Të pranueshëm 

Si u bë që Albin Kurti me paraqitjet e tij populliste, e shpeshherë edhe me qëndrime e veprime radikale, përnjëherë u bë i pranueshëm si për zgjedhësit ashtu edhe për faktorin ndërkombëtar i cili, të jemi të sinqertë, megjithatë e ka fjalën vendimtare në Kosovë?

0
731

Që nga viti 1999 e deri në ditët e sotme, Kosovën kryesisht e udhëheqin “politikanët” që kanë dalë nga UÇK-ja. I ashtuquajturi “krahu i luftës” në skenën politike kosovare. Ç’është e vërteta, ndërrohen, pak janë disa në pushtet e mandej pak në opozitë kurse këta të tjerët në pushtet, e pastaj prapë sillet. Kur disa janë në Hagë, të tjerët qeverisin, pastaj grinden pak e prapë pajtohen, e kështu gjithçka sillet në rreth.  

Organizata që kërcënon të prishë këtë rreth vicioz është lëvizja e Albin Kurtit “Vetëvendosje”. Vitet e fundit ai fitoi jashtëzakonisht rëndësi në skenën politike të Kosovës, deklaratat e tij populliste hasin në një tokë të plleshme midis trupit zgjedhor (si kudo në Evropë vitet e fundit), kështu që tani para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare shihet si një nga favoritët për pozitën e kryeministrit.  

Si u bë që Albin Kurti me paraqitjet e tij populliste, e shpeshherë edhe me qëndrime e veprime radikale, përnjëherë u bë i pranueshëm si për zgjedhësit ashtu edhe për faktorin ndërkombëtar i cili, të jemi të sinqertë, megjithatë e ka fjalën vendimtare në Kosovë? Mirë, për zgjedhësit është e qartë. Kudo që ka krizë, kudo që shumica e qytetarëve është e cenuar madje edhe sa i përket gjendjes sociale, lëvizje të tilla populliste a priori e kanë mbështetjen e popullit duke premtuar zgjidhje të lehta dhe të shpejta, e në rastin e Vetëvendosjes këtë edhe më shumë e nxit qëndrimi i “fortë” ndaj Serbisë. Qëndrim të fortë… unë më parë do t’i quaja fjalë të forta.  Në rregull, me qëllim të promovimit të qëndrimit të saj të fortë, Vetëvendosje i ka pasur disa veprime të caktuara të drejtuara kundër „Plazmës“, kundër tabelave me mbishkrime e gjëra të ngjashme. Mirëpo, është fakt se që të jetë i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare, Albin Kurti është dashur të pranojë të bëjë disa kompromise. Dhe kjo është e pakontestueshme. Që të jetë i pranueshëm si kryeministër i Kosovës nga ana e sponsorëve të pavarësisë së Kosovës, ai duhet të pranojë heqjen e taksës të vendosur për mallrat nga Serbia dhe BeH në nëntor të vitit të kaluar, pastaj ta vazhdojë dialogun me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje finale me Serbinë, për çka po insistojnë aq shumë të gjitha fuqitë perëndimore. Dhe duket që po ju ngutet tejet shumë, që do të thotë se duhet të veprohet menjëherë pas formimit të Qeverisë së re. Po të mos pranonte të bënte këto lëshime në raport me retorikën e tij, është e sigurt që as që do të merrej fare në shqyrtim si kandidat mundësisht i pranueshëm për kryeministër.

Një deklaratë e tij më ra në sy këto ditë, ku theksoi se, në qoftë se do të marrin mandatin, do të punojnë në krijimin e “shtetit ligjor”, por edhe se menjëherë do të fillojnë dialogun me serbët lokal. Kjo për një votues shqiptar mesatarisht të informuar tingëllon logjike dhe e drejtë. Dhe sipas të gjitha gjasave do t’i sjellë një numër të caktuar të votave. Por, Albini e di që Kosova nuk duhet të zgjidhë problemin me serbët lokal. Me ta, aq sa kanë mbetur, mund të bëjë si të dojë. E di Albini edhe që nuk ka asnjë serb të vetëm “lokal” i cili nuk është pothuajse plotësisht i varur nga shteti i Serbisë dhe që do të merrte çfarëdo vendimi që është në kundërshtim me qëndrimet e Republikës së Serbisë. E di Albini që edhe me kusht që gjen bashkëbisedues midis “serbëve lokal”, kjo nuk e zgjidh çështjen e rrumbullakësimit të pavarësisë së Kosovës dhe se kjo është e mundur vetëm me marrëveshje me Republikën e Serbisë.
 
Të gjitha këto i di ai dhe të gjitha po ashtu edhe do t’i bëjë nëse vjen në pushtet, do të duhet t’i bëj patjetër. Por asgjë nga këto nuk do t’i thotë votuesve gjatë fushatës. Nuk janë këto popullore. Do ta barazojnë me Thaçin. E në fund të fundit, kohë zgjedhjesh është, fushatë, kush po e thotë të vërtetën më? 

Kosovë, kushdo që do të fitojë, nuk e ka thënë të vërtetën në fushatë. Me fat!