Vendimet paszgjedhore

Vetëm dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe fitores së madhe të Listës Serbe me rezultat 10 : 0, gjyqtarët nga veriu i Kosovës dhanë betimin para presidentit të Kosovës. Në momentin kur e kemi ditur që do të ndodhë kjo sepse është dakorduar në nivel më të lartë politik, shtrohet pyetja pse nuk ndodhi me datën 17 tetor, ashtu siç edhe ishte dakorduar?

0
880

Më njëzet e dy tetor u mbajtën zgjedhjet lokale në Kosovë. Pas fushatës, ndikimit në media, ndërprerjes së kabllove të stacioneve lokale televizive, thirrjeve të Beogradit që serbët të bashkohen rreth Listës Serbe, mund të themi që rezultet ishin… të pritura. Lista Serbe mori shumicën në të gjitha komunat serbe. Nuk e kam ndërmend të merrem me atë se çka ndikoi në këto rezultate dhe nëse qytetarët në të vërtetë i besojnë aq shumë listës së krijuar nga ana e Qeverisë së Serbisë, por do të merrem me atë çka pasoi menjëherë pas zgjedhjeve. 

Para së gjithash, duhet të përmendim festimin në Mitrovicë. Tashmë është bërë shprehi që pas zgjedhjeve përfaqësuesit e Listës Serbe të festojnë me Marko Đurić-in edhe një fitore serbe. Natyrisht, festuan edhe këtë herë! Derisa festa në Mitrovicë merrte hov, ishte thirrë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić. Në fakt, përmes thirrjes telefonike të dërguar nga ana e Marko Đurić-it, kryetari i Serbisë iu drejtua serbëve në Kosovë. Edhe një herë dëgjuam se si kjo fitore është e rëndësishme për mbijetesën e serbëve dhe rrëfime të tjera me të cilat edhe jemi ngopur së dëgjuari gjatë të gjitha fushatave zgjedhore që i kemi lënë pas. Por natyrisht ky nuk ishte fundi; pas fjalimit telefonik të presidentit të Serbisë, Marko Đurić nisi brohoritjet për Aleksandar Vučić-in. „Aco, Srbine“ brohorisnin të tubuarit rreth Marko Đurić-it, duke festuar edhe një fitore serbe. Kësaj here fitoren prej 10 : 0 siç e prezantoi Lista Serbe. Pyetja e parë është si mundet që Lista Serbe të fitojë 10 : 0 nëse këto zgjedhje u organizuan sipas sistemit zgjedhor të Kosovës? Por kush po e pyet ende pushtetin lokal, me rëndësi është që kanë fituar. Ky rezultat nuk është asgjë tjetër veçse pasqyrim i atij rezultatit famoz 5 : 0 nga Brukseli. Edhe një zmadhim i madh i një kuazi fitoreje, me të cilën Serbia, siç po thonë, do të sigurojë mbijetesën e saj në Kosovë. Përveç rezultateve joreale, që u fituan me gjithçka tjetër vetëm jo me luftë të drejtë, duhet të theksohet edhe një ndjenjë që u krijua gjatë asaj mbrëmjeje paszgjedhore. Përsëri ata festuan, e ne vështronim. Përsëri jemi të vetëdijshëm që kjo do të sjellë gjithçka tjetër vetëm jo diçka të mirë në të ardhmen. Sepse nuk është hera e parë që po e shohim një situatë të tillë, nuk është kjo festa e parë, nuk janë këto pritjet e para që nuk janë plotësuar. Por kush na pyet neve, e dëgjuam kyçjen e presidentit, e dëgjuam „Aco, Srbine“, kujt i duhet më shumë?!

Pas festimit, na priti edhe vendimi i parë paszgjedhor. Në fakt, gjyqtarët serbë e dhanë betimin para presidentit të Kosovë, Hashim Thaçit. Natyrisht, kjo nuk është diçka për të cilën janë dakorduar politikanët lokalë, por diçka ka lidhje edhe me ta, gjithsesi. Integrimi i gjyqësorit të veriut të Kosovës u dakordua gjatë procesit të negociatave në Bruksel dhe u paralajmërua për 17 tetor, por atë ditë nuk ndodhi. Pikërisht këtu është, do të thosha, lidhja me autoritetet lokale dhe zgjedhjet që pasuan atë javë. Vetëm dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe fitores së madhe të Listës Serbe me 10 : 0, gjyqtarët nga veriu i Kosovës u betuan para presidentit të Kosovës. Në momentin kur e kemi ditur që do të ndodhë kjo sepse është dakorduar në nivel më të lartë politik, shtrohet pyetja pse nuk ndodhi me datën 17, ashtu siç edhe ishte dakorduar? Përgjigjja është se sigurisht ka pasur shanse që integrimi të çonte në më pak mbështetje për Listën Serbe. Sepse kur shihni fytyrat e njohura midis gjyqtarëve të ulur para Thaçit, me siguri do të shtroheshin pyetje si ka ndodhur kjo dhe kush duhet të fajësohet për këtë. Edhepse edhe këtu shtrohet pyetja a do të ishte i tillë reagimi i serbëve? Jemi mësuar kaherë që gjërat të shkojnë me rrjedhën të cilën nuk e kemi zgjedhur ne, prandaj sipas të gjitha gjasave kjështu do të ndodhte edhe këtë herë. Por gjithsesi mund të themi se vendimi që betimi të bëhet pas zgjedhjeve është padyshim politik nga frika që të mos ndikojë në vendimin e qytetarëve.

Në fund, nuk na mbetet asgjë tjetër pos të presim për të parë çfarë vendime tjera do të na presin. Na mbetet për të parë se si një tjetër fitore, kësaj here 10 : 0, nuk do të thotë absolutisht asgjë, sepse, fatkeqësisht, edhe pasi patëm rastin për të ndryshuar diçka, e lëshuam atë. 

Rasti i ardhshëm do të vijë pas disa vitesh, e deri atëherë është vetëm pyetje se sa kjo 10 me zero do të hyjë në minus dhe a do të kemi mundësinë të ndryshojmë çfarëdo qoftë. Na mbetet t’i dëgjojmë politikanët, të brohorasim “Aco, Srbine” dhe të shikojmë se si për të satën herë po e festojnë kuazi fitoren e Serbisë dhe të popullit serb.