Panele diskutimi njëherë në vit me tone kundër diskriminimit në baza etnike në Kosovë, a duke përmendur shkel e shko hallet e shpeshta të femrave të reja dhe vështirësitë e tyre për qasje në arsim, apo një storie e shkurtër në edicionin e lajmeve për një familje të varfër e gjendjen e rëndë të fëmijëve brenda asaj familje, përmbledhin krejt të bëmat e shoqërisë sonë kur iu teket të flasin për vajzat e reja, sidomos ato të komuntetit rom, ashkali e egjiptian në Kosovë. Tek e fundit s’thuhet kot, më mirë pak se hiç.
Ama të kesh punë me raste më të ndjeshme të vajzave me kufizime të shumta mundësish, më bën që më pak të kem hallin për vajzat e vogla të lagjes së fshatit prej nga vij që rregullisht shkojnë në shkollë. Sa herë flitet për telashet e vajzave të reja nuk kujtoj këngët e gëzueshme të tyre e as fus-tanet shumëngjyrëshe që ndërrojnë çdo ditë. Më bien ndërmend vajzat e reja të komunitetit rom, ashkali e egjiptian që jetojnë në një lagje të Fushë Kosovës.
Kujtoj qartë rrëfimin për vështirësitë që ka pasur për vijim të mësimit në shkollën e lagjes ku jeton njëra prej vajzave të komunitetit ashkali derisa udhëtonim me tren nga Peja në Prishtinë. Fjalët ofenduese e kërcënimet nga nxënësit tjerë të klasës e kanë lodhur atë derisa i është dashur të ndërpresë mësimin, për t’iu kthyer pastaj gjimnazit në moshën 27 vjeçare pasi ka ndryshuar pak gjendja.
Girls Club, që vepron në kuadër të organizatës The Ideas Partnership, është një prej aktiviteteve që mbledhë një herë në javë vajzat nga mosha 7-15 vjeçe të komunitetit RAE. Klubi i çikave (siç e quajmë në bisedat e zakonshme) u krijua prej zorit. E them kështu sepse qëllimi i funksionimit të këtij grupi ishte domosdoshmëria për të ndërmarrë diçka që zvogëlon numrin e vajzave nga ky komunitet që braktisin shkollën herët. Ndër arsyet pse kjo ndodh, të cilat shpesh s’mund të numërohen edhe nëse llogariten gishtat e dy palë duarve, mund të përmenden martesat e hershme, kushtet e rënda ekonomike të familjeve të vajzave, pengesat sociale, vështirësitë në qas-je, etj. Kushti i vetëm i pranimit të tyre në këtë grup është që ato të jenë të rregullta në shkollë. Motivimi i tyre për të vazhduar shkollimin kërkon një përkushtim të vazhdueshëm.
Arberita Hajrizi është përjashtim sa i përket aktivitetit në qendër, por është rasti më i mirë i një suksesi të vogël e që më jep shpresën e shumëfishimit të gëzimeve si ky. Ajo është një prej va-jzave që pas interesimit për të qenë pjesë e Klubit vendosi të regjistrohet në shkollë, sepse kushti për ta pranuar në aktivitet ishte të vijonte shkollën. Dhe me pak ndihmë në procedurat e pranimit nga ana e Qendrës, ajo këtë vit shkollor po ndjek mësimet e klasës së parë, dhe njëkohësisht iu bashkangjit aktiviteteve me Klubin e Vajzave. Por s’është telashja e vetme (jo më pak e rëndësishme) vështirësia për t’u pranuar në shkollë.
Barrierat vazhdojnë të rëndohen sidomos pas moshës 15 a 16 vjeçe. Pos pengesave që u krijohen nga mënyra e trajtimit të tyre nga ana e shoqërisë, ndikojnë edhe anëtarët e komunitetit RAE të cilët obligojnë femrat nga ky komunitet që të ndërprejnë arsimimin për të kryer punët e shtëpisë, për t’u kujdesur për ndonjë familjar apo për t’u martuar.
UNFPA, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, ka kryer një hulumtim për martesat e hershme në vend e ku theks të veçantë u jipet vajzave të reja nga komunitetet të cilat martohen herët. Sipas raportit të 14 gjykatave komunale në 2010 janë raportuar 116 kërkesa për martesa të hershme, ndërsa 107 në vitin 2011. Ky hulumtim shpjegon se duhet pasur parasysh që ka akoma më shumë raste të cilat nuk lajmërohen në komuna sepse martesat në Kosovë jo çdoherë bëhen legale. Pra çiftet nuk kurorëzohen në institucionet përkatëse po vetëm martohen tradicionalisht. Pasojat e martesave të hershme mund të shkaktojnë izolimin nga shoqëria dhe familja, divorc, shtatëzanësi të paplanifikuar, komplikime në shtatëzani, ndërprerje të shkollimit dhe pengesë në punësim.
E përfaqësuesve të institucioneve të vendit, sidomos atyre të institucioneve arsimore, sa herë py-eten për këtë pjesë të shoqërisë sonë u është bërë shprehi të flasin për atë se si kushtetuta u gar-anton të gjithë qytetarëve të saj të drejta të barabarta. Nuk janë fëmijët e tyre ata që edhe shkollën e kanë nganjëherë të paarritshme.