Shënimi i muajit

1
418

Nëntori solli një varg takimesh – pa ndonjë rezultat të raportuar – dhe një intensifikim përpjekjesh për ta çuar Dialogun përpara.

Grupi i Punës për çështjen e targave u takua për herë të dytë në Bruksel. “Delegacionet u angazhuan në mënyrë konstruktive dhe vazhduan t’i këmbejnë pikëpamjet,” tha Lajčak dhe i inkurajoi “që të gjejnë një zgjidhje të përhershme për hir të qytetarëve të tyre”. Nga këto takime, që duket se do të jenë të rregullta, Grupi i Punës pritet t’i paraqesë gjetjet konkrete për zgjidhjen e çështjes së targave deri nga fundi i marsit 2022.

Dy ditë para takimit të lartpërmendur, më 16 nëntor, në Bruksel qëndruan edhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petković. Të dy ata zhvilluan takime ndaras me përfaqësuesin e BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak. Në njoftimin e qeverisë së Kosovës u tha se Bislimi kishte diskutuar me Lajčákun “rreth gjendjes së zbatimit të dakordimeve të arritura në kuadër të marrëveshjeve ekzistuese si dhe për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, rreth zhvillimeve të fundit, mbajtjes së takimeve të shpeshta të nëngrupeve punuese, si dhe gërmimet dhe pranimin e mbetjeve mortore të viktimave të luftës të gjetura në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.” Nga ana e tij, Petković tha se Prishtina kishte refuzuar bisedimet direkte me palën serbe “për shkak se kishte refuzuar të bisedonte për Bashkësinë e komunave serbe”. Vetë Lajčak tha se ishte biseduar për çështjet e mbetura dhe rrugën përpara në Dialog, se i kishte njoftuar palët me diskutimet në Këshillin e Punëve të Jashtme dhe ua kishte përsëritur pritjet e shteteve anëtare: respektimin e plotë dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme dhe angazhimin konstruktiv për progres të shpejtë në normalizimin e gjithëmbarshëm të marrëdhënieve mes tyre. Lajčak shtoi se “është koha tashmë për progres të njëmendtë”. 

Nevojën urgjente për progres në Dialog e kishte theksuar disa ditë më parë edhe vetë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Forumit të Paqës në Paris. Ndërsa pas takimit të Ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, Borrell tha se shpresonin të kishin “edhe një takim në nivel të lartë midis Beogradit dhe Prishtinës para fundit të vitit”. Borrell e theksoi se kjo ishte ftesa e tij për të dy liderët.

Të gjitha këto duket e shtynë Lajčakun të intensifikonte përpjekjet e tij me takime në nivelin më të lartë. Fillimisht ai takoi Kurtin në Vjenë me të cilin tha se kishte “zhvilluar një diskutim në thellësi rreth gjendjes aktuale dhe rrugës përpara në dialog.” Pastaj qëndroi në Beograd ku tha se kishte zhvilluar një “bisedë të gjatë e të hollësishme me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić”. Në Prishtinë takoi përsëri kryeministrin Kurti për të vazhduar bisedën e nisur në Vjenë. Lajčak tha se e çmonte “këmbimin e hapur dhe të sinqertë,” duke shtuar se kishte shumë punë përpara. I pyetur nëse do të zhvillohej një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vučić para fundit të vitit, siç kishte shprehur shpresën Borrell ditë më parë, Lajčak tha se pikërisht ky ishte qëllimi i vizitës së tij, i dy takimeve që kishte pasur me kryeministrin Kurti dhe i bisedës me presidentin Vučić. Lajčak theksoi se, megjithatë, nuk ishte puna tek takimi po tek rezultati, duke shtuar se “dy liderët tashmë ishin takuar dy herë por nuk kishte pasur rezultate pozitive nga ato takime”. “Ambicia jonë duhet të jetë tjetër këtë herë,” tha Lajčak. “Nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit por edhe për dakordimin se cili do të jetë rezultati”.

Për afatin e arritjes së një rezultati në bisedime foli i ngarkuari me punë i ambasadës amerikane në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe Jr, pas një takimi me kryeministrin Kurti. Giacobbe tha se kishte diskutuar me Kurtin dhe Bislimin planet për realizimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë gjatë mandatit aktual të kryeministrit. Vetë Kurti e lidhë mundësinë për këtë me kohëzgjatjen e mandatit të tij me mandatet e presidentit amerikan, Joe Biden, dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, kur thotë se “është e pritshme që në kuadër të këtyre mandateve, që në kohë janë pak a shumë të njëjta, ta përmbyllim marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë”, por shton se, megjithatë, “normalizimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë është i tillë që varet shumë më tepër nga gatishmëria e Serbisë për të ndryshuar qasjen dhe veten e saj”.