Të vetmuar, por të vendosur të mos heqim dorë

Pikërisht sepse besojmë që diskutimi për përgjegjësinë për krimet e kryera në të kaluarën është e vetmja rrugë e drejtë për normalizimin e marrëdhënieve në relacionin Beograd - Prishtinë, ne do të vazhdojmë të luftojmë. Do të vazhdojmë që temën e trashëgimisë së të kaluarës nga lufta ta shtyejmë në diskurs publik dhe me veprimet tona të rikujtojmë domosdoshmërinë e ballafaqimit me të kaluarën.

0
1180

(Ky artikull është botuar për herë të parë më 07/04/2016)

Pikërisht sepse besojmë që diskutimi për përgjegjësinë për krimet e kryera në të kaluarën është e vetmja rrugë e drejtë për normalizimin e marrëdhënieve në relacionin Beograd – Prishtinë, ne do të vazhdojmë të luftojmë. Do të vazhdojmë që temën e trashëgimisë së të kaluarës nga lufta ta shtyejmë në diskurs publik dhe me veprimet tona të rikujtojmë domosdoshmërinë e ballafaqimit me të kaluarën.

Kur në profilin tim në Facebook paralajmërova që më 26 mars në Beograd do të organizohet shëtitje deri tek Batajnica në shenjë kujtimi për viktimat e pafajshme në masakrën në Suharekë në vitin 1999, njëri nga miqtë nga Kosova e komentoi këtë me “më në fund”. Ai koment në mua ngjalli një ndjenjë pikëllimi e pafuqie.

E pyeta veten se si është e mundur që pas të gjitha atyre që kanë bërë organizatat e shumta në Serbi në inicimin e diskutimit për përgjegjësinë e Beogradit për krimet e kryera gjatë luftës, njerëzit në Kosovë edhe më tutje habiten me veprimet tona. Shoqëria civile solli në Beograd ekspozitën “Historia vizuele” e cila bën fjalë për vuajtjet e familjes Bogujevci në Podujevë, bëri regjistrimin individual të të vrarëve në luftë në kuadër të projektit “Libër kujtese i Kosovës”, organizoi shkëmbimin e disa mijëra të rinjve, ishte mikpritëse për disa dhjetëra artistë nga Kosova, në tribunat e shumta ka folur për viktimat dhe gjykimin e atyre që janë përgjegjës për vrasjet masive dhe dëbimin e popullatës civile. Mirëpo, është e qartë që të gjitha këto përpjekje të paraqitjes së një fytyre tjetër të Serbisë mbeten në hije të politikës zyrtare.

Beogradi zyrtar kurrë nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë viteve 1998 dhe 1999. Ai asnjëherë publikisht nuk flet për përzierjen e ushtrisë dhe policisë në spastrimin etnik të shqiptarëve. Madje edhe kur para Gjykatës së lartë në Beograd dikush dënohet për krimet e kryera në Kosovë, për këtë flitet si për veprime të individëve që nuk kanë pasur kurrfarë lidhjeje me veprimet e forcave zyrtare. Për më tepër, Beogradi në baza ditore bën gara me autoritetet në Prishtinë për atë se kush kë do ta ofendojë më shumë, duke e akuzuar për mungesë bashkëpunimi dhe jokonsistencë.

E di që nuk do të duhej të befasohesha kur dikush në Kosovë nuk është i njohur me përpjekjet e organizatave joqeveritare dhe të disa individëve që të flasin për luftën në një mënyrë tjetër. Thjesht, në vërshimin e lajmeve negative që vijnë nga Beogradi, njoftimet për veprimet sporadike të shoqërisë civile nuk mund ta fitojnë betejën për dukshmëri. Kjo edhe nuk është ndonjë gjë e panjohur, e as karakteristikë ekskluzivisht ballkanike.

Mirëpo, vala tjetër e pikëllimit dhe pafuqisë në lidhje me njoftimin tim në Facebook për shëtitjen deri në Batajnicë pasoi kur miku nga Kosova ma qartësoi që komentin “më në fund” e kishte shkruar duke menduar që veprimin e kanë mbështetur autoritetet e Beogradit. Disi, e unë me të vërtetë nuk e di se si, ai ka menduar që shëtitja deri tek vendi ku në vitin 2001 janë gjetur varrezat masive me më shumë se 700 trupa të shqiptarëve nga Kosova organizohej me mbështetjen e pushtetit. Ajo çka mua rishtazi më pikëlloi ishte në të vërtetë ndjenja që diçka e tillë nuk do të ndodhë së shpejti.

Shëtitjen prej Sheshit të Republikës deri tek Batajnica e organizoi Iniciative e të rinjve për të drejtat e njeriut. Në frymen e mesatares së viteve të njerëzve që tubon kjo organizatë, disa dhjetëra qytetarë e qytetare të Beogradit ecën duke mbajtur pankarta “Tepër të rinj për ta kujtuar, të vendosur që kurrë mos ta harrojmë”. Përveç përkujtimit për 46 anëtarët e familjes Berisha nga Suhareka trupat e të cilëve janë gjetur në varrezën masive në Batajnicë, porosia e veprimit ishte që edhe shteti i Serbisë duhet të ndërpresë rehabilitimin e kriminelëve të luftës dhe relativizimin e krimit.

Vetë shëtitja u mbajt në bashkëpunim me policinë, e cila ishte prezente jo vetëm për të rregulluar trafikun derisa mbahej tubimi në lëvizje, por edhe që organizatorët dhe pjesëmarrësit t’i mbrojë nga ndonjë sulm eventual fizik prej atyre qytetarëve të Beogradit që kanë qenë të revoltuar me këtë veprim. Edhepse në rrjetet sociale ka pasur shumë njerëz që kanë kërcënuar se do të vijnë për të shkatërruar tubimin, për fat të mirë, kjo gjë nuk ndodhi.

Megjithatë, është me rëndësi të dihet që policia është e pranishme në rast se në tubime të tilla paraqiten njerëz që nuk hezitojnë që me dhunë të shprehin pakënaqësinë e tyre. Të rinjtë e mbledhur rreth organizatave djathtiste që ushqejnë ide nacionaliste janë pjesë e pashmangshme e ikonografisë së një numri të madh të veprimeve të organizatave për të drejtat e njeriut. Ata vijnë të indinjuar me idetë që i promovojnë organizatat joqeveritare dhe jo rrallëherë janë të gatshëm të konfrontohen edhe fizikisht. Caku primar i tërbimit të tyre janë organizatorët e tubimeve, por edhe policia, detyra e së cilës është të mbajë rendin në vendin publik, nuk përjashtohet si cak. Në momentet kur ndonjë organizatë promovon në rrugë idetë për bashkëpunim regjional, ballafaqimin me të kaluarën, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, jo rrallëherë vjen deri tek konflikti midis ultra-djathtistëve dhe vetë policisë. Në sytë e tyre policia paraqet shtetin i cili mbështet tubime të tilla me vetë faktin që po i siguron dhe, në fund të fundit, pse nuk i ndalon.

Kështu i njëjti ai shtet që nuk dëshiron të flasë për përgjegjësinë për luftën në Kosovë, siç e kuptojnë organizatat djathtiste, shndërrohet në mbështetës të tubimeve të tilla. Këtu do të mund të mendoja se si kjo në të vërtetë është mirë dhe që edhepse nuk na mbështet zyrtarisht, shteti është prapëseprapë në anën tonë. E pastaj më kujtohet që po ai shtet dhe policia e tij lejojnë dhe sigurojnë tubime edhe të organizatave që propagandojnë urrejtje dhe anëtarët e të cilave janë në burgje pikërisht për shkak se gjatë veprimtarisë së tyre kanë shfrytëzuar dhunën. Kjo më kthen prapë në realitet në të cilin e kuptoj që mbështetja e policisë gjatë organizimit të shëtitjes deri në Batajnicë nuk është asgjë tjetër porse mundësimi i ushtrimit të të drejtave të garantuara me Kushtetutë për lirinë e tubimit. Dhe kështu edhe një herë më kujtohet se në propagandimin e ideve të ballafaqimit me të kaluarën megjithatë jemi të vetmuar.

Por kjo nuk na dekurajon. Pikërisht sepse besojmë që diskutimi për përgjegjësinë për krimet e kryera në të kaluarën është e vetmja rrugë e drejtë për normalizimin e marrëdhënieve në relacionin Beograd – Prishtinë, ne do të vazhdojmë të luftojmë. Do të vazhdojmë që temën e trashëgimisë së të kaluarës së luftës ta shtyejmë në diskurs publik dhe me veprimet tona të rikujtojmë domosdoshmërinë e ballafaqimit me të kaluarën. Do të vazhdojmë të organizojmë shëtitje, të inicojmë debate, të dalim nëpër rrugët e Serbisë. Dhe gjithnjë kështu deri në momentin kur ndonjë pushtet i ardhshëm të jetë në anën tonë.