike për të dyja palët që të punojnë në këtë fazë të re...” Sa i përket afatit, Mogherini la të kuptohej se mandati i saj skadonte pas dy vitesh, “kështu që korniza e shkurtër kohore caktohet edhe nga kjo që të bëhen përpjekje për të arritur rezultate pozitive sa më parë, dhe në një kohë kur edhe në Prishtinë edhe në Beograd kemi udhëheqës që sapo kanë dalë si rezultat i zgjedhjeve dhe kështu kanë hapësirë të pastër politike që të veprojnë.”
Një ditë më vonë në Bruksel qëndroi edhe Haradinaj, në vizitën e tij të parë si kryeministër, për të kryesuar takimin e radhës të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit BE-Kosovë. Konferenca me gazetarë, për të cilën ishte njoftuar në agjendë, u anulua, dhe kjo nxiti spekulime rreth asaj se çfarë mund të kishte ndodhur brenda në takim. Deklarata e përbashkët e lëshuar më pas nuk ofroi shumë hollësi përveçse theksoi dy herë brenda një paragrafi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e implementimit pa vonesë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Ndonëse u mohua si nga pala kosovare ashtu edhe nga ajo e BE-së, pati njoftime se Mogherini e ka lëshuar takimin pasi qenka nervozuar nga këmbëngulja e kryeministrit Haradinaj se “duhet të ketë përfshirje të SHBA-së” në dialog. Edhe presidenti Thaçi e konsideron të domosdoshëm rolin e SHBA-së në fazën e re të Dialogut, dhe thotë se pas takimit të tij me zëvendëspresidentin Mike Pence, Uashingtoni ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këtë proces. Sipas tij “participimi i SHBA-ve procesit i jep kredibilitet, i jep siguri, i jep garancë per sukses.” Një deklaratë e zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijančič, se “Bashkimi Evropian është ndërmjetësues në dialogun Prishtinë-Beograd. Të dyja palët duhet të pajtohen për përmbajtjen, formatin, shpejtësinë dhe agjendën,” u interpretua si përgjigje se “përfshirja e mundshme e SHBA-së në Dialog duhet të bëhet me miratimin e të dyja vendeve”.