Shënimi i muajit

0
35

Një propozim franko-gjerman, për të cilin filloi të flitej kohë më parë, dhe çështja ende e pazgjidhur e  targave/riregjistrimit të automjeteve me targa RKS ishin tema mbizotëruese gjatë tetorit, sa i përket Dialogut midis Kosovës e Serbisë dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Fillimisht u vu në dyshim e madje edhe u mohua ekzistenca e një “kornize të re për marrëveshje midis Kosovës e Serbisë” por muaji u mbyll me konfirmimin e tij nga instancat më të larta, ndonëse ende nuk janë bërë publike hollësitë.

Kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, thotë se ka pasur një dakordim që për elementet e planit të mos flitet publikisht, në mënyrë që palët të mund të kontribuojnë tutje në avancimin e kësaj ideje. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, beson që shumë shpejt, pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, “do të fillojnë të angazhojnë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit”. Sidoqoftë, në opinion ende nuk dihet shumë se çfarë përmban propozimi

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha se plani i ishte paraqitur Serbisë dhe Kosovës para verës dhe se tani kanë marrë përgjigjet nga të dyja palët dhe po i studiojnë ato. “Në ditët në vazhdim, do të shohim se cila është përgjigja e tyre ndaj këtij propozimi, dhe shpresoj se do të përbëjë një sukses dhe kërcim të madh përpara në këtë proces,” tha Borrell.

Një ditë më herët, vetë kancelari gjerman, Olaf Scholz, e konfirmoi ekzistencën e planit. “Ne dhe Qeveria franceze jemi duke u munduar që ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi një proces ku të dy qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë një marrëveshje,” tha kancelari Sholz në mbyllje të Samitit të Procesit të Berlinit, ku liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan tri marrëveshje: për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale.

Derisa në nivel diplomatik vërehet intensifikim i përpjekjeve për të çuar drejt një marrëveshjeje midis Kosovës e Serbisë, në terren situata po shkon drejt përshkallëzimit. Çështja e pazgjidhur e targave, e cila ngriti tensionet edhe një vit më parë, vazhdon të jetë burim tensionesh edhe sot.

Bashkimi Evropian dhe SHBA kërkuan nga qeveria e Kosovës që të shtyjë edhe për dhjetë muaj të tjerë afatin për riregjistrim me targa RKS të automjeteve që deri tani kanë mbajtur targa të qyteteve PR, KM, PZ, GL, PE, UR dhe ĐA, të lëshuara nga Serbia. Zbatimi i vendimit, për të cilin edhe BE edhe SHBA thonë se Kosova ka të drejtë, ishte shtyer një herë më parë nga autoritetet kosovare. Kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare për shtyrje të afatit, qeveria e Kosovës iu përgjigj me “sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve në rastin e zbatimit të vendimit paraprak për targat”. 

Në ditën kur filloi zbatimi i fazës së parë – “masës së dhënies së vërejtjes” – zyrtarë serbë njoftuan se, me urdhër të presidentit Aleksandar Vučić, ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të, siç u tha, situatës në Kosovë! Situata u përshkallëzua më tej me vendimin e Listës Serbe (LS) për t’u larguar nga “nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri.”

Një grup prej më shumë se 40 organizatash të shoqërisë civile, aktivistësh dhe mediash nga Kosova dhe Serbia kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për efektin e mungesës së progresit në Dialog mbi komunitetet lokale. Në deklaratën e tyre thuhet se “njerëzit në terren janë ata që vuajnë më së shumti nga vazhdimi i tensioneve dhe mosbesimi” dhe bëjnë thirrje që “të gjitha palët të përmbahen nga retorika ndezëse që dëmton marrëdhëniet brenda dhe midis komuniteteve”.