Shënimi i muajit

0
520

Java e parë e dhjetorit po e sjell të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajčak, përsëri në Beograd e Prishtinë. Ai tha se arsyeja e vizitës së tij është “të dëgjoj nga kryeministri Kurti dhe presidenti Vučić se cili është plani dhe cilët janë hapat në vazhdim dhe si mund të ndihmojë BE. Sepse kjo nuk është situatë normale.”

Situata u përkeqësua në fillim të nëntorit kur qeveria e Kosovës filloi zbatimin e asaj që ajo e quan “sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve në rastin e zbatimit të vendimit paraprak për targat” ndërsa Lista Serbe u përgjigj me largimin e përfaqësuesve serbë nga “nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës,” përfshirë gjyqësorin, policinë dhe stafin administrativ.

BE vlerësoi se zhvillimet e kohëve të fundit “kanë vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e shënuara në kuadër të dialogut … dhe vështirësojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”. Ajo u bëri thirrje palëve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, që mund të shkaktojë tensione të metejshme.

Për të shtendosur gjendjen, gjatë nëntorit u zhvilluan disa takime në nivel të lartë. Në Paris, në margjinat e Forumit të Paqes, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme, Josep Borrell, takoi veç e veç kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić “për t’i ndihmuar palët për të gjetur zgjidhje urgjente për krizën aktuale dhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në terren.” Më pas, të dy liderët u ftuan me urgjencë në Bruksel, ku, më 21 nëntor, për më shumë se tetë orë, me ndërmjetësimin e Borrellit dhe Lajčakut, u bënë përpjekje për të gjetur “një zgjidhje evropiane”, por pa sukses.

“Më duhet të them se ne paraqitëm një propozim që ka mundur të shmangte këtë situatë të rrezikshme, se Presidenti Vučić e pranoi sot por, me keqardhje, Kryeministri Kurti nuk e pranoi,” tha Borrell dhe paraqiti dy kërkesa për palët. Nga Kosova kërkoi që menjëherë të pezullojë fazat e mëtejshme të riregjistrimit të makinave në veri, ndërsa nga Serbia që të pezullojë lëshimin e targave të reja me emra të qyteteve të Kosovës.

Kurti nga ana e tij tha se propozimi i BE-së ishte i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve” dhe akuzoi Borrellin se kishte hequr dorë nga “propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Me ndërhyrjen e ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, Kurti edhe një herë pranoi shtyerjen e zbatimit të vendimit mbi targat për t’i dhënë kohë përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje. Këtë herë, takimi që Lajčak zhvilloi me dy kryenegociatorët, Besnik Bislimin dhe Petar Petkovićin, më 23 nëntor, ishte i suksesshëm. Borrell njoftoi se “kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre.” Serbia, tha ai, do të ndërpresë lëshimin e targave me emra të qyteteve të Kosovës dhe Kosova do t’i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

Lajčak ka paralajmëruar një takim të ri të nivelit të lartë së shpejti, duke thënë se po bisedohet për një datë dhe se në agjendë do të jetë marrëveshja finale. BE tashmë ka pranuar komentet e të dyja palëve mbi propozimin [për të cilin Lajčak thotë se është propozim evropian, me përfshirjen dhe mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe Francës], dhe kjo, sipas tij, nënkupton se e kemi bazën për vazhdimin e procesit. Ai nuk jep hollësi rreth propozimit e as rreth komenteve të palëve por thotë se komentet kanë qenë serioze dhe kanë treguar se palët e kanë kuptuar rëndësinë e këtij propozimi.