I mbërthyer në veri të Kosovës, si shumë të tjerë, filloj të pyes veten nëse ka kuptim të jetosh këtu? Jeta po kalon, e ne nuk shkojmë as edhe një hap përpara, për më tepër duket sikur jemi një hap larg nga lufta. Të frustruar, kalojmë kohë në kampe të llojit të vet në Evropën e shekullit të 21-të. Ah, nuk mund ta merrja me mend situatën në të cilën do të gjendeshim. Ne ia arritëm të futemi në kurth me barrikada, ndërsa daljet tona na i mbyllën edhe policët kosovarë. Gjithçka është e bllokuar. Rrugët alternative janë bërë e vetmja rrugëdalje, ikje nga kjo “utopi”, por me borën e parë edhe kjo shpresë do të shuhet. E thënë thjesht, situata është dëshpëruese!
Ditët e kaluara në veri të Kosovës që kur kanë filluar barrikadat kanë qenë çdo gjë tjetër veçse jo të relaksuara. Të gjithë presin ndonjë informatë, presin lajme, dëgjojnë Beogradin, kurse mbajnë vesh edhe për Prishtinën. Në biseda me njerëzit mund të shihja atë hidhërim, rraskapitje dhe zemërim në të njëjtën kohë, shumë vetë janë në favor të çfarëdo zgjidhjeje paqësore, vetëm që kjo të pushojë një herë e mirë, që të jetojmë normalisht, por kishte edhe nga ata që do të shkonin përsëri në luftë vetëm e vetëm për të përfunduar çdo gjë një herë e përgjithmonë. Nga dita në ditë situata në terren sa vjen e po përkeqësohet, Vučić po pohon se është me popullin e tij dhe se nuk i trembet Kurtit, ndërsa ky i fundit kërcënon se nëse KFOR-i nuk i heq barrikadat këtë do ta bëjë ai dhe nuk përjashton viktima. Ja ku e kemi demokracinë.
Me gjithë këtë lëvizje të kufizuar, lokalet në veri nuk funksionuan dhjetë ditët e para pas vendosjes së barrikadave, e tani janë të hapura deri në orën 18.00. Gjithnjë e më pak njerëz janë nëpër rrugë, në dyqane, megjithëse shumë njerëz tashmë janë zhvendosur nga këtu. Ngjarjet sportive dhe kulturore janë të paimagjinueshme në këto kushte, ndaj interneti mbetet dritarja e vetme drejt botës. Shpresoj të mos na e mohojnë edhe këtë.
Kur e mendoj këtë pak më mirë, jeta këtu po bëhet një tragjedi. Tragjedi sepse jemi të privuar nga lëvizja e lirë, mendimi dhe shprehja e lirë, zgjedhja e lirë, progresi, përballë një deficiti demografik katastrofik. Shkollat dhe kopshtet nuk funksionuan gjatë këtyre tensioneve. Nuk ka polici në rrugë, po ashtu dhanë dorëheqje edhe gjyqtarët, asambleistët dhe deputetët. Mallrat me vështirësi arrijnë në dyqane dhe ekziston një kërcënim për mungesë të gjërave themelore për jetesë. Kjo është prishje e një sistemi. Kaq ishte diplomacia dhe qasja demokratike e Kurtit, po i bie se të gjithë paraardhësit e tij kanë qenë më racionalë, nuk janë futur në fushata të tilla.
Por, le të shohim se çfarë i parapriu barrikadave. Arrestimi i ish-policëve, të njëjtëve që deri para një muaji punonin për Shërbimin e Kosovës. Domethënë, ata papritmas u bënë kriminelë, e nuk ishin të tillë deri sa nuk u larguan nga puna. Nuk u bënë kriminelë vetëm ata qëkur Kurti është në pushtet, e kemi shembullin ku një ofiqar nga fshati Vitomiricë u arrestua për shkak të “krimeve”, papritmas dikujt iu kujtua 23 vite pas luftës që ai ka kryer krim lufte. Duhet të theksohet se ai njeri nuk u largua nga Kosova pas luftës, mbase nuk ka pasur arsye pse të frikësohej. Nuk do të doja të kërkoja më shumë shembuj, por është shumë e sigurt se ka të tillë. Kjo me të vërtetë fyen arsyen e shëndoshë dhe lind pyetja se kush do të jetë nesër në atë listë të kriminelëve të luftës. Janë shfaqur lista të arrestimeve ku shumë serbë ngarkohen me krime lufte, ku përmenden edhe aktivitete kriminale. Në njërën prej atyre listave gjenden edhe djali dhe vëllai i presidentit Vučić dhe shumë serbë nga veriu i Kosovës. Kështu ka bërë të ditur përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Armend Muja. Kjo vetëm sa i shtoi benzinë zjarrit, kështu që tani njerëzit e rëndomtë pyesin se kush mund të gjendet në shënjestrën e Prishtinës. Është e vështirë t’i frenosh serbët në këtë mënyrë, kjo është kundërproduktive, do të shkaktojë vetëm rebelim në popull. Do të zgjerojë hendekun që ekziston tashmë midis popujve dhe do të jetë gjithnjë e më e vështirë që të arrihet tek zgjidhje kompromisi në këtë mënyrë.
Çështja e riregjistrimit të automjeteve solli tensione, më pas u shkarkua drejtori i policisë për sektorin Veri, Nenad Đurić, sepse nuk pranoi të ndëshkonte serbët. Më duket se kjo nisi një reaksion zinxhir dhe ja ku jemi në një pat pozicion. Përsëri po pritet që faktori i huaj të zgjidh problemin të cilin e krijuam vetë, për të qetësuar të dyja palët. Vëllai i madh duhet të marrë kontrollin e situatës aktuale sa më shpejt që të jetë e mundur, që të mos eskalojë në diçka nga e cila nuk ka kthim. Jam i sigurt se ekzistojnë instrumente politike që mund t’i qetësojnë këto koka të çmendura ballkanike.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.