Turbullirat politike të veriut të Kosovës

E konsideroj veten idealiste dhe e di që kjo e shkatërron aftësinë e racionalitetit, por si është e mundur që njerëzit të cilët merren me politikë assesi nuk mendojnë për popullin por ekskluzivisht vetëm për veten? Ku na u zhduk ai ideali i të mirës së përgjithshme? Dhe nëse tashmë është zhdukur, kur dhe ku ndodhi kjo?

0
1048

Leposaviqi – komuna më veriore e Kosovës. Rrallëherë ndodh që ky vend i vogël të gdhijë si  një nga lajmet kryesore në Serbi. E kur ndodh kjo, lajmet zakonisht nuk janë të mira, e dijnë nganjëherë të jenë edhe të turpshme. Herën e fundit kur ka ndodhur kjo bëhej fjalë për zgjedhjet e vjedhura që u mbajtën sipas sistemit zgjedhor të Serbisë. Muajin e kaluar Leposaviqi u bë përsëri një nga temat që u përmend shpesh nëpër mediat serbe. Kësaj here ishte në pyetje ko-habitimi në nivel të kësaj komune. Në fakt, kryetari i komunës dhe kryetari i kuvendit janë përfaqësuesë të partive të ndryshme politike. Tema kryesore e debatit është ndërtimi i ambulancës në Soçanicë, një qytezë në kuadër të Leposaviqit. Dragan Jablanović, kryetari i tanishëm, është akuzuar nga ana e kryetarit të kuvendit sipas sistemit të Kosovës, Zoran Todić, për autokraci dhe ndërtim të paligjshëm. Ajo çka pasoi ndikoi në tërë territorin e Kosovës. Në të vërtetë, disa ditë pas kësaj u ndërrua Ministri i Administrimit të pushtetit lokal i Kosovës Lubomir Marić e në vendin e tij erdhi Mirjana Jevtić. Derisa grindje dhe provokime vinin nga të gjitha anët, nga Lista Serbe dëgjuam vetëm fjalë mospranimi derisa për dallim nga kjo, Qeveria e Kosovës pohonte që vendimi megjithatë u mor në pajtim me Listën Serbe. Veç kësaj, Lëvizja e Socialistëve (PS) dhe Partia Përparimtare Serbe (SNS) vendosën të ndërpresin bashkëpunimin në Kosovë. Në tërësi, mund të konkludohet: gjendje e një kaosi të përgjithshëm.


Ajo deri te e cila sollën të gjtha këto zënka, midis politikanëve që deri para pak shkonin mirë dhe ishin të bashkuar, ishte ndarja e popullatës serbe. Kjo mund të dëgjohet gjatë bisedave, mund të shihet në rrjetet sociale. Kudo. E mund të thuhet që kjo nuk është asgjë tjetër pos edhe një fushatë politike e radhës. Edhe një vrapim pas votave. Edhe një dramë e politikës serbe. Jemi të vetëdijshëm që këtë vit në Serbi na presin zgjedhje presidenciale e siç po flitet nuk përjashtohen edhe zgjedhjet e reja parlamentare.  Ajo që është e paqartë është se si duan të marrin pjesë në këtë politikanët serbë që merren me politikë në Kosovë? Në një mënyrë ata gjithsesi dëshirojnë të bëhen pjesë edhe e kësaj gare zgjedhore. 

Jemi popull i çuditshëm, shpesh mendoj këtë.. E konsideroj veten si idealiste dhe e di që kjo e shkatërron aftësinë e racionalitetit, por si është e mundur që njerëzit që merren me politikë assesi nuk mendojnë për popullin por ekskluzivisht vetëm për vete? Ku na u zhduk ai ideali i të mirës së përgjithshme? Dhe nëse tashmë është zhdukur, kur dhe ku ndodhi kjo? Jemi një popull i çuditshëm sepse duket që punojmë sipas parimit „e tani nuk dua as ashtu siç dëshiroj unë“. Pse? Të palogjikshme më duken akuzimet e ndërsjella për tradhtimin e Serbisë në Kosovë e të gjithë ata, edhe të akuzuarit dhe akuzuesit, punojnë sipas sistemit të Kosovës. Të nënvizoj, nuk po anoj kah asnjëra anë, unë vetëm po kërkoj një lloj racionaliteti në tërë këtë.  Do të thosha se në këtë rast nuk ka. E dyta, ishte jashtëzakonisht e vështirë që politikanët serbë kaherë të ndarë të futen „në të njëjtin kosh“ e pse pra tani të copëtojmë edhe atë pak pajtueshmëri që ekziston? Nuk kam shpjegim. Të paktën jo shpjegim logjik dhe racional. Serbëve në Kosovë nuk u duhet askush që do t’i mbrojë interesat e huaja, sidomos jo ato partiake, porse dikush që do të qëndrojë pas interesave të tyre, interesave të njerëzve të zakonshëm. Pyetja është se çka do të bëjnë ata njerëz në momentin kur do të mbeten pa punë, pa paga nga Serbia. Kjo është çështje e ekzistencës. Çka do të bëjnë atëherë? A do të na ndahen edhe atëherë politikanët sipas përkatësisë partiake? Nëse vazhdojnë në këtë mënyrë, sigurisht që po.

Në fund, çka na mbetet këto ditë? Asgjë, pos që të presim që prej dikah përsëri të vijë ajo harmoni e politikanëve serbë. Prej dikah, apo ndoshta nga kryeministri serb? Por përsëri, nëse duam që të jetojmë një jetë normale dhe të funksionojmë këtu ku jemi, nuk na duhen ndasi, nuk na duhen gjithfarë turbullirash politike, na duhet unitet. Jo për shkak të politikës, jo për shkak të Serbisë, jo për shkak të Kosovës, por për vetë ne. Për shkak të serbëve që kanë mbetur këtu dhe dëshirojnë të jetojnë në Kosovë. Por nëse polemikat politike ua rrezikojnë ekistencën, siç kanë bërë shumë herë më parë, nuk jam e sigurtë se do të përfundojë mirë. Nuk jam e sigurt që edhe kështu të ndarë nuk do të ndahemi edhe më shumë.