Sinjalet e Serbisë për ndryshim të mundshëm të Kushtetutës rreth Kosovës

Serbia duket se i është kthyer idesë për mundësinë e ndryshimit të kushtetutës ku do të ridefinohej prezenca e Beogradit në Kosovë. Pas betimit në postin e presidentit, Vučić paralajmëroi diskutime për Kushtetutën e Serbisë dhe Kosovën. Para tij, edhe zyrtarë të tjerë të Serbisë kanë folur për mundësinë e ndryshimeve kushtetuese të cilat ndërlidhen me çështjen e statusit të Kosovës.

0
853

Kur u njoftua në fillim të korrikut se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vučić do të takoheshin në Bruksel për të diskutuar rreth normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, Thaçi komentoi njoftimet për fillimin e mundshëm në Serbi të një debati rreth Kosovës.

“Tani Serbia ka paralajmëruar një debat të mbrendshëm për mundësinë e largimit të Kosovës nga Kushtetuta e vet. Mendoj se ky – nëse është ide serioze – mendoj se është mesazh i mirë por mbetet shumë për të bërë Serbia në raport me Kosovën që të dëshmojë me të vërtetë se është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve, për fqinjësi dhe pajtim.” tha Thaçi në një intervistë për RTK-në.

Serbia duket se i është kthyer idesë për mundësinë e ndryshimit të kushtetutës ku do të ridefinohej prezenca e Beogradit në Kosovë. Pas betimit në postin e presidentit, Vučić paralajmëroi diskutime për Kushtetutën e Serbisë dhe Kosovën. Një temë, sipas tij, janë edhe ndryshimet kushtetuese, në preambulën e së cilës, Kosova vazhdon të figurojë si pjesë e saj.

“Unë dëshiroj të hap dialog shoqëror që do të zgjasë tre muaj, gjashtë muaj. Për njërën dhe temën tjetër, edhe për Kushtetutën, edhe për raportin tonë ndaj Kosovës, por nëse doni edhe për raportin tonë ndaj gjithë rajonit”, ka thënë Vučić në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Duke folur për fazën e ardhshme të dialogut, presidenti Vučić ka përmendur veprimet që mund t’ia veshin atij epitetin e tradhtarit.

“Unë mendoj ta hap këtë diskutim guximshëm, pavarësisht se e di që përsëri do të lajmërohen disa gjeni që do të ma tundin tabelën ‘tradhtar’”, është shprehur Vučić.  Në një intervistë tjetër, për mediat ruse më 2 korrik, Vučić tha se edhe pse partitë në pushtet i kanë dy të tretat në parlament, ai si president nuk dëshiron ta ndryshojë kushtetutën pa marrëveshje të gjërë, meqë kushtetuta, siç thotë, është “dokument që duhet të jetë në fuqi pesëdhjetë apo njëqind vitet e ardhshme”.

Para Vučić-it, edhe zyrtarë tjerë të Serbisë kanë folur për mundësinë e ndryshimeve kushtetuese të cilat ndërlidhen me çështjen e statusit të Kosovës. Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Đurić, në nëntor të vitit 2013 ka përmendur mundësinë e nxjerrjes së një ligji kushtetues për Kosovën, pas bisedimeve me Prishtinën.

“Me kushtetutë të Serbisë është e paraparë që për rregullimin e çështjes së statusit të autonomisë së Kosovës do të nxirret një ligj i posaçëm kushtetues, prandaj është e logjikshme që të zhvillohen negociata politike që do të krijonin parakushte për nxjerrjen e një ligji të tillë që do të reflektonte marrëveshjet e arritura”, pati thënë Đurić për gazetën “Danas”.

Në fillim të muajit, Thaçi dhe Vučić zhvilluan takimin e parë në nivel presidencial, në praninë e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Sipas Thaçit, qëllimi i takimit ishte këmbimi i ideve fillestare për mënyrën se si do të vazhdohet dialogu në fazën e re dhe objektivat që synojnë t’i arrijnë në kuadër të procesit të normalizimit. Që prej ardhjes në krye të presidencës, Thaçi në disa raste ka promovuar idenë e ndryshimit të mënyrës së dialogut, duke kërkuar që ai të bëhet më dinamik, të rritet efikasiteti në implementim dhe të kalohet nga procesi i normalizimit të raporteve në “pajtim mes shteteve dhe popujve”.

Njëjtë sikurse për Serbinë, edhe rrugëtimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian do të varet nga përparimi në dialog. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është korniza në kuadër të së cilës administrata e BE-së dhe e Kosovës diskutojnë rregullisht edhe çështjet që ndërlidhen me dialogun. Për këtë qëllim është formuar një grup i veçantë mbi normalizimin i cili mbikëqyrë arritjet e Kosovës në zbatimin e obligimeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ndërkaq Serbia tashmë është duke negociuar anëtarësimin në BE dhe Kapitulli 35 parasheh ndëshkime për Serbinë deri në mbylljen e kapitujve të tjerë negociues, nëse nuk i zbaton marrëveshjet e normalizimit.