Veriu – zonë rreziku

Tensione, manipulime, konflikte, bllokada, kërcënime, maltretime, rrahje, vrasje, shantazhe të ndryshme dhe intriga të vazhdueshme politike. Të gjitha këto në veriun kaq të vogël të Kosovës, por i cili doli të ishte edhe shumë i  rëndësishëm.  

0
171

Nëse Kurti deshi që t’i jepte flakë zjarrit që po ndizej ngadalë në veri të Kosovës, mund t’a përgëzojmë, ia doli që ta bëj këtë. Ai, në kuptimin e plotë të fjalës, i detyroi serbët të bashkohen dhe që në këtë pjesë të territorit të krijohet një rezistencë e organizuar. Gjendje tmerrësisht e padobishme në veri, nuk ka polici të nacionalitetit serb, herë pas here shfaqen njësitet speciale të policisë, ndërsa janë të pranishme në mënyrë të përhershme në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak. Mirëpo, po paraqiten edhe mbishkrime “Brigada Veriu” dhe të gjithë e kanë të qartë se aty gjenden njerëz që janë pak a shumë të gatshëm për konflikt. Gjithashtu patrullojnë xhipat e EULEX-it dhe ushtarët e KFOR-it. Kontrolli i kësaj pjese të territorit kryhet edhe nga dronë, helikopterë, dhe shumë kamera. Veriu i Kosovës aktualisht është duke vluar dhe i tillë do të mbetet derisa evropianët mos ta qetësojnë situatën. Madje edhe Perëndimi e ka të qartë se Kosova dhe Serbia e mbajnë anën e vet dhe nuk do të lëshojnë pe lehtë.

Me braktisjen e institucioneve të Kosovës, serbët e veriut e shtynë dialogun e Brukselit në humnerë. Më duket se kjo ishte një lëvizje e detyruar në të cilën i shtyri Prishtina e cila, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve të nënshkruara, shumë më herët varrosi po atë dialog dhe të gjitha marrëveshjet që i sigloi. Sot shohim stacione policore boshe, nuk ka polici në rrugë për të mbajtur çfarëdo ligji dhe rendi dhe mund të vërehet edhe një numër i shtuar i vjedhjeve. Të gjithë ata që janë larguar nga institucionet e Kosovës kanë marrë kontrata të reja pune nga Serbia. Ky akt është shumë simbolik, tregon se Serbia ende ka juridiksion mbi këtë pjesë të territorit.

Banorët e veriut duket se nuk kanë durim, por prapëseprapë janë të frikësuar se çfarë mund të sjellë periudha e ardhshme. Po afron dita kur do të gjobiten të gjithë ata që ngasin vetura me targa të Serbisë të qyteteve të Kosovës. Pothuajse nuk ka makina me targa RKS në veri, kështu që ja një dramë e re këto ditë, edhe pse po më duket paksa e palogjikshme që të gjobiten njerëz nga një zonë e tërë. Megjithkëtë, nuk kam dyshim se Prishtina zyrtare do të provojë të bëjë një gjë të tillë. Duhet të gjendet një zgjidhje kompromisi, duhet të shkohet në zgjidhjen e këtij problemi me kapacitet të plotë, gjithçka për të shmangur përshkallëzimin në terren.

Po e shoh që faktori i huaj e ka kuptuar seriozitetin përkitazi me situatën në veri të Kosovës, prandaj po bëhen edhe thirrjet e shpeshta drejtuar Kurtit dhe Vučićit që të lëshojnë topin në tokë dhe të gjejnë një zgjidhje. Me kalimin e kohës, ka gjithnjë e më pak shpresë dhe gjithnjë e më pak vesh për një vlerësim të arsyeshëm të situatës në terren. Kurti kryeson në politikën e tij kokëfortë, nuk heq dorë nga synimet e tij, as nuk kërkon rrugë tjetër për t’i arritur ato. Mospërfillja e rekomandimit të të dërguarit amerikan Gabriel Escobar për të shtyer zbatimin e ri-regjistrimit mund të ketë një ndikim të keq për Kosovën. Në këtë mënyrë Kurti bie në grackën e vet dhe pikërisht kjo mosbindje mund të sjellë konflikte në terren.

Kohëve të fundit janë paraqitur persona që janë ankuar në sjelljet e policisë speciale të Kosovës e cila ndërtoi minibaza pranë vendkalimeve Bërnjak dhe Jarinje. Për maltretim ka raportuar edhe drejtori i organizatës joqeveritare Aktiv, i cili pretendon se polici e ka goditur me grusht në stomak. Në anën tjetër, ka ndodhur rrahja e një gazetari shqiptar në veri të Mitrovicës. Këta në fakt janë tregues të gjendjes në të cilën ndodhemi të gjithë ne që përpiqemi të ekzistojmë në veri. Tensione, manipulime, konflikte, bllokada, kërcënime, maltretime, rrahje, vrasje, shantazhe të ndryshme dhe intriga të vazhdueshme politike. Të gjitha këto në veriun kaq të vogël të Kosovës, por i cili doli të ishte edhe shumë i  rëndësishëm.  

Ka pasur aq shumë hapësirë ​​për të ecur në rrugën e progresit, në rrugën e dialogut, për t’iu mbajtur progresit ekonomik dhe kulturor. Duket se këtë pavetëdijshëm e kemi hedhur poshtë. Tani, kur situata e përgjithshme në veri të Kosovës është komplekse dhe shqetësuese, ne do të mbajmë secili anën e vet. Shqiptarët në njërën anë, serbët në anën tjetër. Dhe natyrisht, do të presim që faktori i huaj për të satën herë të na e zgjidh problemin në të cilin e kemi futur veten apo ndoshta ku na kanë futur ata që po përpiqen të na e zgjidhin problemin tonë. Kjo pyetje duhet të shtrohet më shpesh.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.