Srebrenica, vend i shenjtë dhe vend i pajtimit

Srebrenica është meteor i zjarrtë, më kalon nëpër mendje titulli i poemës së Melika Salihbeg Bosnawi-t. Diku sheh dritë në dritare, rroba të shtrira në tel, një mace mbi kapakun e veturës si ngrohet duke pozuar si Sfinga, gjithçka që mund të të gëzojë dhe të tregojë se këtu ka jetë dhe se ajo është e fshehur në çdo të dhjetën shtëpi.

0
1593

Nga Beogradi në Srebrenicë arritëm gjatë natës. Natën qyteti duket sikur çdo qytet tjetër i Bosnjës, i mbështjellur me terr, i rrethuar nga kodrat në të cilat sërish kanë mbirë drunjtë, sepse ata më afër bërthamës së qytetit, gjatë luftës janë prerë për t’u ngrohur. Kodrat e Srebrenicës nuk janë aq të larta, por kanë shpate të rrëpirëta. Vetëm ditën e dytë të qëndrimit, kur dielli shndritë hapësirën, malet do ta tregojnë bukurinë e tyre, një butësi të qartë, të theksuar me ngjyra pasteli të gjetheve të fillimit kalendarik të dimrit. Asociacioni i parë për Srebrenicën është ngjyra e hirtë e ndërtesave, rrugëve, natyrës. Një hirtësi e krahasueshme me ngjyrën e reve që e mbulojnë diellin dhe e zvogëlojnë horizontin. Këtë ndjenjë e pata ndaj këtij qyteti në brendinë time, të përzierë me shijen e hidhur të disfatës së njeriut. Kam qenë këtu disa herë, kësaj here më së gjati, mjaft që të njihem me rrugët e tij, të cilave në vitin 2004 u janë kthyer emrat që i kanë pasur para luftës. Zbrisja rrugës “Učina bašča”, pastaj tutje nëpër atë “Reuf Selmanagić Crni”. Kur Ratko Mladić-i hyri në qytet urdhëroi që tabela me këtë emër menjëherë të hiqet nga muri. Emrat e rrugëve janë të shkruar në alfabetin cirilik dhe latin në tabela metalike të kaltërta. U binda se Srebrenica është qytet i braktisur. Derisa kalon pranë radhëve të shtëpive, në cilëndo anë që të shikosh, sheh oxhaqe të fikura. Dritare në të cilat nuk banon drita as ngrohtësia njerëzore. Srebrenica është e braktisur sikur një stacion hekurudhor provincial. Në të shtëpitë janë metaforë e prekshme e vetmisë. I vetmi zë që mund ta dëgjosh gjersa ecë nëpër këto rrugë është gurgullima e përroit rreth të cilit janë ngjeshur shtëpitë në shpatet e rrëpirëta të kodrave. Kështu i sodisja shtëpitë ditën e parë, ato më bënin shoqëri gjatë shëtitjeve të natës. Në shkallët e betonit pa parmakë, që shpiejnë në mansardë të një shtëpie skaj rrugës, dikush i kishte lënë dy ftoj me gjethe të zhubravitura. Srebrenica është meteor i zjarrtë, më kalon nëpër mendje titulli i poemës së Melika Salihbeg Bosnawi-t. Diku sheh dritë në dritare, rroba të shtrira në tel, një mace mbi kapakun e veturës si ngrohet duke pozuar si Sfinga, gjithçka që mund të të gëzojë dhe të tregojë se këtu ka jetë dhe se ajo është e fshehur në çdo të dhjetën shtëpi. Para luftës Srebrenica ka qenë një nga komunat më të pasura në BeH dhe sipas regjistrimit të vitit 1991 ka pasur 36,666 banorë. Sot ka diçka më shumë se pesë mijë banorë. Shumë më pak se sa që rrijnë të shtrirë në Potočare.

Të nesërmen vizituam Qendrën memoriale në Potočari. Në emër të grupit të veteranëve të luftës nga Serbia dhe BeH, kurorë viktimave i vendosën Ljuban Volaš, veteran i VRS-së, Novica Kostić veteran i APJ-së nga Serbia dhe Narcis Mišanović, veteran i Armatës së BeH nga Sarajeva. Ishte ky me të vërtetë një moment i veçantë i shprehjes së nderimeve dhe respektit për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës. Pranë nesh ishin nënat e Srebrenicës të cilat u rrëfenin veteranëve rrëfimet e tyre tragjike jetësore. Ciceronia jonë Amra Begić, në mënyrë të gjallë, nga pozita e dëshmitares, na e tregoi kronologjinë e tragjedisë. Prapë dëshmohet se ai që në lëkurën e vet e ka provuar tmerrin, mundet në mënyrën më bindëse të flas për të.   

Procedura ua mundëson vizitorëve që vetë ata, ose me ndihmën e ciceronit, të vizitojnë një hapësirë shumë të madhe të cilën e mbushin pamjet e bardha të gurëve të varrit. Pastaj, në një rrugicë, midis këtyre gurëve të varrit hasa në një grua të moshuar, e cila filloi të më tregojë për fëmijët e saj të vrarë. E mbajta në mend vetëm fjalinë: „Fëmijët nuk janë këpurdha.“

Sfera qelqi

Në Potočari mbizotërojnë dy ngjyra themelore: e blerta nga bari dhe e bardha nga mermeri i gurëve të varrit. Diku diku shihet ngjyra e dheut të freskët në të cilën futen në dhe nishanët në skajet e gropave të varrit. Punëtorët e shpojnë betonin e vendosur në polet e varreve ashtu që në të të çimentohen gurët dhe në këtë mënyrë të pamundësohet animi i mermerit dhe sharrimi i tij në tokë. I vetmi kontrast janë gjethet e kuqe të drunjve të ulët, kurse nuanca e tyre është ajo e diellit në perëndim. Në Potočari fshihesha prapa aparatit fotografik. Ai të mundëson të jesh i padukshëm dhe të kesh një barrierë emocionale. Objektivi kapte fytyrat e veteranëve derisa bisedonin me nënat e Srebrenicës dhe derisa e dëgjonin Amra Begić-in. Ata që ishin të plagosur më rëndë rrinin ulur në karriga dhe fytyrat e tyre pasqyrojnë dhimbjen dhe dhembshurinë për njerëzit e vrarë. Hapësira këtu e mbizotëroi kohën e matshme, e cila është humbur nëpër mijëra pllaka të mermerta. Këtu ekziston vetëm koha e të vdekurve, e ajo filloi më 11 korrik 1995. 

Në hangarin ku ka qenë i vendosur batalioni famoz holandez, shikuam ekspozitën e fotografive për kronologjinë e luftës në Srebrenicë. Gjësendet e gjetura në varrezat masive janë të ekspozuara në kthinat e errëta. Pashë një tabakerë të argjendtë, syze me dioptri dhe dy sfera të vogla të qelqta, që rrinin mbi një pllakë qelqi. Nën fotografi dhe biografi shkruante: „Dy sfera që i përkisnin Ismet Hasanović-it, të gjetura më 1996 me trupin e tij në sipërfaqe të varrezës masive Kamenica, Bratunac.“ A duhet shpjeguar brishtësia e një lodre fëmijësh, drita e zënë rob në trupin gjeometrik, mikrobota ekzotike në të cilën nuk qe e mundur të iket para momentit të pushkatimit në livadhin që pulson me jetë.

Nuk besoj që këtu herën e ardhshme do të kem ndjenjën se jam i huaj. Ndoshta pikërisht Srebrenica është ai qytet prej nga do të jetë e mundur që të fillohet procesi i pajtimit të mirëfilltë midis njerëzve në BeH. Ose ndoshta ky është iluzioni im tekstual. Vetëm e di se ky qytet është bërë pjesë e vetëdijes sime. Ka zënë vend aty ku as granatat e as zjarri nuk do të mund ta kapin kurrë. 

(Shënim: Teksti është botuar për herë të parë në BH Dani.)