I humbur ne Stagnim është titulli që Big Deal (BIRN, CRTA dhe Internews Kosova) i ka vënë raportit të tyre të dytë të monitorimit të Marrëveshjes së Normalizimit të arritur në prill 2013 në Bruksel. Ai vlerëson se është bërë përparim në marrëveshjet kyçe ndërsa të tjerat kanë ngecur në ler. Ky është një raport i vlefshëm pasi ofron një përmbledhje të vazhdueshme dhe konsistente të lëvizjes në proces edhe nëse i mungon një thellësi e cak-tuar. Ai tenton ta vlerësojë edhe shpejtësinë me të cilën zhvillohet procesi, që nuk është një detyrë edhe aq e lehtë për shkak të politizimit dhe të mungesës së komunikimit real që e rrethon këtë normalizim.
Prezantimi – me pjesëmarrje të gjërë – i këtij raporti në Prishtinë më 24 Prill erdhi në një kohë kur dukej se politikanët, si të Beogradit ashtu edhe të Prishtinës, po luanin lojrat e tyre jokonstruktive dhe dëmtuese duke iu përulur secili publikut të vet. Zëvendëskryeministrit, Hashim Thaçi, i cili ishte ftuar në javën paraprake në një konferencë të shoqërisë civile në Beograd, iu tha nga partnerët e tij nga Beogradi se nëse vinte, ai do të arrestohej në bazë të një mandatarresti të vitit 1998. Pastaj shefit të Zyrës për Kosovën, Marko Đurić, i cili ishte ftuar në prezantimin e BIRN-it, iu tha shumë thjeshtë se nuk do të lejohej të hynte në Koso-vë. Ky i fundit u përgjigj, sipas mediave, me fjalët “shihemi nesër në Kosovë”, por ajo e ne-serme nuk ka ardhur ende. Është e pabesueshme se si qeveritë në një moment vendosin linja direkte telefonike për të kapërcyer të kaluaren e pastaj 5 minuta më vonë e gërmojnë atë përsëri. Siç tha njëri nga folësit: sjellje fëmijërore.
Megjithatë, në ditën e prezantimit të raportit pati lajme të mira se Lista Serbe do të kthehej në qeverinë e Kosovës dhe se kryetarët e katër komunave të veriut kishin udhëtuar në Prishtinë për t’u takuar me Kryeministrin Mustafa. Pas këtij takimi u dha njoftimi se çështja e buxhetit të komunave është zgjidhur dhe se financimi do të rifillojë. Ky është një moment i rëndësishëm pasi që i sjellë katër komunat veriore në kuadër të sistemit të qeverisjes lokale të Kosovës siç është rënë dakord me marrëveshjen e normalizimit edhepse nuk dihet nëse ka pasur ndonjë parakusht për këtë.
Ky raport i Big Deal-it nuk ofroi vërtetë ndonjë përfundim shumë më të ndryshëm nga ato në të parin në nëntor. Me të drejtë e vë theksin mbi rëndësinë e Marrëveshjes për Drejtësinë e cila u nënshkrua në shkurt, dhe nënshkrimin e marrëveshjes për Mbrojtjen Civi-le në mars, por konstaton se të tjerat kanë qenë të ngadalta. Ai mbulon periudhën e plotë gjashtëmujore e cila fillon më 1 tetor 2014 dhe analizon se çka ka ndodhur me 12 pikat e ndryshme të marrëveshjes së 2013-s dhe marrëveshjeve joteknike. Katër shihen si të plotësuara: vulat doganore, themelimi i katër komunave veriore, themelimi i komisionit të implementimit, dorëzimi i regjistrave civil; tri si pjesërisht të plotësuara: liria e lëvizjes, en-ergjetika, policia dhe siguria; katër me pak përparim: dokumentet kadastrale, menaxhimi i integruar i kufijve, përfaqësimi dhe bashkëpunimi rajonal, drejtësia; tri pa përparim: pranimi reciprok i diplomave universitare, telekomunikacioni, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Pra praktikisht pa ndryshime nga raporti paraprak.
Raporti mund të gjendet në portalin e dokumenteve në New Perspektiva kështu që unë do të komentoj vetëm në disa aspekte të tij dhe çka u tha me interes në paraqitjen në të cilën mora pjesë. Për mua, çështjet më të rëndësishme ishin liria e lëvizjes, diplomat universitare dhe AKS. Për këtë të fundit nuk do të them asgjë përveç se u tha shumë pak.
Mbi lirinë e lëvizjes u tha shumë pak edhepse në debatin e kaluar të Big Deal-it kjo shkaktoi më shumë diskutim. Çështja është se edhepse është mundësuar lëvizja e lirë kjo gjë është bërë financiarisht frenuese për shumëkë, përderisa disa të tjerë janë duke bërë shuma jo të vogla në baza që mund të vihen në dyshim. Pyetja që duhet shtruar ndoshta është se cili është roli i kompanive të sigurimit në tërë këtë? Në tryezën e parë të rrumbullakët të Big Deal-it u njoftua se tarifat e sigurimeve po rishikoheshin dhe që së shpejti do të ketë progres. Qeveria e Kosovës qysh në fillim të dhjetorit lëshoi një deklaratë në lidhje me marrëveshjen Serbo-Kosovare për sigurime duke e shikuar mundësinë e reduktimit të tarifave dhe duke theksuar se një projektmarrëveshje është hartuar nga pala kosovare. Siç duket marrëveshja është caktuar të nënshkruhet në mes të janarit dhe pastaj në fund të marsit, por pala serbe thotë se ajo nuk mund të nënshkruajë pasi që nuk e ka përkrahjen e Asociacionit të Siguruesve të Serbisë. Kështu njerëzve u duhet të paguajnë tarifa të larta për të drejtën normale të tyre për të lëvizur me makinë nga një vend evropian fqinj në tjetrin. Unë ende nuk mund të kuptoj pse vozitësit që hyjnë në Serbi duhet të blejnë targa dhe t’i kthejnë kur dalin, dhe pse duhet fillimisht t’i blejnë ato targa kur në marrëveshje theksohet se targa të përkohshme do të vihen në dispozicion nëse një vozitës dëshiron t’i ketë ato. A pyeten ata a duan këso targash?
Sipas raportit, nuk ëshë bërë ndonjë lëvizje për diplomat universitare edhepse ministrja Edita Tahiri e pranoi se shoqëria civile ka paraqitur një propozim. Samuel Zbogar, shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, tha se një grup punues mbi arsimimin do të formohet nga BE-ja dhe Qeveria e Kosovës për të adresuar këtë çështje. Gjithashtu vlen të shtohet se më 3 prill Qeveria e Kosovës miratoi një projektkoncept dokumenti mbi procedurat e aplikimit për alokimin e vendeve të punës në institucionet e Kosovës për njerëzit që kanë diplomë nga Universiteti i Mitrovicës së veriut. Këto dy zhvillime ndjellin shpresë për mundësi të barabarta punësimi për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Shumë gjëra interesante u thanë rreth tavolinës, por janë tri vërejtje kryesore të cilat dua t’i ndajë posaçërisht. E para ishte nga Samuel Žbogar të cilin ishte kënaqësi ta kishim prezent pasiqë në paraqitjen e raportit të kaluar askush nga BE-ja nuk kishte ardhur për të marrë pjesë në diskutime rreth procesit të cilin vetë është duke e lehtësuar. Rrjedhimisht prania e zotit Žbogar në krye të tavolinës ishte një progres në vete. Ai dha dy vërejtje të cilat do të dëshiroja t’i përsërisja këtu. Ai tha se sa i përket dialogut, dialogu zhvillohet vetëm në nive-let më të larta. Kjo ishte një përsëritje e asaj se çka shoqëria civile ka thënë qe një kohë të gjatë; kjo përsëriti kritikat për dështimin nënshkruesëve të marrëveshjeve që t’i informojnë më mirë qytetarët, që të jenë më transparent. Ai po ashtu ua kujtoi të pranishmëve se normalizimi është proces, ashtu sikurse Europianizimi, dhe këto procese marrin kohë.
I pranishëm në tryezë ishte ambasadori i ri britanik, Ruairi O’Connell, i cili ka përvojë të gjatë të punës në këtë vend. Ai theksoi se tani pas konfliktit të vitit 1999 kur Kosova ka qenë sinonim i vuajtjes së tmerrshme të asaj lufte, ajo tani duhet të prezantojë, pasqyrën e saj të re, siç e quajti ai. Kjo pasqyrë ishte reflektimi i botës së normalizimit, i një Kosove të re të integrimit të një qytetarie multi-etnike. Ky është procesi i normalizimit. Do të shtoja se Ko-sova është shteti i parë i ri evropian i shekullit 21 dhe ajo duhet të tregojë se është shtet qytetar, i bazuar në vlera, siç ka pretenduar gjithmonë se do të jetë dhe të mos rrëshqasë në të metat e shekullit 20.
Branislav Nešović nga OJQ Aktiv foli për nevojën që serbët e Kosovës të ishin në tryezë dhe jo mbi të. Kjo ka qenë një e metë themelore e gjithë procesit. Marrëveshja e 2013-s kryesisht u mor me çështje që ndikojnë në jetën e bashkëkombasve të tij e megjithatë ata nuk ishin përfshirë në negociata. Ai theksoi se Kosova duhet t’i kuptojë frikët e qytetarëve të tyre verior, frikë që rezultojnë nga implikimet e perceptuara të kësaj marrëveshjeje. Disa nga ne mund të thonë se nuk ka nevojë për frikë, por kjo frikë duhet të adresohet nga të dyja palët e marrëveshjes, posaçërisht nga pala kosovare. Pse duket të jetë kaq e vështirë që të shkohet e të bisedohet me këta bashkëqytetarë? Bisedimet do të ishin konstrukitve për të dyja palët.
Kësaj mungese të komunikimit iu bë jehonë edhe nga një pjesëmarrës nga veriu i Kosovës i cili në mënyrë të vendosur tha se ishte i zhgënjyer që Marko Đurić nuk kishte qenë në gjendje të vinte pasi që vetëm në Prishtinë ata mund të bisedonin me “padronët” e tyre nga Beogradi. Dhe ai nuk ishte personi i vetëm që e tha këtë. Kjo sigurisht që është reflektim i stagnimit.
29 prill 2015