Vendime antikushtetuese për ndryshimin e Kushtetutës 

Edhe pse deri më tani kjo pjesë e Kushtetutës është shkelur shumë herë, edhe pse serbët e Kosovës në Serbi trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, pyetja është se si dikush organizon referendum për ndryshime kushtetuese, duke shkelur njëkohësisht po atë Kushtetutë të njëjtë?

0
277

Më 16 janar 2022, Serbia mbajti referendumin e saj të parë që nga miratimi i Kushtetutës aktuale të vitit 2006. Kësaj here, qytetarët e Serbisë votuan për ndryshime të gjyqësorit. Por kësaj radhe jo të gjithë qytetarët serbë patën të njëjtin shans për të votuar në referendum.

Edhe pse pritej që çështja e votimit të serbëve nga Kosova të ishte e diskutueshme, askush nuk priste që skenari të ishte i tillë që serbët nga Kosova të mos mund të votonin në vendet e tyre por në qytetet kufitare të Serbisë, më saktësisht në Novi Pazar, Rashkë, Kurshumli dhe Vranjë. 

Derisa fillimisht Serbia premtoi se serbët do të votonin si zakonisht, në vendet e tyre, nën mbikëqyrjen dhe organizimin e OSBE-së, gjithashtu i njëjti skenar u mohua nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Së fundi, pak para vetë referendumit, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kërkuan që serbëve të Kosovës t’u mundësohet plotësimi i të drejtës së tyre civile, sepse fundja, serbët e Kosovës janë në të njëjtën kohë edhe qytetarë të Kosovës dhe Serbisë, çka do të thotë se posedojnë të dy letërnjoftimet. Përderisa kryeministri i Kosovës e refuzoi këtë, përfaqësuesit e Serbisë vendosën që qytetarët e Serbisë nga Kosova të votojnë diku tjetër dhe i zhvendosën vendvotimet nga Kosova në qytetet kufitare në Serbi.

Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e Listës Serbe organizuan një shfaqje votimi në Mitrovicë dhe premtuan reciprocitet, kuptimi i të cilit është i paqartë, ndaj institucioneve të Kosovës.  Gjithçka duket sikur askush nuk është marrë seriozisht me votimin e serbëve nga Kosova dhe përmbushjen e detyrës së tyre qytetare.

Përveç kësaj, duket se kjo çështje nuk ka shkaktuar ndonjë rrëmujë për Serbinë, sidomos në vazhdën e problemit të Novak Djoković-it në Australi dhe nevojës që ky referendum të kalojë me “PO”. Duket se Serbia në këtë moment ka pasur probleme shumë më të mëdha se sa votat e serbëve të Kosovës. Por për serbët e Kosovës mbetet pyetja se çfarë do të thotë për ta ky përjashtim i parë nga votimi sipas sistemit serb.

Para së gjithash, ia vlen të pyesim se çfarë po ndodh me Kushtetutën e Serbisë, të cilës të gjithë i referohemi aq shumë? Po si është puna me pjesën që ka të bëjë me Kosovën? Edhe pse deri më tani kjo pjesë e Kushtetutës është shkelur shumë herë, edhe pse serbët e Kosovës në Serbi trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, pyetja është se si dikush organizon referendum për ndryshime kushtetuese, duke shkelur njëkohësisht po atë Kushtetutë të njëjtë? Si mund të pretendojë dikush se një territor i caktuar është pjesë e një shteti e që në të njëjtën kohë nuk e ka aftësinë për të realizuar votimin në po atë territor të njëjtë? Qartazi, Serbisë kjo padyshim po i shkon për dore.

Në vend që t’ua mundësojë qytetarëve të vet të votojnë dhe të përmbushin të drejtën e tyre civile, dikush megjithatë vendosi se ishte një alternativë më e mirë të udhëtonin qoftë edhe dy orë për të votuar në një referendum, kuptimi i të cilit në fund të ditës nuk i është shpjeguar askujt plotësisht. Edhe një herë, serbëve të Kosovës iu dha një minimum dhe u përdorën për qëllime propagandistike dhe shfaqjeje.

Në fund të ditës, siç pyesin disa analistë, çfarë do të thotë në të vërtetë ky vendim i Serbisë për serbët nga Kosova? A ishte ky shansi i fundit për serbët që të votojnë sipas sistemit serb, edhe pse janë shtetas edhe të Serbisë edhe të Kosovës? Gjithçka është e mundur, nëse e pyesni qeverinë aktuale në Serbi, shumë realisht.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.