Tri parime fundamentale për çështjen e dialogut

Dialogu i deritanishëm mes Kosovës dhe Serbisë është dëshmuar si një proces të cilit i ka munguar jo vetëm substanca por, njëkohësisht, edhe koherenca dhe baza mbi të cilën ky proces do të duhet drejtuar.

0
192

Në mënyrë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ketë shkallë më të lartë të efektshmërisë, në kuptimin që të ketë arritje më konkrete, është e nevojshme që të drejtohet nga parime udhërrëfyese të qarta. Më saktë, është e rëndësishme që të dy shtetet të jenë veçanërisht të kujdeshme sa i përket tri pikave kyçe: dialogu zhvillohet mes dy shteteve që kanë sovranitet të padiskutueshëm, të dy shtetet duhet të kenë një perspektivë evropiane dhe, po ashtu, të dy shtetet duhet të kenë parasysh nevojën e tyre për të qenë konstruktivë në sensin që veprimet e tyre duhet të tregojnë vullnet për shtyrje të procesit përpara e jo të bëhen shkak për ngecje.

Parimi i parë dhe ndoshta më problematik sa i përket çështjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është çështja e sovranitetit të dy shteteve. Më saktë, temë në dialogun mes Kosovës dhe Serbia duhet të jetë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë dhe jo vënia në pikëpyetje e shtetësisë së Kosovës. Çdo përpjekje për të mos konsideruar dialogun si proces që ndodhë mes dy palëve të barabarta (një shteti dhe një shteti me një sovranitet të supozuar si të pjesshëm) shndërrohet në parakusht direkt prër bllokim të procesit përderisa do të hasë në një rezistencë të drejtë nga ana e shtetit të Kosovës që tashmë posedon mjaftueshëm argumente mbi shtetësinë e që, mbi të gjitha, kjo duhet t’i takojë të kaluarës. Edhe problemet konceptuale si sugjerimi i Ivica Dačić-it për të ndryshuar emrin e Republikës së Kosovës përbën një tentim për shkelje të sovranitetit mjaftueshëm të konsoliduar të Republikës së Kosovës dhe që në këtë mënyrë përbën një përpjekje të qartë për të kthyer procesin mbrapa duke dëmtuar bazën e bisedimeve: supozimin që çështjet kryesore si emri i republikës dhe sovraniteti janë çështje të përfunduara.

Parimi tjetër i pamohueshëm i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është edhe orientimi i tyre evropian. Pra, duhet bërë e qartë që të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, duhet të kenë të qartë që dialogu, përtej arritjes së marrëveshjes që kulmon me njohjen reciproke të dy shteteve, duhet të kuptohet në aspektin utilitar – dialogu duhet t’i shërbejë orientimit evropian të dy shteteve. Në fakt, duke parë progresin e ngadaltë drejt integrimit të dy shteteve në Bashkimin Evropian është evidente që sjellja e Kosovës dhe Serbisë, që ka qenë e fokusuar pothuajse eksluzivisht në mbrojtjen e interesave të ngushta shtetërore, ka bërë që të ndikojë direkt në rrugën e të dy shteteve drejt Bashkimit Evropian. Për më tepër, vetë integrimi në strukturat e BE-së është shndërruar më shumë në retorikë dhe nuk ekziston një nxitje konkrete nga ana e këtij institucioni për të vendosur kritere të qartë që do të reflektonin pikën në të cilën gjenden Kosova dhe Serbia në rrugën e tyre të integrimit.

Parimi i tretë thelbësor që duhet të udhëheqë çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është edhe ideja e konstruktivitetit. Më konkretisht, sjelljet e Kosovës dhe Serbisë duhet t’i kontribuojnë arritjes së rezultateve në proces. Të dy shtetet duhet të jenë të vetëdijshme për gabimet e tyre në qasje. Shteti i Serbisë duhet të ketë parasysh mungesën e zbatimit të marrëveshjeve dhe lobimin e vazhdueshëm kundër Kosovës e tani edhe ndërhyrjet në vetë emërtimin e këtij shteti. Në anën tjetër, edhe shteti i Kosovës duhet të ketë një qasje mjaftueshëm fleksibile që do të marrë parasysh idenë që kompromise eventuale dhe jo të pëlqyeshme mund të jenë epilog i këtij procesi. Qasja kryesisht jokonstruktive e shteteve vazhdon dhe është e përqendruar në ruajtjen e narrativës mbi drejtësinë e kërkesave të secilit shtet, por që deri në këtë pikë është dëshmuar të jetë  joproduktive. 

Dialogu i deritanishëm midi Kosovës dhe Serbisë është dëshmuar si një proces të cilit i ka munguar jo vetëm substanca por, njëkohësisht, edhe koherenca dhe baza mbi të cilën ky proces do të duhet drejtuar. Mund të hipotezohet që barazia e shtetësisë, perspektiva evropiane dhe konstruktiviteti si mekanizëm për veprim mund dhe duhen të shërbejnë si bazë për veprimin e të dy shteteve. Të tri këto elemente deri më tani kanë qenë mungesa të rëndësishme në dialog dhe rrjedhimisht edhe arsye për ngecje të procesit.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.