Shënimi i muajit

0
663

Pas takimit të parë zyrtar të nivelit të lartë nga mesi i korrikut, që shënoi rifillimin e shumësynuar të Dialogut, Kosova dhe Serbia vazhduan bisedimet me lehtësimin e BE-së. Edhe SHBA duket se nuk ka hequr dorë nga angazhimi i saj për një marrëveshje të mundshme pas dështimit të takimit në Shtëpinë e Bardhë që ishte caktuar për fund të qershorit.

Dy takime “në nivel ekspertësh” u zhvilluan në Bruksel brenda kësaj periudhe, me njoftime tejet të thata mbi atë se çfarë është diskutuar në to, dhe u paralajmëruan më shumë bisedime në javët e ardhshme. Më 23 korrik, në Bruksel, Kosovën e përfaqësoi koordinatori shtetëror për dialog i emëruar vetëm dy ditë më herët, Skender Hyseni, ndërsa Serbinë drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Đurić. “Diskutimet politike të kësaj jave në nivel ekspertësh mbi personat e pagjetur dhe të zhvendosurit ishin produktive dhe konstruktive,” tha Miroslav Lajčak, përfaqësuesi i BE-së për Dialogun, duke shtuar se pret me padurim raundin e ri së shpejti. Një javë më vonë, më 30 korrik, u zhvillua takimi tjetër në nivel ekspertësh, për të cilin Lajčak tha se ishte “një hap tjetër i rëndësishëm në procesin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”. Lajčak paralajmëroi se puna e tyre do të vazhdojë në fund të gushtit.

Të dyja palët i cilësuan bisedimet të vështira, dhe shfaqën mospajtime nëse ato janë teknike apo politike si dhe cili është qëllimi i tyre. Đurić tha se “jemi këtu që pavarësisht nga dallimet tona të bëjmë përpjekje që në sferën ekonomike, në sferën e kthimit të të zhvendosurve, e çështjeve të tjera të ndryshme të jetës së përditshme t’ua lehtësojme jetën njerëzve. Për këtë shërbejnë bisedimet teknike.” Ndërkaq Hyseni citohet se ka thënë që “nuk ka më asgjë teknike, është skajshmërisht [proces] politik. Dhe, një ditë kur elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të dakordohen në tërësi, do të shihen që janë elementë të një marrëveshjeje, së cilës i subordinohet çdo gjë tjetër. Prandaj, nuk mund ta zvarritin procesin, tash e tutje, duke trajtuar tema të ndara, të cilat mund të zbatohen dhe mund të mos zbatohen dhe që varen nga vullneti i mirë dhe i lirë i cilësdo palë. Tash po flasim për një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme, të cilën do të detyrohen të dyja palët që ta zbatojnë në terren, sepse do ta ketë vulën ndërkombëtare.”  Vetë Lajčak i quajti takimet e zhvilluara si “diskutime politike në nivel ekspertësh”.

Në Bruksel, Lajčak zhvilloi një takim edhe me ushtruesin e detyrës së ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, Philip Reeker, me të cilin tha se kishte diskutuar  “bashkëpunimin e ngushtë BE-SHBA rreth dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës”. Me Reeker-in në Bruksel u takua edhe Hyseni para udhëtimit të tij për në Uashington ku u prit nga Matthew Palmer, përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor. “Ka një përkushtim të paluhatur në përkrahje të dialogut të filluar në Bruksel dhe një përkrahje të fuqishme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, sa i përket normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Hyseni nga Uashingtoni dhe paralajmëroi “hapa konkretë të kyçjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog, krahas Bashkimit Evropian”. Nga ana e tij, Palmer tha se “një zgjidhje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve do të kishte ndikim të madh për stabilitetin në rajon dhe do të nxiste të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit evropian”.

Ditë më parë, emisari special presidencial amerikan për Dialogun, Richard Grenell, u bë i gjallë përsëri për të shprehur kënaqësinë se më 2 shtator, në Shtëpinë e Bardhë do të takohen liderët e Kosovës dhe Serbisë për “një negociatë”! Siç ishte thënë edhe për takimin e qershorit, i cili nuk u mbajt, në Uashington edhe këtë herë pritet të diskutohet për çështje ekonomike. “Shtetet e Bashkuara besojnë se progresi në çështje ekonomike është kyq për avancimin e procesit të paqës,” thotë zyra e Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, i cili do të jetë mikpritës, së bashku me ambasadorin Grenell, në takimin në Shtëpinë e Bardhë. Zyra e këshilltarit O’Brien thotë se SHBA “presin rezultate nga këto diskutime të rëndësishme” midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić.

Një takim të nivelit të lartë – në kuadër të Dialogut – për muajin shtator e ka paralajmëruar edhe BE.