Trena e lojëra

Derisa po ballafaqohemi me probleme shumë më të mëdha, politikanët tanë dërgojnë trena. Në vend që të na e lehtësojnë situatën, vetëm sa po na e bëjnë atë më të rëndë. A nuk do të ishte mirë ta kishim marrë një tren normal, të zakonshëm, që qarkullon në këtë vijë, që është më i lirë se sa autobusi dhe kështu ndihmon popullatën lokale? Por jo, ky tren “nuk është i zakonshëm”.

2
2626

Pritja e vitit të ri ortodoks ka qenë gjithmonë një arsye e madhe për festë në hapësirat e Serbisë. Të këtillë jemi ne, popull i hareshëm, popull që i ka në qejf festimet dhe ahengjet. Kaq na mjafton. Për këtë 14 janar autoritetet serbe po paralajmërojnë një arsye shtesë për këtë festë. Në fakt, sot na pret, pas 18 vitesh ndërprerjeje, lidhja e sërishme e hekurudhës në relacionin Beograd-Mitrovicë e Kosovës. Nuk do të jetë ky “tren i rëndomtë”, nuk do të ndalet “te  çdo urë”, thonë.


Thënë sinqerisht, në shikim të parë nuk dukej asgjë e keqe. Qarkullon edhe treni në relacionin Kraljevë-Zveçan, e edhe linjat e autobusit deri në Beograd janë shumë të shpeshta dhe në baza ditore. Nëse marrim parasysh që trenat janë më të lirë, një ndërmarrje e tillë nuk do të ishte e keqe. Përveç asaj që ndoshta do të ishte për disa orë më i ngadalshëm, por bile do të kurseheshin të holla. E pastaj më në fund e pritëm ta shohim atë tren rus aq gjatë të paralajmëruar i cili sot do të na bashkojë me Beogradin. Dhe e pamë. Dhe jo, nuk u ngazëllyem. Dhe jo, nuk jemi krenar. Kam përshtypjen që nga disa gjëra të shenjta po bëjmë komedi. Apo qëllimisht po e përqeshim veten. Rrëqethëse. Nga ajo që patëm mundësi të shohim dhe si e transmetuan mediat, brendësia e trenit ishte e mbushur me ikona ortodokse. Kudo dhe në të gjitha anët. Pyetja e parë – kush ishte aq gjenial dhe vendosi që në një mjet transporti, i cili siç thanë i bashkon dy qytete në Serbi, të vendosen ikona? Dhe atë jo një por shumë sosh. Që gjërat të jenë edhe më keq, pjesa e jashtme e trenit – as ajo nuk ishte “e zakonshme”. Në të vërtetë, pjesa e jashtme është e tëra e mbuluar me flamuj të Serbisë dhe mbishkrime “Kosova është Serbi”. Dhe aq sa mund të shihej nga  fotografitë, mbishkrimet ishin në gjuhë të ndryshme. Madje për një pjesë në të ende shpresoj që është në ndonjë gjuhë tjetër e jo me gabime gramatikore në përpjekjen për të imponuar që Kosova është serPe (Kosovo je srBsko). Të gjithë e kemi të qartë, larg është kjo nga bashkimi i dy qyteteve. Larg është kjo nga ofrimi i një shërbimi banorëve dhe ndihmesës sa i përket transportit. Ky quhet provokim. Një provokim i paketuar në mënyrë të tmerrshme. 

Po thoni “Kosova është Serbi” Si u bë pra që Kryetari i Serbisë nuk arriti të vijë në territorin “tonë” për të festuar Krishtilindjet? Si u bë ashtu që kishte nevojë për leje? Dhe si është e mundur që librat në gjuhën serbe nuk mund të hyjnë në hapësirën e Kosovës? Dhe në fund, si u bë që barnatoret në mjediset me banorë të komunitetit serb janë të zbrazëta? A është përgjigjja “Kosova është Serbi”? Nuk do të thosha. Derisa ne e presim vitin e ri ortodoks me ikona nëpër trena dhe mbishkrime patriotike, nga Prishtina vjen përgjigjja se ky veprim është i paligjshëm. Dhe derisa ne në gjuhë të ndryshme shkruajmë për Kosovën serbe, ja ku e kemi edhe një konflikt. Sepse natyrisht që mund të pritet një reaksion në këtë. Frigohem që ai reagim nuk do të jetë i mirë e i këndshëm. Dhe natyrisht, do të reflektohet në njerëzit e zakonshëm. Ashtu si edhe deri më tani. 

Derisa po ballafaqohemi me probleme shumë më të mëdha, politikanët tanë dërgojnë trena. Në vend që të na e lehtësojnë situatën, vetëm sa po na e bëjnë atë më të rëndë. A nuk do të ishte mirë ta kishim marrë një tren normal, të zakonshëm, që qarkullon në këtë vijë, që është më i lirë se sa autobusi  dhe kështu ndihmon popullatën lokale? Por jo, ky tren “nuk është i zakonshëm”. Nuk mundemi ne të bëjmë diçka në mënyrë të zakonshme as normale. Në vend se të merremi me probleme serioze, ne merremi me banalitete. Bukë e lojëra, siç thonë. Apo tani mund të themi pa problem, trena e lojëra.