Trashëgimia kulturore e Kosovës

Trashëgimia kulturore përfaqëson një aset të fuqishëm shtetëror për Kosovën. Ajo paraqet një potencial tejet të madh për vendin. Shfrytëzimi i saj për qëllime edukuese, vetëdijësuese, turistike, ekonomike dhe rekreative, si dhe për njohje e studim, janë vetëm disa prej domosdoshmërive për të cilat institucionet përgjegjëse dhe shoqëria si e tërë duhet të përpiqet.

0
2877

Identitet. Kujtesë. Përkatësi. Kulturë. Këto janë vetëm disa prej atributeve që të vijnë ndër mend kur përmendet termi trashëgimi. Republika e Kosovës, megjithëse shtet i ri, është shumë e pasur me trashëgimi të llojllojshme kulturore e natyrore, të prekshme e të paprekshme. Asetet e saj trashëgimore shprehin kuptime të veçanta mbi veprimtarinë dhe krijimtarinë e njerëzve në kontekste të caktuara kulturore e historike, që nga kohët më hershme deri në ditët e sotme. Ato përfaqësojnë një identitet sa të vjetër, aq dhe unik, të ilustruar me vlera arkeologjike, arkitekturore, sociale, artistike e estetike. Të gjitha këto janë zëdhënëse të një diversiteti të madh trashëgimor e kulturor në shtetin më ri të Evropës.

Ndër asetet e prekshme (materiale) trashëgimore më përfaqësuara janë ato arkeologjike dhe arkitekturore. Prej atyre që shpërfaqin më miri ruajtjen dhe origjinalitetin janë lokalitetet arkeologjike si: Parku Arkeologjik Municipium Ulpiana-Justiniana Secunda, Kalaja e Artanës (Novobërdës), Kalaja e Prizrenit, Kalaja e Harilaqit, lokaliteti i Dersnikut, Municipium DD e shumë tjera. Të gjitha këto pasqyrojnë mbetjet, artefaktet, rrënojat, muret dhe gjurmët e një krijimtarie dhe kulture të popullsive që kanë jetuar në këtë territor përgjatë kohës. Për më tepër, këto gjurmë tashti shërbejnë si copëza të prekshme të historisë, nëpërmjet të cilave gjeneratat e reja njihen me të kaluarën dhe civilizime të dikurshme.

Ulpiana, fjala vjen, është një prej qendrave më mëdha arkeologjike në Kosovë. Çka e bën të veçantë këtë lokalitet, qendër e rëndësishme komunikimi mes Romës dhe Konstandinopojës gjatë periudhës romake, janë strukturat e jashtëzakonshme fizike. Njihet gjithashtu jo vetëm për origjinalitetin dhe autenticitetin, por edhe për shtrirjen gjigante prej dhjetëra hektarësh. Ajo paraqet një pikë kryesore për studime të mëtejme dhe gërmime të vazhdueshme arkeologjike. Thuajse çdo verë, arkeologë huaj, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me arkeologë vendës dhe studentë arkeologjisë, përbaltin çizmet dhe duart në përpjekje për nxjerrjen në sipërfaqe të strukturave të futura nën dhe shekuj më parë. Si atraksion turistik, ajo mbetet ndër më frekuentuarat nga vizitorë vendës dhe të huaj.

Kosova është tejet e pasur edhe me trashëgimi të llojllojshme arkitekturore. Kjo ilustrohet me një tërësi monumentesh, ndërtesash e ngrehinave arkitekturore, të ndërtuara nga dora e njeriut. Gjatë periudhave të ndryshme kohore, të gjitha këto u ndërtuan dhe u shfrytëzuan për gjithfarë funksionesh, bie fjala, për banim, lutje, ngjarje e aktivitete. Asetet që përfaqësojnë këtë lloj trashëgimie gjenden nëpër tërë territorin e Kosovës. Disa prej tyre mund të shfrytëzohen akoma, ndërkaq të tjerat janë rrënoja dhe nuk mund të përdoren. Monumentet më përfaqësuese arkitekturore janë: Ura e Gurit në Prizren, Xhamia e Sinan Pashës në Prizren, Xhamia e Sulltan Mehmetit II Fatihut në Prishtinë, ndërtesa e Muzeut Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, Kisha e Shën Premtes (Levishës), Manastiri i Deçanit, Hamami i Vushtrrisë, Manastiri i Graçanicës e të tjera. Përveç këtyre, trashëgiminë arkitekturore të Kosovës e përbëjnë edhe shtëpitë tradicionale, kullat, mauzoletë, e të ngjashme. Shumë prej tyre ende kanë funksionin parësor për të cilin ishin ndërtuar, por shërbejnë edhe si atraksione turistike. Për më shumë, shërbejnë edhe si referenca të përkryera për njohjen e trashëgimisë nga brezat e rinj dhe për vetëdijësimin për vlerat që ato bartin, si dhe për studime të mëtejme për trashëgiminë arkitekturore të këtij shteti.

Trashëgimia e luajtshme, gjithashtu, përfaqësohet me një llojllojshmëri asetesh të çmuara. Ato përfshijnë objektet që janë gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike nëpër tërë territorin e Kosovës. Ky koleksion pasurohet vazhdimisht me zbulime të reja të artefakteve gjatë gërmimeve në lokalitete të ndryshme në Kosovë, të cilat u përkasin periudhave të ndryshme historike. Prej gjetjeve më të shquara, dallohen: figura antropomorfe (Vlashnje, Prizren), instrumenti muzikor-okarina (Runik, Skënderaj), vazo dekoruese (Hisar, Suharekë), figura antropomorfe “Hyjnesha në fron” (Barilevë, Fafos), Medalioni i Probit (Ulpianë) e shumë tjera. Të gjitha këto objekte të luajtshme dëshmojnë për kulturën, jetën dhe ekonominë e vendit dhe të njerëzve që kanë jetuar këtu përgjatë shekujve. Këto ruhen në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse, dhe përbëjnë një thesar të jashtëzakonshëm trashëgimor. Një koleksion tjetër arkeologjik dhe etnografik i Kosovës, me qindra objekte, gjendet dhe vazhdohet të mbahet në Republikën e Serbisë, çështje kjo që do të duhej të zgjidhej sa më parë, ashtu që ai t’i bashkëngjitet koleksionit të sipërpërmendur.

Trashëgimia e paprekshme (jomateriale) është tjetër togfjalësh kur bëhet fjalë për trashëgiminë. Ato përfshijnë gjitha traditat dhe shprehjet gojore, duke përfshirë gjuhën si drejtues të trashëgimisë paprekshme, pastaj artet performuese, praktikat shoqërore, ritualet dhe ngjarjet festive, dijet dhe praktikat mbi natyrën, si dhe zejet tradicionale. Edhe në këtë pikë, Kosova është shumë e pasur. Ajo përfaqësohet me këngë, valle, ushqime e lojëra tradicionale. Ndër më rëndësishmet dallohen: Eposi i Kreshnikëve, okarina, filigrani, Vallet e Karadakut, ushqimet tradicionale si: flija dhe bukë misri; lojërat si: mundja, tërheqja e litarit, rrëzimi i duarve. Të gjitha këto janë përcjellë gjeneratë pas gjenerate dhe përfaqësojnë një ndjenjë identiteti dhe përkatësie, krijimtarinë e njerëzve dhe diversitetin kulturor. Në ngjarjet kulturore në Kosovë, ato riperformohen dhe mundësojnë, kështu, një “kthim prapa” kohë.

Prej peizazheve kulturore të Kosovës, më rëndësishmet janë: Gryka e Llapushnicës, Xheravica, Kanioni i Mirushës, Shpella e Bresalcit, Ujëvara e Radacit, Verrat e Llukës. Të gjitha këto, dhe të tjera të ngjashme, përfaqësojnë trashëgiminë e vendit, të ndikuar e të formësuar nga ndërhyrja e njeriut. Ato shpërfaqin edhe lidhshmërinë e njeriut me natyrën si dhe ofrojnë mundësi të shumta skenike, rekreative, sociale dhe ekonomike për bashkësi njerëzish.

Ky fond jashtëzakonisht i pasur dhe i llojllojshëm i trashëgimisë kulturore të Kosovës pasqyron një identitet të vjetër dhe unik të popullit shqiptar në Kosovë, por edhe të komuniteteve pakicë jetojnë vend. Si e tillë, trashëgimia kulturore përfaqëson një aset të fuqishëm shtetëror për Kosovën. Ajo paraqet një potencial tejet të madh për vendin. Shfrytëzimi i saj për qëllime edukuese, vetëdijësuese, turistike, ekonomike dhe rekreative, si dhe për njohje e studim, janë vetëm disa prej domosdoshmërive për të cilat institucionet përgjegjëse dhe shoqëria si e tërë duhet të përpiqet. Për më tepër, menaxhimi i kësaj trashëgimie bart më vete edhe sfida, vështirësi dhe problematika të ndryshme. Ndër to, mund të përmenden: menaxhimi i qëndrueshëm, gjithëpërfshirja, qasja e barabartë, mirëmbajtja, ruajtja e origjinalitetit dhe autenticitetit të aseteve trashëgimore, ekonomizimi i vlerave, prezentimi dhe promovimi, vetëdijësimi për rëndësinë e trashëgimisë, dhe njohja nga gjeneratat e reja.