Sulm medial mbi të vërtetën

Derisa e vërteta i mbathë këpucët, gënjeshtra përshkon gjysmën e botës. Për këtë meritat i kanë portalet e ndryshme, televizioni, gazetat, e gjithë makineria propagandistike. Konsideroj që gazetaria sot mund të vrasë edhe më shumë se bomba, qofshin informatat të rreme apo të vërteta. Mirëpo, me plasimin e gënjeshtrave përmes mediave infektohet masa e cila krijon një tabllo të gabueshme për ndonjë ngjarje, për ndonjë kohë. Ka shumë njerëz që sot bien pre e gënjeshtrës, bien pre e fjalimeve nxitëse politike.

0
157

Jetojmë në një botë ku zhvillimi i informacionit ka arritur një vlerë të tillë sa po bëhet një nga armët më të fuqishme. Në fakt, është një armë të cilën na e solli shekulli 21. Këtë zhvillim teknologjik, përparimin në fushën e informacionit, njerëzit e përdorin për qëllime të ndryshme; ai bën shumë gjëra që avancojnë shoqërinë moderne, por kjo është një thikë me dy tehe. Ana tjetër e tehut është ajo që keqpërdoret për të manipuluar, si në luftë ashtu edhe në paqe. Ajo anë tjetër e tehut është shumë e mprehtë, e rrezikshme për gjithë qytetërimin dhe mund të prodhojë pasoja të mëdha.  

Sado që përpiqem të jem apolitik, të shmang lajmet, nuk guxoj ta bëj këtë. Thjesht duhet të jem në rrjedha, sepse situata këtu në veri të Kosovës është e tillë, pandërprerë diçka ndodh, diçka nga e cila ne varemi. E nesërmja jonë varet nga të qenit i informuar. Në detin e shumë artikujve, është e nevojshme të interpretohet se çfarë është e vërtetë. Edhe Prishtina edhe Beogradi na bombardojnë me njoftime, disa media krijojnë aq shumë tension, krijojnë tabllo të rrejshme, i mashtrojnë njerëzit dhe kjo gjeneron urrejtje mes njerëzve. E kuptoj që me publikimin e lajmeve sensacionaliste fitojnë rejting, tirazh. Duket se i rëndësishëm është vetëm fitimi, shumë vetë nuk i kushtojnë vëmendje pasojave të raportimit të njëanshëm dhe kontravers, nuk donë t’ia dinë se çfarë efekti do të krijojë informata e rrejshme.

Këto ditë, të gjithë jemi dëshmitarë të një lufte të tmerrshme në Ukrainë. Në televizione, portale, gazeta, mund të shohim dhe dëgjojmë për shkatërrime të mëdha, një katastrofë e cila po ndikon në gjithë botën. Gjithçka po shkon në drejtim të ndryshimit të rendit botëror, pavarësisht se cili do të jetë përfundimi i luftës. Rol të madh në luftën e lartpërmendur po luan fuqia e shtatë botërore – mediat. Ndikimi i tyre në opinionin publik është padiskutim i madh. Miliona njerëz që ndjekin ngjarjet aktuale në Ukrainë nuk janë në gjendje ta shohin situatën edhe nga një kënd tjetër. Lufta mediatike midis Rusisë dhe Ukrainës është përhapur në shumë vende, ajo ka “ndezur” edhe Ballkanin Perëndimor, veçanërisht tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit.  

Derisa e vërteta i mbathë këpucët, gënjeshtra përshkon gjysmën e botës. Për këtë meritat i kanë portalet e ndryshme, televizioni, gazetat, e gjithë makineria propagandistike. Konsideroj që gazetaria sot mund të vrasë edhe më shumë se bomba, qofshin informatat të rreme apo të vërteta. Mirëpo, me plasimin e gënjeshtrave përmes mediave infektohet masa e cila krijon një tabllo të gabueshme për ndonjë ngjarje, për ndonjë kohë. Ka shumë njerëz që sot bien pre e gënjeshtrës, bien pre e fjalimeve nxitëse politike.   

Nuk duhet vendosur paralele mes luftës në Kosovë dhe luftës në Ukrainë, por sa i përket propagandës, situata është e ngjashme. Moska deklaron një gjë, Kievi një tjetër dhe kështu deri në pafundësi; futja e informacioneve të rreme, të gjitha me qëllim që si njëra ashtu edhe tjetra palë të përfitojnë, për të justifikuar qëllimet e tyre. Prishtina dhe Beogradi kanë një marrëdhënie të ngjashme, i ngrisin tensionet deri në pikën e vlimit, përdorin mediat e tyre për të fajësuar palën e kundërt. Natyrisht, situata në Ukrainë është shumë më serioze dhe shpërndarja e lajmeve është globale, e gjithë bota i ndjek ngjarjet që ndodhin atje. Këtë nuk e kemi këtu, jo aq shumë lajme, nuk ka luftë, shpresoj që edhe të mos ketë. Por për shkak të kësaj situate gjeopolitike, gjithçka është e mundur. Dhe jo… nuk e arsyetoj marshimin vëllavrasës të Rusisë në Ukrainë.  

Media është bërë një instrument i fortë politik, duke luajtur gjithnjë e më shumë një rol totalitar, shfaqje brutale dhe agresion mbi mendjen e njeriut, që priret kah manipulimi ideologjik i masave. Shtrohet pyetja, a ka gazetari të pavarur dhe nëse ka deri në çfarë mase? Një artikull të denjë për vëmendje ka publikuar portali kroat Index, i cili vuri në dukje informatat e plasuara në mënyrë të pasaktë për luftën në Ukrainë, në të vërtetë vuri në dukje lajmet e rrejshme. Ky akt është për t’u lavdëruar, pavarësisht se u përpoqën të justifikoheshin se edhe BBC, Newsweek, Independent, Guardian kanë transmetuar gjithashtu informacione të pasakta. Kjo sigurisht ka shkaktuar dëme të mëdha, një problem që do të krijojë përçarje mes popujve. Vendosjen tinëzare të një informacioni të tillë do ta “gëlltisin” masat, ndaj mendoj se manipulimi në këtë mënyrë është shumë i rrezikshëm. Me siguri edhe mediat ruse publikojnë informacione të ngjashme, vetëm që, për shkak të bojkotit të Rusisë, shumë vende nuk janë në gjendje të shohin përmbajtjen e asaj propagande. 

Përveç atyre që besojnë, ka një numër të madh njerëzish që dyshojnë në çdo lajm, në veçanti kur bëhet fjalë për retorikën politike. Ajo që dhemb është se asnjëherë nuk kemi pasur më shumë teknologji, media dhe rrjete sociale e kurrë nuk kemi pasur më shumë dezinformata! Nëse vazhdon kështu, njerëzit do të pushojnë së besuari në çdo gjë që publikojnë mediat. Nuk duhet të biem pre e marifeteve, lajmeve të ndryshme që arrijnë tek ne. Çdo lajm duhet pranuar me një dozë dyshimi, duhet gjithmonë të merret parasysh edhe motivimi politik.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.