Duket se ka pak arsye për të festuar shtatëvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Unë kam theksuar zëshëm se pavarësia e Kosovës ishte një kthesë e madhe që do të sillte sfida në dukje të pakalueshme. Por, me pak optimizëm dhe pragmatizëm, ne duhet të kuptojmë se shtetndërtimi nuk është detyrë e lehtë dhe duhet të vazhdojmë të kërkojmë llogari nga ata që na udhëheqin. Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë!
Shtatë vjet nga pavarësia e Kosovës, një disponim i zymtë rri me këmbëngulje si një re mbi shtetin që po kalon nëpër vështirësi. Protestat, emigrimi ilegal, udhëheqja e korruptuar, një kalë serb i Trojës në qeveri dhe një pakënaqësi e fuqishme janë mbase temat kryesore që të bien në mend në vigjilje të përvjetorit të shtatë të pavarësisë së Kosovës.
Në 2008-n ishte e paimagjinueshme që, shtatë vjet më vonë, shoqëria kosovare do të jetë aq e fragmentuar, që shteti do të jetë aq i degraduar, sa që Serbia ende do të luajë me Kosovën dhe që imazhi ndërkombëtar do të jetë katandisur kaq keq.
Udhëheqja kosovare është tmerrësisht e preokupuar me imazhin e shtetit në sytë e eurokratëve dhe zyrtarëve të tjerë kryesisht egocentrik e të uritur për pushtet në Bruksel. Dhe pikërisht ky preokupim shërben si tokë e plleshme për individët në BE që të shprehin mendimet e tyre dhe t’u tregojnë kosovarëve se si duhet të jetojnë, çka është demokratike dhe çka përbën vlerë evropiane. Kjo trajektore tanimë është bërë goxha e padurueshme dhe nuk shitet më tek një person mesatarisht i arsimuar. Protestat e fundit në Prishtinë janë shembull shumë i qartë i valës së dëshpërimit që i dërgon mesazh të qartë udhëheqjes kosovare, padronëve evropianë dhe një Serbie që vazhdimisht të ngacmon: “Mjaft më! Zbrapsuni!”.
Më duhet të pranoj me një lloj lehtësimi dhe dhimbje se u mahnita dhe më lanë përshtypje përmasat e dy protestave në Prishtinë të përshkuara me dhunë. I lehtësuar sepse e kuptova që shoqëria kosovare mund të bashkohet në protestë përkundër fragmentimit të thellë shoqëror brenda saj. Dhimbja, nga ana tjetër, buron nga fakti se edhe 16 vjet pas lufte, e vetmja gjë që i bën njerëzit të dalin në rrugë është “faktori Serbi” ose çkado që lidhet me të. Përkundër arsyeve të panumërta për protesta rreth sistemit thellësisht të dëmtuar të mirëqenjes në Kosovë dhe trazirave ekonomike, ishte ish-ministri kukull Jablanović që ndezi “nervin revolucionar”.
Të tillët si Jablanović përfaqësojnë kalin e Trojës brenda institucioneve të Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, e cila ka si kornizë Planin e Ahtisarit, parasheh të drejta të gjëra për minoritetin serb në Kosovë. Megjithatë, kjo del të ket qenë një ide utopike. Hartimi i saj ishte lidhur me konceptin e një minoriteti serb në Kosovë që është besnik ndaj shtetit të Kosovës dhe punon për interesat e vet e jo të Beogradit. Ndërsa në realitet ne po ballafaqohemi me situatë krejtësisht të kundërt, ku Lista Srpska është një satelit i Beogradit brenda qeverisë së Kosovës. Një trend i tillë duhet të ndalet së shpejti, për shkak të potencialit që ka për ta paaftësuar më tej ekzistencën e Kosovës si shtet. Shkarkimi i Jablanović-it duhet të jetë mësim për të gjithë se deklaratat kanë peshë dhe njerëzit duhet të paguajnë për atë çka thonë. Dhe, shkarkimi i tij kurrë nuk duhet të interpretohet si sulm ndaj minoritetit serb në Kosovë, përkundër dëshirës së Beogradit për ta paraqitur si të tillë. Përkundrazi, ky është një sulm pikërisht ndaj mentalitetit që i mjelë paratë e taksapaguesve kosovarë në formë të një page dhe më pas e saboton shtetin për interesa të Serbisë.
Në fund, duket se ka pak arsye për ta festuar përvjetorin e shtatë të pavarësisë së Kosovës. Cinikët vazhdojnë të hedhin helm në opinionin publik duke treguar me gisht një shtet jofunksional. Megjithatë, një gjë duhet të jetë shumë e qartë. Nuk ka asgjë që mund të njollos ose zvogëloj rëndësinë e kësaj dite për Kosovën. Unë kam deklaruar zëshëm se pavarësia e Kosovës ka qenë një kthesë e madhe që do të sillte sfida në dukje të pakapërcyeshme. Por, me pak optimizëm dhe pragmatizëm, duhet të kuptojmë se shtetndërtimi nuk është detyrë e lehtë dhe duhet të vazhdojmë të kërkojmë llogari nga ata që na udhëheqin. Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë!
Ky blog në origjinal është shkruar në gjuhën angleze.