Tash e tutje secili rrymën vet

Serbia deri tani ka kundërshtuar pranimin e KOSTT-it në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit (ENTSO-E). E para dy vitesh, presidenti i Serbisë u lavdërua me “fitoren e Serbisë” në votimin në ENTSO-E, gjë e cila, siç deklaroi ai, mundësoi që Rrjeti Elektrik i Serbisë të mbetet pjesë e rrjetit energjetik në veri të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye habit fakti që mungoi një reagim më i madh i Serbisë në situatën e re të krijuar.

0
698

Muajin e kaluar Kosova fitoi pavarësinë energjetike dhe këtë me ndihmën e miqve të saj evropian, pasi që Rrjeti evropian i operatorëve të sistemit të transmetimit (ENTSO-E) më 20 prill votoi në favor të asaj se operatori kosovar KOSTT mund të funksionojë në mënyrë të pavarur. Në  lidhje me këtë lajm u shprehën edhe zyrtarët kosovarë të cilët vunë në dukje se me këtë veprim erdhi deri tek pavarësia e plotë energjetike e Kosovës nga Serbia. Dhe derisa nga ana e politikanëve kosovarë dëgjoheshin vetëm qëndrime pozitive dhe theksoheshin sukseset në arritjen e pavarësisë dhe mëvetësisë energjetike, nga Beogradi zyrtar u shpreh presidenti i Serbisë i cili deklaroi se nëse dikush mendon se ka ardhur koha që dikush fizikisht të marrë Vallaqin dhe Ujmanin (Gazivodën), ai i lut ata që mos ta bëjnë këtë.

Ndërkohë u shprehen edhe zyrtarët e Ambasadës gjermane në Prishtinë, të cilët e uruan operatorin kosovar të rrjetit KOSTT dhe qeverinë e Kosovës për atë që Marrëveshja për kyçje përfundimisht do të mundësojë vendosjen e një zone të pavarur të kontrollit për Kosovën. Nuk habit një deklaratë e tillë nga ana e Ambasadës gjermane në Prishtinë për arsyen se ishin pikërisht qeveria gjermane si dhe organizata e saj implementuese KfW ato që investuan njëqind milionë euro në modernizimin e rrjetit kosovar të transmetimit, të gjitha këto me qëllim të ndërtimit të largpërçuesit midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Rezultati përfundimtar i tërë kësaj është stabilizimi i rrjetit elektroenergjetik evropian si dhe vënia në punë dhe funksionimi i largpërçuesit 400KV midis Kosovës dhe Shqipërisë, i cili është financuar nga ana e “German financial cooperation” në shumën prej rreth 75 milionë euro, gjithnjë sipas shkrimeve të portalit Kossev të datës 21 prill 2020. 

Mirëpo, nuk është keq që të rikujtojmë se si filloi krejt kjo para disa viteve. Në fakt, gjatë vitit të kaluar KOSTT dhe operatori shqiptar i sistemit të transmetimit, OST, arritën marrëveshjen për themelimin e bllokut rregullues në kuadër të sistemit energjetik të Kosovës dhe Shqipërisë me emrin AK. Me atë rast, KOSTT paralajmëroi se kjo marrëveshje do të paraqesë në periudhën e ardhshme parakushtin për punë të pavarur të KOSTT-it,  dhe se zbatimi i saj do të mund të pritej nga viti 2020, pas fillimit të zbatimit të marrëveshjes së re midis ENTSO-E dhe KOSTT-it, me qëllim të lehtësimit të punës së dy sistemeve elektroenergjetike. Sipas fjalëve të drejtorit të përgjithshëm të KOSTT-it, Ilir Shala, pas nënshkrimit, marrëveshja e re e kyçjes KOSTT/ENTSO-E hyn në fuqi më 15 maj 2020; KOSTT-i tani do të ketë kufij energjetik të pranuar, që do të jenë në funksion si zonë rregulluese në kuadër të bllokut rregullues AK me Republikën e Shqipërisë. 

Mirëpo, Serbia deri tani ka kundërshtuar pranimin e KOSTT-it në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit (ENTSO-E). E para dy vitesh, presidenti i Serbisë u lavdërua me “fitoren e Serbisë” në votimin në ENTSO-E, gjë e cila, siç deklaroi ai, mundësoi që Rrjeti Elektrik i Serbisë të mbetet pjesë e rrjetit energjetik në veri të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye habit fakti që mungoi një reagim më i madh i Serbisë në situatën e re të krijuar për arsye se pikërisht pavarësimi energjetik i Kosovës është një hap më afër edhe marrjes faktike të pavarësisë dhe sovranitetit nga Serbia. A është ky një veprim me vetëdije i Serbisë për shkak të fushatës së ardhshme, e cila për momentin është shtyrë për shkak të paraqitjes së koronavirusit, apo është ky pikërisht plani i Beogradit që të shfrytëzojë këtë situatë në mënyrë që ky lajm kryesor të kalojë pa u vërejtur mjaftueshëm dhe në atë mënyrë të bie në harresë. 

Sido që të jetë, nga e tërë kjo, lehtë mund të konkludohet se megjithatë aftësia për të bërë diplomaci është një nga gjërat kyçe për sendërtimin e interesave për shtetin e vet. Në periudhën e ardhshme do të shohim edhe më shumë fitore dhe humbje diplomatike nga të dyja palët. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.