Periudha nga shënimi i muajit të kaluar deri tani ka qenë e dominuar nga zgjedhjet e parakohshme, fushata parazgjedhore e më pas edhe nga negociatat paszgjedhore. Megjithatë, Dialogu (ai me D të madhe) nuk është hequr nga fokusi i medias, i kandidatëve për kryeministër të ri të vendit, e në veçanti aktorëve ndërkombëtarë të interesuar për rifillimin e samëparshëm të tij.
Emërimi, në muajin gusht, i Matthew Palmer-it si i ngarkuar special amerikan për Ballkanin nxiti spekulimet se edhe BE-ja do të dalë me një përfaqësues të saj të posaçëm për dialogun midis Kosovës e Serbisë. Por, përsëri lajmi erdhi nga Shtetet e Bashkuara, këtë herë nga Shtëpia e Bardhë e cila njoftoi se ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, do të shërbejë edhe si përfaqësues i posaçëm i presidentit Trump për “negociatat e paqës” midis Kosovës e Serbisë. Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se ky vendim thekson përkushtimin e SHBA-së për paqe, stabilitet dhe prosperitet për popullin në Serbi dhe në Kosovë në kohën kur shohin “një mundësi historike” për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për të normalizuar raportet midis tyre. Për opinionin në rajon, Grenell u bë i njohur në fillim të vitit kur u bënë publike njoftimet për një takim të tij larg syve të medias me presidentin Hashim Thaçi në Berlin, në dhjetor të vitit të kaluar.
Grenell nuk humbi kohë dhe vetëm disa ditë pasi mori këtë detyrë plotësuese qëndroi në Prishtinë dhe Beograd. Në një deklaratë pas vizitës në rajon, ai theksoi se “të dyja palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë duke shikuar nga e ardhmja” me qëllimin që të arrijnë një zgjidhje gjithëpërfshirëse. Njeriu i Trump-it u takua edhe me Albin Kurtin, kandidatin për kryeministër të Lëvizjes Vetvendosje (LVV), e cila fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e mbajtura vetëm pak ditë para kësaj vizite. Porosia që Grenell mori nga ai takim në lidhje me Dialogun ishte se “përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të”. New Perspektiva i sjellë të përmbledhura disa prej qëndrimeve të Kurtit ndaj Dialogut me Serbinë, të shprehura në intervista për media të ndryshme këto ditë.
Vizitë në Kosovë ka paralajmëruar edhe Josep Borrell, madje të parën në ndonjë vend si përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme, në rast se konfirmohet për të zëvendësuar lehtësuesen e deritashme të Dialogut, Federica Mogherinin. Në seancën dëgjimore në Parlamentin Evropian, Borrel tha se një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë do të jetë ndër prioritetet e tij kryesore.
Në një seancë tjetër dëgjimore, përtej oqeanit, para Komisionit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, edhe i ngarkuari special për Ballkanin, Matthew Palmer, e cilësoi normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë e Kosovës si “një prej prioriteteve më të larta që ka impakt të konsiderueshëm në tërë rajonin dhe në sigurinë trans-Atlantike”. Palmer tha se, së bashku me ambasadorin Grenell, si emisar i posaçëm presidencial, “me angazhim të shtuar politik si dhe me stimuj afaristë e tregtarë, do të përpiqemi t’i ndihmojmë palët që vetë të gjejnë një marrëveshje me pronësi lokale e cila është e qëndrueshme, e implementueshme, dhe që rritë stabilitetin rajonal.” Palmer përsëriti, siç e quajti, “mesazhin e qartë” të Amerikës drejtuar liderëve në Prishtinë dhe Beograd: “keni një rast për t’u rifokusuar në interesat tuaja strategjike duke ia hequr pengesat negociatave, duke u përmbajtur nga angazhimi në veprime provokative, dhe duke iu kthyer tryezës së negociatave me një frymë fleksibiliteti dhe gatishmërie për kompromis”. Nga qeveria e re e Kosovës, Palmer tha se presin që të demonstrojë përkushtimin e saj duke pezulluar tarifat e vendosura ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja, masë kjo për të cilën tha se e ka dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Serbia, shtoi Palmer, duhet t’i japë fund fushatës së saj për delegjitimimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. “Me këtë fushatë të stimulimit të vendeve që të tërheqin njohjen e Kosovës dhe të bllokojnë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare siç është INTERPOL-i,” tha Palmer, “Beogradi ka minuar bashkëpunimin në fushën e zbatimit të ligjit ndërkombëtar dhe ka thartuar atmosferën për kompromis”.
Ndërkohë, në Kosovë kanë vazhduar negociatat për krijimin e një qeverie të re mes LVV dhe LDK, fitueseve të numrit më të madh të votave në zgjedhjet e 6 tetorit. Zhvillimi i tyre i qetë e pa probleme u përshëndet nga Bashkimi Evropian. Në emër të BE-së, zyrtarët në largim, Mogherini dhe komisioneri i zgjerimit, Johannes Hahn, thanë se presin me padurim formimin e qeverisë së re që Kosova t’i kthehet punës për reforma në mbështetje të zhvillimit ekonomik e shoqëror, në fushën e sundimit të ligjit, implementimin e MSA-së si dhe Dialogut me Beogradin: “Presim nga të gjithë aktorët politikë të vazhdojnë të jenë të përkushtuar ndaj këtyre proceseve, të cilat janë kyç për të ardhmen e Kosovës, për progresin në rrugën e saj evropiane, dhe, më e rëndësishmja, për të mirën e popullit të Kosovës dhe mbarë rajonit”.