Të rinjtë dhe pajtimi

Ne, të rinjtë e Kosovës jemi “një trup mes dy pozitash”. Pse po e them ketë?

0
1063

Ne, të rinjtë e Kosovës jemi “një trup mes dy pozitash”. Pse po e them ketë?

Shteti jonë është një shtet i ri që po zhvillohet dita-ditës, edhe pse shumë ngadalë, por sikurse çdo gjë tjetër, me kohë patjetër do të ketë një rezultat të mirë. Nuk përkrahemi edhe shumë nga institucionet shtetërore, apo rallëherë përkrahemi; ndërsa shkollat në të gjithë Kosovën edhe më pak ndërmarrin aktivitete jashtë kurrikulare për një edukim e formim integral dhe të plotë. Kjo do të ishte njëra prej pozitave ku gjendemi. Tjetra pozitë do të ishin aktivitetet e ndryshme formale dhe joformale që organizohen nga organizata të ndryshme joqeveritare, ku shumë të rinj, përfshirë edhe mua, kemi pasur mundësinë për një edukim më të plotë duke bashkëpunuar me shumë bashkëmoshatar, e madje edhe me komunitete të tjera që jetojnë në Kosovë.
Trajnimi “All together for Reconciliation” (Të gjithë për pajtim), që u mbajt kohë më parë, ka qenë eksperiencë jashtëzakonisht e mirë. Qëllimi i trajnimit mund të them se është transmetuar shumë mirë me mesazhin nëpërmjet ligjëratave të ndryshme, aktiviteteve dhe kohës së lirë që kaluam të gjithë së bashku.

Një ndër aktivitetet e para ka qenë njohja me njëri-tjetrin. Të them të drejtën të rinjtë serb ishin shumë të sjellshëm dhe të hapur për çdo debat dhe aktivitet me ne të gjithë, e po ashtu edhe të rinjtë shqiptarë. Nga pikëvështrimi im, të dyja palët kemi qenë të kënaqur me njëri-tjetrin dhe kemi kaluar momente të mrekullueshme së bashku.

Ligjëratat që i kemi dëgjuar gjatë trajnimit ishin shumë interesante dhe mund të them edhe shumë të dobishme për të gjithë ne, sidomos për mua dhe profesionin tim në të ardhmen. Erita Zeneli na shpjegoi për punën e saj që e bën si Mediatore në Mitrovicë; pastaj kemi pas kënaqësinë ta dëgjojmë Blerim Limanin, zëvendës Dekanin e Universitetit Juridik, që foli mbi “rolin e mediave sociale në pajtim të konflikteve”. Edona Tolaj dhe Teuta Hoxha nga Youth Initiative of Human Rights, na shpjeguan rëndësinë e vullnetarizmit mbi temat e ndijshme që janë të pranishme në Kosovë, mbi drejtësinë tranzicionale dhe rëndësinë se si duhet të ndërrmerren masa praktike për zbutjen e mosmarrëveshjeve dhe respektimin e të drejtave të njeriut pa dallim, e sidomos në vendin tonë, pa dallim etnie dhe religjioni. Afrim Hoti, profesor dhe kryesues i departamentit të Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës, na shpjegoi të drejtat e njeriut dhe të drejtat e minoriteteve, duke krahasuar disa konventa internacionale të të drejtave politike, sociale, kulturore të njeriut deri tek Konventa Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe po ashtu të drejtat e minoriteteve sipas Kushtetutës së vendit tonë, Kosovës. 

Kam qenë me të vërtetë e kënaqur në çdo aspekt. Mbas çdo trajnimi të tillë, shpresat rriten për të ndihmuar vendin tonë edhe më shumë. Duke dëgjuar storiet e secilit pa paragjykime na bënë ta rrisim dashurinë mes njëri-tjetrit e jo duke u lidhur për fakte të urrejtjes dhe të konflikteve nga dy shtete me vendimet e tyre politike shtetërore. Këtë e theksoj edhe Kelsey Keane që punoi për disa muaj si mësimdhënese në jug dhe veri të Mitrovicës.
Gjithashtu, për t’ia vënë “ëmbëlsirës në fund qershinë”, dua të them që organizatorët, Tringa Gashi dhe Fatlum Gashi, ishin të mrekullueshëm me të gjithë ne. Treguan profesionalitet, kujdes, trajtim të njëjtë ndaj të gjithëve dhe ishin të gatshëm të na sqaronin çdo paqartësi. Po ashtu zgjodhën vendin e duhur, në natyrë, pa internet, gjë e cila ishte shumë pozitive, sepse kemi shijuar natyrën dhe sidomos praninë e njëri-tjetrit.