Sinjale dhe argumente

Një plejadë e gjerë e diplomacisë botërore ka parakaluar këto ditë nëpër ndërtesën e OKB-së dhe secili në mënyrën e vet i ka hedhur erëza ngjarjeve aktuale. Por problemet tona janë ato me të cilat ne duhet të merremi edhe pse të gjitha këo janë të ndërlidhura.

0
53

Fundi i shtatorit ishte i rezervuar për një aktivitet të fuqishëm politik dhe diplomatik, si në nivel botëror, ashtu edhe në atë rajonal, kështu që u diskutua në nivelin më të lartë edhe për luftën në Ukrainë por edhe për problemet tona lokale. Të dyja janë të mëdha dhe të ndërlidhura me njëra tjetrën, e edhe nëse nuk kanë qenë, dikush i ndërlidhi ato, pak ne vetë, pak ata që vendosin edhe për njërën edhe për tjetrën. Është karakteristike ajo se për zgjidhjen e të dy këtyre problemeve nuk pyeten ata që i vuajnë pasojat e tyre në terren, por ata që kanë fuqinë reale për t’i krijuar këto probleme por edhe për t’i mënjanuar ato kur është e nevojshme. Duket sikur ky është fati i kombeve të vogla, por sa të vegjël jemi ne, në fund të fundit duhet të vendosim vetë, natyrisht kur kjo do të ishte në interes të dikujt. Dhe që të mos e zgjasim me patetikë, edhe pse kjo është bërë realiteti dhe përditshmëria jonë, duhet t’i kthehemi asaj se çfarë thanë diplomatët, si ata botërorë ashtu edhe ata tanët, vendorë, nga foltorja e mermertë e Asamblesë së OKB-së. 

Një plejadë e gjerë e diplomacisë botërore ka parakaluar këto ditë nëpër ndërtesën e OKB-së dhe secili në mënyrën e vet i ka hedhur erëza ngjarjeve aktuale. Por problemet tona janë ato me të cilat ne duhet të merremi edhe pse të gjitha këo janë të ndërlidhura. Derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, paralajmëroi për të satën herë me radhë për standardet e dyfishta të bashkësisë ndërkombëtare, dhe derisa mbledhte notat për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si avokat i llojit të vet dhe përfaqësues i Kosovës, paraqiti disa pikëpamje dhe sugjerime të reja për diçka që është tashmë një kapitull i mbyllur për shumicën e atyre që dëgjuan. Por sido që të jetë, sipas deklaratave të bëra pas seancës së Asamblesë, të dyja kanë bërë jehonë në media dhe kanë lënë gjurmë të llojit të vet edhe në marrëdhënie. Duket sikur po përpiqemi fort t’i mbajmë marrëdhëniet në një distancë të caktuar që i përgjigjet momentit politik të ashpërsimit të marrëdhënieve në të gjitha nivelet. Por jo vetëm kaq, por krijohet përshtypja se seanca e përmendur ishte një lloj shorti për të përcaktuar se kush është në anën e kujt në kuadër të konfliktit aktual në Ukrainë. Nuk pati asnjë fjalim nga podiumi i OKB-së i cili nuk pati të paktën një fjali që nuk i referohej atij konflikti. Vetëm shtrohet pyetja logjike se sa mund të ndikojmë ne kombet e vogla në zgjidhjen e atij konflikti, e me këtë edhe sa e mirë është për ne radhitja jonë në njërën ose tjetrën anë. E gjithë kjo nuk do të ishte problem nëse nga ana kah e cila pozicionohemi nuk do të varej pozita jonë nesër. Me sa duket nuk e kemi marrë mësimin e historisë që kombet e vogla, nëse këtë mund t’ia mundësojnë vetes, nuk duhet të përfshihen në krizat botërore që nuk mund t’i zgjidhin. Thjesht, kjo ka qenë gjithmonë kështu, por dëshira e të vegjëlve për të qenë të mëdhenj ka qenë gjithmonë problem, të paktën ne e dimë këtë më së miri.  

Pavarësisht të gjitha ngjarjeve dhe aktiviteteve që politikanët tanë i patën në Nju Jork, një gjë i ra në sy të gjithëve, sigurisht, secilit në mënyrën e vet. Nënshkrimi i marrëveshjes teknike për bashkëpunim ndërmjet ministrive të punëve të jashtme të Serbisë dhe Rusisë shkaktoi më shumë vëmendje se të gjitha ato tone pajtuese të dërguara nga foltorja e lartpërmendur. Është e qartë se të gjithë i kërkojnë gabimet në hapa të të tjerëve në terren, edhe nëse ato janë të parëndësishme. Edhe pse me të vërtetë në këtë situatë një veprim i tillë është mjaft diskutabil, sigurisht që kjo nuk duhet të jetë një arsye që menjëherë të dëgjohen kërcënimet për ngrirjen e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Përkushtimi për dialog në relacionin Beograd-Prishtinë është qartazi i shprehur, por padyshim që kjo nuk kishte ndonjë domethënie të madhe sepse kjo sipas të gjitha gjasave është e vetëkuptueshme, derisa politika e pavarur e një vendi të vogël disi nuk konsiderohet e nevojshme. Kështu që, pas gjithë kësaj, lind pyetja se përse kontestimi nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj raportit të Dick Marty-t nuk u prit me një reagim të ngjashëm, qoftë edhe më të butë edhe pse ai raport është miratuar nga ana e Këshillit të Evropës si raport zyrtar për krimet ndaj popullatës joshqiptare dhe rastin e Shtëpisë së Verdhë, pra paraqet dokument zyrtar dhe kategori provash të padiskutueshme. Nuk dua të mbaj anën e askujt, por disi, edhe në këtë rast, bie në sy ai interpretimi i dyfishtë. Krijohet përshtypja se diplomacia evropiane ngadalë por me siguri po e humbet atë epitetin e palës së paanshme dhe neutrale. Në një situatë kaq të vështirë, mendoj se mbi të gjitha, të gjithë ne, dhe veçanërisht një palë e tretë, palës të cilën e përfaqëson BE-ja, i duhet një qëndrim pak më fleksibil sa i përket interpretimeve sepse megjithatë ata janë ndërmjetës midis palëve në negociata e jo avokatë të njërës apo tjetrës palë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.