Unë, Migranti

Gjatë disa javëve të kaluara jemi dëshmitarë të një fluksi të madh të migrantëve nga Lindja e Afërt, Afganistani, Iraku, Pakistani, por edhe nga Bangladeshi i largët. Natyrisht të gjithë ata kalojnë aty, pranë nesh, sepse nuk ka rrugë tjetër. Rrugën të cilën e kanë zgjedhur ata është rrugë që vetëm njeriu i dëshpëruar mund të zgjedhë dhe këtë duhet patjetër ta kuptojmë – e kush mund ta bëjë këtë më mirë se ne? ASKUSH. Nëse për diçka jemi unik, atëherë ky është migracioni, aty nuk ka nacionalitete, aty jemi të gjithë një, aty nuk ka shqiptarë, serbë, maqedonë apo goranë, aty të gjithë i ngjajmë njëri-tjetrit.

0
1160

Gjatë disa javëve të kaluara jemi dëshmitarë të një fluksi të madh të migrantëve nga Lindja e Afërt, Afganistani, Iraku, Pakistani, por edhe nga Bangladeshi i largët. Natyrisht të gjithë ata kalojnë aty, pranë nesh, sepse nuk ka rrugë tjetër. Rrugën të cilën e kanë zgjedhur ata është rrugë që vetëm njeriu i dëshpëruar mund të zgjedhë dhe këtë duhet patjetër ta kuptojmë – e kush mund ta bëjë këtë më mirë se ne? ASKUSH. Nëse për diçka jemi unik, atëherë ky është migracioni, aty nuk ka nacionalitete, aty jemi të gjithë një, aty nuk ka shqiptarë, serbë, maqedonë apo goranë, aty të gjithë i ngjajmë njëri-tjetrit.

Edhe sot kur i shikoj të gjithë këta njerëz të përvuajtur që me turr nxitojnë kah evropa duke shpresuar se atje do të gjejnë paqe sepse kjo është e vetmja gjë pë të cilën kanë nevojë, e kuptoj që atje prej nga vijnë ata nuk ka mbetur asgjë për çka do t’ia vlente të jetonin dhe qëndronin. Në këtë rrugë ata i ka detyruar lufta, shkatërrimet dhe të gjitha ato që pashmangshëm shkojnë me këto siç janë varfëria, krimi, frika, etj. Ata me vetëdëshirë janë nisur kah e panjohura dhe plotësisht të vetëdijshëm për këtë ata kalojnë në këmbë pa pushim me dhjetëra kilometra; kjo vetëm tregon sa e madhe është kjo dëshirë e tyre që të arrijnë para së gjithash sigurinë e pastaj të gjitha të tjerat. Të njëjtin hap vendosën ta ndërmarrin në fillim të vitit edhe shqiptarë të Kosovës të cilët u përpoqën të gjenin shpëtim në vendet e evropës perëndimore. Disa ia dolën ta bëjnë këtë e disa për fat të keq jo. Jam i gatshëm të besoj se e njëjta gjë do të ndodh edhe me refugjatët nga vendet e përmendura më lartë të kapluara nga zhvillime të luftës.

Megjithkëtë, ashtu siç më mëson profesioni që për të gjitha të jem skeptik dhe t’i marrë gjërat me rezervë, që të gjitha t’i verifikoj dhe shpjegoj, më duhet t’i hyj një analize të shkurtër të kësaj që u theksua më lartë me shpresën se bile pak do të kem sukses në këtë.

Vendet e Lindjes së Afërt të kapluara nga lufta, si dhe vendet e Afrikës veriore, disa vite më parë kanë qenë shtete me rregullim dhe zhvillim relativ stabil e disa nga aspekti ekonomik kanë qenë më përpara se të tjerat si Libia dhe Tunizia. Natyrisht të gjitha këto falë pasurive të tyre natyrore dhe udhëheqjes stabile shtetërore. Duhet të themi menjëherë këtu që nocioni stabil sa i përket këtyre shteteve duhet të merret me rezervë, por megjithatë ai stabilitet ka prodhuar rezultate në terren. Mirëpo, me nxitjen e ndryshimeve politike nga disa vende perëndimore, natyrisht jo të gjitha, popujt e shteteve të përmendura ranë në një lloj kurthi të vetëshkatërrimit dhe dezintegrimit të shoqërisë nga ana e faktorit të brendshëm. Pikërisht këta njerëz gjenden tani nëpër rrugët tona dhe, deshëm apo s’deshëm, ata janë aty dhe në mënyrë dëshpëruese përpiqen që të arrijnë atë që nuk kanë mundur të sendërtojnë në vendin e tyre.

Të gjitha konventat evropiane janë shkelur dhe kjo është evidente; migrantët i dëshirojnë të gjithë në letër por jo edhe në vendin e tyre. hungaria dhe kroacia janë shembuj klasik për të gjithë këtë. Me mbylljen e kufijve ata i penguan migrantët që përmes territorit të tyre të arrijnë në Gjermani, e cila është destinacion për një shumicë absolute të tyre. Por, me të njëjtin veprim ata i dërguan një porosi unike të gjithë atyre që dëshirojnë që në një periudhë të ardhshme të provojnë fatin për të marrë azil në ndonjërin nga vendet e zhvilluara evropiane.
Nuk do të doja që të kuptohem gabimisht, por shembulli i Serbisë në këtë moment është për çdo lëvdatë; shqetësimi i pandërprerë për refugjatët, kujdesi shëndetësor dhe thjesht raporti njerëzor dhe human janë shembull i vërtetë se si duhet kujdesur për njeriun në fatkeqësi. Një nga shembujt është edhe polici Rexhep Arifi, fotografia e të cilit për një çast e përshkoi tërë botën. Kjo është diçka që të gjithë e lavdërojnë por nuk janë të gatshëm ta bëjnë.

Sigurisht pyesni se çfarë lidhje ka krejt kjo me ne që jetojmë në Kosovë! Disa do të thoshin se nuk ka kurrfarë lidhje. Unë mendoj se këtë ndërlidhje ne e kemi parë qëmoti dhe dinjiteti njerëzor nuk na lejon të heshtim qofshim shqiptar, serb apo kushdo qoftë. Kush hesht tani, le të hesht përjetë. E megjithëkëtë jemi të vetëdijshëm që po ajo evropë edhe në hapësirën tonë po përpiqet që të vendosë një demokraci të llojit të vet, të cilën, siç edhe po e shohim, nuk e kanë vendosur as në shtetet e tyre. Sinqerisht shpresoj që migracionet nuk do të kenë më vend në Ballkan. Ka ardhur koha që të qëndrojmë këtu dhe që vetë, me njëri-tjetrin të ndërtojmë ardhmërinë ashtu siç dimë dhe mundemi sepse e kemi parë që nuk ekziston ardhmëri për neve në Evropë, bile jo në atë kuptimin e prekshëm të kësaj fjale. Cilido qytetar i Kosovës, qoftë ai shqiptar, apo serb apo kushdo tjetër, nëse rastësisht do të vendoste të marrë këtë rrugë dhe të niset kah evropa, do të ishte vetëm MIGRANT, do të ishte vetëm numër dhe asgjë tjetër, kurse në shumicën e vendeve do të ishte pengesë administrative dhe bezdi. Migrimi nuk njeh besim, komb, gjini apo moshë. Është një nevojë në një moment të caktuar. Dhe siç thoshte atëbotë në poezinë e tij Aleksa Šantić,

Rrini këtu, dielli i qiellit të huaj 
 Nuk do t’ju ngrohë siç ju ngroh ky 
 Të hidhura janë atje kafshatat e bukës 
 Ku nuk ke tëndin dhe vëlla nuk ka…

Kosova është për të gjithë ne e vetmja që e kemi, për disa e shenjtë, për disa jo, për disa e vjetër, por për ne të gjithë ajo është e bukur dhe e vetmja që kemi. Ardhmëria jonë është këtu, çfarëdo që të jetë ne duhet të kuptojmë këtë.

P.S. Sigurisht e keni vërejtur që fjalët evropa, hungaria dhe kroacia i kam shkruar me shkronjë të voglë. Po, ashtu kam bërë, dhe nuk është gabim gramatikor. Kjo është mënyra ime e protestës sepse vendet dhe krijesat politike të përmendura me veprimet e tyre të fundit, sipas mendimit tim personal, e kanë humbur të drejtën që të shkruhen me shkronjë të madhe.