Të lirë, por të izoluar

Mungesa e fokusit tek qytetari po e lë atë në periferi të kujdesit, duke u zhytur në një varfëri pa zgjidhje. Kjo situatë më së shumti po ndikon tek të rinjtë, sepse përqendrimi tek politika po i detyron ata të shohin për mundësi të tjera jashtë kufijve.

0
701

Krenare e unike duket përmendorja e minatorëve enda pa hyrë në Mitrovicën Veriore.

Por në kodrën mbi qytetin e minatorëve nuk qëndron vetëm kjo vepër arti që shpërfaq dinjitetin e integritetin e minatorëve të të dy etnive por edhe ideologjia që e përfaqëson arkitekti i këtij monumenti, Bogdan Bogdanović.

Progresisti Bogdanović gjatë tërë angazhimit të tij intelektual punoi për një bashkëjetesë paqësore për banorët në Kosovë.

Intelektuali serb u vu kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit duke u bërë një nga zërat që luftoi për të drejtat e shqiptarëve.  

Arkitekti beogradas vrasjen e njerëzve e rrënimin e qyteteve e kishte konsideruar tragjedi morale të popullit serb. Në kujtesën kolektive të shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, Bogdanović njihet si kundërshtar i nacionalizmit. 

Por si profili i këtij intelektuali aktualisht nuk po hasim më në Prishtinë e Beograd.

Tani çfarë po shohim në Kosovë e Serbi janë liderët të cilët nuk po mundohen të japin rezultate konkrete për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve. 

Mungesa e fokusit tek qytetari po e lë atë në periferi të kujdesit, duke u zhytur në një varfëri pa zgjidhje.

Kjo situatë më së shumti po ndikon tek të rinjtë, sepse përqendrimi tek politika po i detyron ata të shohin për mundësi të tjera jashtë kufijve.

Hulumtuesi në organizatën joqeveritare “Aktiv”, Igor Marković, thekson se çështja parësore që po i rëndon të rinjtë është mungesa e mundësive për punësim.

“Të rinjtë serbë as nuk janë të prirur nga idetë apo diskurset e djathta, as nuk janë të interesuar për politikën ditore në Kosovë, apo politikën në përgjithësi. Shumica e të rinjve serbë të Kosovës janë më të interesuar të investojnë në të ardhmen e tyre, por për fat të keq ata po përpiqen ta formësojnë atë jashtë Kosovës dhe Ballkanit, për arsye të qarta: mungesa e punësimit, mungesa e perspektivës dhe investimeve që synojnë përmirësimin e mundësive për rininë, situata e paqëndrueshme politike në Kosovë”, thotë Marković.

Tutje Marković thekson se për shkak të mungesës së burimeve financiare shumica e të rinjve jetojnë në shtëpitë dhe apartamentet e prindërve të tyre, gjë që nuk i lejon ata të fillojnë jetën e tyre të pavarur.

“Fatkeqësisht, për të rinjtë nuk ka shumë mundësi kur bëhet fjalë për aktivitetet jashtëshkollore. Jeta kulturore është goxha e kufizuar. Nuk ka kinema dhe teatro që funksionojnë vazhdimisht në komunitetet serbe të Kosovës. Ngjarjet kulturore janë shumë të rralla. Kjo e fundit është gjithashtu një nga arsyet e vendimit të të rinjve serb të Kosovës për t’u zhvendosur në vende më urbane në Serbi (Beograd, Kragujevac, Nish, Novi Sad)”, ka thënë Marković. 

Fokusi i politikës në çështje “madhore” po bënë që të neglizhohen të rinjtë serb. 

Mirëpo më e madhe se neglizhenca politike mund të jenë pasojat e këtij zhgënjimi të akumuluar tash e sa vite.

“Është veçanërisht e vështirë për të rinjtë në komunat në jug të Ibrit dhe në fshatrat e izoluara serbe. Problemet për të rinjtë lindin për shkak të moszhvillimit të aktiviteteve sportive, pasi nëse do të donin të ushtronin një sport të caktuar, do t’u duhej të bënin dhjetëra kilometra dhe përveç kësaj, nuk ka mjaftueshëm aktivitete sportive. Me të drejtë mund të them se ngritja kulturore e të rinjve në zonat me shumicë serbe është reduktuar në minimum, në asnjë zonë serbe nuk kemi kinema aktive apo shfaqje të rregullta teatrore”, thotë Aleksandër Arsenijević, kryetar i iniciativës “Mbijetesa Serbe”. 

Më shumë se dy dekada pas luftës, lëvizja  e lirë e dy etnive në secilin qosh të Kosovës nuk shihet si problem. Por situata ndryshon kur vjen puna te arsyeja që numërojnë të rinjtë për lëvizje nga vendi ku banojnë nëpër komuna të tjera të Kosovës.

“Ata kryesisht udhëtojnë ndërmjet zonave serbe në Kosovë për arsim, punë dhe argëtim. Përjashtim bëjnë vetëm të rinjtë serbë nga Graçanica, të cilët janë mësuar të shkojnë në Prishtinë për pazar apo për të dalë në ndonjë lokal. Serbët në vendbanimet e tjera janë më pak të prirur për të vizituar zonat me shumicë shqiptare” thotë Ognjen Gogić, aktivist i shoqërisë civile në Mitrovicën Veriore.

Por, Gogić-in e shqetëson edhe fakti që të rinjtë serbë nuk shohin të ardhme në Kosovë.

“Në ditët e sotme, Universiteti lufton për të marrë studentë. Disa të rinj serbë largohen menjëherë pasi mbarojnë shkollën e mesme. Ajo që është më shqetësuese është se disa prej tyre edhe pas mbarimit të shkollës fillore largohen dhe regjistrohen në shkollat e mesme në Serbi. Edhe shkollat e mesme në zonat serbe në Kosovë tani po zbrazen. Shumica e serbëve të rinj migrojnë në Serbi. Kjo është ndalesa e parë. Pas kësaj, ata ose qëndrojnë në Serbi ose shkojnë në një vend të tretë”, thotë Gogić.

Andaj, alarmi për aktivizim të mekanizmave duhet të adresohet në autoritetet qendrore të Kosovës. Ekzekutivi duhet të reagojë, dhe atë të veprojë menjëherë dhe të gjejë mënyra se si të ndihmojë këtë kategori të banorëve që të shohin Kosovën si mundësi e të ardhmes së tyre. Një shpërfillje e kësaj thirrjeje do të vazhdonte të linte në hije fatin e serbëve duke u përqendruar në dialogun Kosovë-Serbi, e kjo do të mund të prodhonte pasoja afatgjata që do të shënonin regres në forcimin e bashkëjetesës në komunat me shumicë serbe. Kosova duhet të jetë shtëpia e të gjithëve.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.