“Shënuam edhe një hap drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit duke zhvilluar një raund të dytë bisedimesh mbi pretendimet financiare dhe pronat.” Kështu deklaroi përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, pas takimit në nivel ekspertësh që u zhvillua të enjten, më 29 tetor. Në njoftimin e qeverisë së Kosovës thuhet se ishte bisedur “ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin” dhe se ende nuk kishte “përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve”. Risi e këtij takimi ishte pjesëmarrja e kryenegociatorit të ri të Serbisë, Petar Petković. Ai tha se edhe këtë radhë e kishin “shtruar çështjen e bashkësisë së komunave serbe”, konfirmoi se ishte diskutuar për çështjen e pronave dhe pretendimet financiare dhe shtoi se qëndrimet ishin “diametralisht të kundërta”. Bisedimet do të vazhdojnë së shpejti, tha Lajčak në njoftimin e tij në twitter.
Ky takim ishte paraparë të mbahej nga fundi i shtatorit por mospajtimet rreth përfshirjes apo jo në bisedime të çështjes së Asociacionit/Bashkësisë së komunave serbe bënë që ai të shtyhej, megjithëse u tha se shtyrja bëhej nga “kujdesi i bollshëm” për shkak të Covid-19.
Për të zhbllokuar procesin, u desht që Lajčak të vizitonte Prishtinën dhe Beogradin nga mesi i tetorit. Një ditë para nisjes, ai njoftoi ministrat e Jashtëm të BE-së mbi zhvillimet më të fundit në kuadër të Dialogut. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se vazhdojnë të jenë “të vendosur që ky dialog të mbyllej me sukses, duke kërkuar nga palët të punonin me vullnet të mirë dhe me frymë kompromisi midis tyre”. Borrell tha po ashtu se ai personalisht beson fuqishëm që arritja e një marrëveshjeje finale është çështje muajsh, jo vitesh, nëse të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive.
Gjatë qëndrimit disaditor në Prishtinë, Lajčak zhvilloi një numër takimesh (rreth 25, tha) dhe si rezultatin më të rëndësishëm veçoi konfirmimin se “Kosova do t’i respektojë të gjitha angazhimet e saj, përfshirë atë për krijimin e Asociacionit”. Isa Mustafa, kryetari i LDK-së, tha se në takimin me Lajčakun ia kishte paraqitur si dokument një letër të ish-përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, në të cilën ajo vërtetonte se, siç e kuptonte BE, “Asociacioni/Bashkësia – në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës – nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive“.
Edhe në Beograd, Lajčak përsëriti se në Kosovë “asnjë bashkëbisedues nuk ka thënë se nuk do t’i përmbushin obligimet”. Por ajo që shkaktoi reagime ishte deklarata e tij se zyrtarët kosovarë nuk kanë thënë “jo” as për ndryshimin e Kushtetutës. “Kushtetuta nuk është Bibël,” u citua se ka thënë Lajčak. Kjo më pas u sqarua nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili tha se përfaqësuesi special për Dialogun, “ka spjeguar se çfarë ndodhë nëse zhvilloni negociata për marrëveshje ndërkombëtare. Kur arrini marrëveshje ndërkombëtare, qeveria duhet të shqyrtojë përshtatjen e domosdoshme juridike, përfshirë edhe nivelin kushtetues, në mënyrë që ajo të integrohet në kornizën juridike dhe kushtetuese. Kjo vlen edhe për Kosovën edhe për Serbinë”. Stano po ashtu sqaroi se BE nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj në lidhje me Asociacionin, dhe iu referua fjalimit të Mogherinit në Kuvendin e Kosovës më 5 maj 2016, se “ky Asociacion/Bashkësi nuk do të jetë një qeveri paralele brenda Kosovës dhe nuk do të miratojë ligje të saja. Do të themelohet brenda kornizës ekzistuese ligjore dhe qeverisëse të Kosovës. Do t’i përmbahet vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ofron udhëzime për t’u siguruar se Statuti i Asociacionit/Bashkësisë do t’i pasqyrojë ligjet e Kosovës kur të hartohet. Integriteti i Kosovës nuk vihet në pyetje.”
Gjatë tetorit në rajon qëndroi edhe një delegacion i Departamentit të Energjisë të SHBA. Në njoftimin e qeverisë thuhet se kryeministri Hoti diskutoi me ta “për implementimin e projekteve të dakorduara në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë”. Pas vizitës në Prishtinë dhe te Liqeni i Ujmanit, delegacioni amerikan i përbërë nga shkencëtarë, inxhinierë dhe zyrtarë shkoi edhe në Beograd. “Një nga porositë kyçe për të dyja palët është se diversifikimi, dhe furnizimi i qëndrueshëm me energji janë bazë e zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit afatgjatë,” citohet të ketë thënë ambasada amerikane në Beograd.
Me SHBA, Kosova nënshkroi një memorandum bashkëpunimi për krijimin e rrjeteve të pastra 5G, që është një tjetër zotim nga Marrëveshja e Uashingtonit. Bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, Kosova iu bashkua atij që sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e quajti “koalicion gjithnjë e më i madh i Shteteve të Pastra dhe Kompanive të Pastra që përfshin 27 vende anëtare të NATO-s, 25 anëtarë të BE-së, and 11 shtete të [Nismës së] Tri Deteve, si dhe shumë prej kompanive kryesore në botë”.
Në objektin e vendkalimit kufitar të integruar në Merdare i cili ka qenë i gatshëm që para dy vitesh, më në fund këtë muaj u vendos edhe personeli serb. Këtë njoftim të medias kosovare e konfirmoi një javë më vonë edhe Zyra për Kosovë e qeverisë serbe. Në një kumtesë të lëshuar më 13 tetor, ajo thotë se “në bazë të marrëveshjes së Uashingtonit, nga data 7 tetor është zgjeruar kapaciteti i kalimit administrativ në Merdare dhe personeli serb ka filluar punën në objektin e ri i cili është ndërtuar më herët me mjetet e Bashkimit Evropian”. Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) është arritur në dhjetor, 2011.
Në një deklaratë që bie ndesh ndërkaq me njërin prej zotimeve nga Marrëveshja e Uashingtonit, atë për përshpejtimin e përpjekjeve për të lokalizuar dhe identifikuar mbetjet e personave të humbur, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dačić, kritikoi serbët që, siç tha ai “tregojnë se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë.” Kjo deklaratë u vlerësua gjerësisht si kërcënim ndaj atyre serbëve që mund të dinë diçka për fatin e kosovarëve të zhdukur gjatë luftës.
Këtë muaj u bë e ditur se tashmë është arritur “një projekt-marrëveshje për personat e zhdukur” e cila pritet të jetë pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare për të cilën po bisedohet aktualisht në Bruksel. Drejtuesit e shoqatave të personave të pagjetur në Kosovë thonë se nuk janë konsultuar në këtë fazë të dialogut dhe nuk kanë shpresë se projektmarrëveshja e arritur do t’u ofrojë ngushëllim.