Vetëvendosje dhe serbët

Ajo çka sot i bën serbët të kthehen në Kosovë, ose të rrijnë e të shohin perspektivë në të, nuk është vullneti i Presidentit Thaçi. As ai i Presidentit serb Vučić. E as vullneti i ndonjë politikani tjetër. Është konsistenca në diskurs. Jo aq në ruajtjen e parimeve, sa në ruajtjen e marrëdhënies me argumentet racionale. Ajo që i bën serbët të kthehen është funksionaliteti i mekanizmave të shtetit.

0
1270

Përkundër kritikave ndaj shumë veprimeve politike, dyshimeve për pozicione të papërcaktuara qartë ideologjike, dhe mospëlqimit për individë brenda saj, mendoj se Vetëvendosje përbën alternativën më serioze politike në Kosovë. Dhe serioze nuk nënkupton domosdo ‘më të mirë’. Ky atribut ka të bëjë me mundësinë e saj për të përballuar bindjet e ndryshme që kishin njerëzit që u rreshtuan me të. Vetëvendosje arriti të ruante bërthamën ideologjike nga e cila u formua. Dhe kjo mundësi bën që Vetëvendosje të ketë një dallim me partitë e tjera politike në Kosovë, të cilat u konformuan plotësisht me diskurset që qarkullonin në vend. Ta zëmëPDK, menjëherë pas lufte, nga një parti e majtë u bë parti e qendrës së djathtë. LDK, pas periudhës së Rugovës, e përqafoi frymën përqarëse në vend, e cila dilte krejtësisht nga vlerat në të cilat besonte Presidenti i parë. Sot LDK-ja ka brenda saj njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me rugovizmin, dhe që sulmojnë pareshtur me një ashpërsi të vrazhdë secilin nga oponentët politikë. Kjo pamundësi për t’u ndarë nga kërkesat e masës i bën këto parti joserioze dhe të nënshtrueshme.

Kohët e fundit u folën e përfolën shumë takimet e krerëve të Vetëvendosjes me klerikët e ndryshëm mysliman që kishin shprehur bindje kundër rendit kushtetues dhe vlerave liberale. Ky veprim i Vetëvendosjes u cilësua si populist. Ose thjesht përpjekje tjetër për t’i marrë votat e komunitetit të përkushtuar mysliman. Vetëvendosje edhe më herët ishte shprehur e vullnetshme të lejonte gratë me shami brenda institucioneve publike, dhe të fuste lëndën e fesë në shkolla.

Sidoqoftë, akuza për populizëm ndaj Vetëvendosjes nuk qëndron. Faktet thonë që partitë politike që përpiqeshin të merrnin votat e myslimanëve në Kosovëdolën shumë keq në zgjedhje. Shembulli i Partisë së Drejtësisë dhe Partisë Fjala. Në përgjithësi, praktikuesit e fesë myslimane në Kosovëjanë të paktë. Ndoshta vetëm 5% e gjithë komunitetit.

Por, pse po e bën Vetëvendosje këtë veprim? Përgjigjja në pyetjen në fjalë mund të na çojë në një konceptim më të gjerë mbi nacionalizmin e paragjykuar të saj. Edhe në të kaluarën kam shkruar sesi nacionalizmi i Vetëvendosjes, përjashto kërkesën në zbehje për Bashkim Kombëtar, ishte etatist. Dhe ky etatizëm shprehet edhe nga këto takime me këta klerikë fetarë. Deri më tash, ata që e kanë konstruktuar nacionalizmin shqiptar ishin përjashtues ndaj çdokujt që kishte bindje e vlera të tjera. Duke nisur nga rilindësit, shumë prej të cilëve i hodhën themelet e një diskriminimi të hapur ndaj komunitetit shumicë që e përbënte kombin. Nacionalizmi ishte thuajse krejtësisht elitist e si i këtillëthuajsekrejtësisht katolikofil. Të gjitha partitë politike në pushtet në këto 20 vite e shpërfillën problemin e këtij diskriminimi që dredhohej kollaj në islamofobi. Ushtrimi i fesë u la në terr institucional. I paadministrueshëm. Dhe myslimanët kosovarë e panë veten të përçmuar e shpërfillur nga hapësira publike, nga institucionet, dhe fenë e ushtronin nën trysninë e paragjykimeve shoqërore. Duke qenë i shpërfillur e përçmuar, komuniteti mysliman u bë edhe i mashtrueshëm nga ligjërues radikalë që shumë prej tyre edhe i radikalizuan e çuan në Siri. Për ata qindra kosovarë që iu turrën Sirisë gjatë luftës civilefaj të madh ka edhe ky tolerim i diskriminimit.

VV-ja dëshiron të ndërtojë komunikim me komunitetin mysliman. T’i përfshijë. Ta bëj fenë më të administrueshme. Dhe në këtë pikë nuk ka asgjë të keqe. Vetëvendosje e ka dëshmuar etatizmin e saj edhe në konsistencën që ka treguar në opozitarizmin e saj. Në qëndrimet kundër korrupsionit. Dhe poashtu, në deklaratën e paszgjedhjeve të Kurtit, i cili e tha haptas që një pjesë e diskursit të saj ishte thjeshtuar në mënyrë që t’i mobilizonin masat. Kjo është pika kyqe e kësaj Lëvizjeje, që arrin të bëjë një ndarje të hapur e të qartë me bindjet dhe kërkesat e masës. Asnjë parti tjetër politike nuk ka bërë një pranim të këtillë. Përkundrazi, të gjitha janë konformuar e nënshtruar plotësisht, dhe janë bërë të korruptueshëm, sepse masa, duke qenë e pakualifikuar, e paedukuar, është korruptuese. Kjo e bën Kurtin të përgjegjshëm dhe Vetëvendosjen subjekt politik që ndërton relacion racional me shoqërinë. Natyrshëm, meqë pushteti i fjalës, domethënë pushteti diskursiv, nuk qëndron brenda skemës së partive politike, shumë prej individëve të Lëvizjes bien në kundërshti të hapur me vijat ideologjike të saj, por kjo nuk ka rëndësi të madhe. Fundja, brenda kësaj skeme pushteti ku qëndrojnë partitë politikenuk ndodh gjithçkadhe lufta për rritje të mbështetjes nuk duhet parë si një e keqe a priori. Të bëhesh i korruptuar diskursivishtështë gjë plotësisht e natyrshme në rrethanat politike në Kosovëku demokracia është vetëm në fazat fillestare të saj.

Ajo çka sot i bën serbët të kthehen në Kosovë, ose të rrijnë e të shohin perspektivë në të, nuk është vullneti i Presidentit Thaçi. As ai i Presidentit serb Vučić. E as vullneti i ndonjë politikani tjetër. Është konsistenca në diskurs. Jo aq në ruajtjen e parimeve, sa në ruajtjen e marrëdhënies me argumentet racionale. Ajo që i bën serbët të kthehen është funksionaliteti i mekanizmave të shtetit. Vetëvendosje tashmë ka vënë standarde të reja për partitë politike në Kosovë, të cilat këtej e tutje, që të shihen si serioze e konkuruese të denja të saj, duhet të profilizohen më qartë, të ndërtojnë njëfarë konsistence diskursive dhe të bëjnë programe të njëmendta për zhvillim. Trajtimi i të gjithëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike e fetare, si të barabartë është i rëndësishëm në një shtet. Kurti në një kanal televiziv e dha një tjetër deklaratë mjaft domethënëse: “Prokurorëve dhe gjyqtarëve,” tha ai, “duhet t’jua internalizojmë respektin ndaj të drejtave të njeriut”. Kjo është deklarata që e bën të sigurtë një serb e një mysliman në Kosovë. Në anën tjetër, po kjo deklaratë e bën një aktivist joracional të Vetëvendosjes të ndihet në siklet. Lideri i tij thotë diçka në të cilën ai nuk beson. Sepse është e qartë se një pjesë e madhe e aktivistëve të VV-së, dmth jo ata njëzet a tridhjetë protestues që ishin në 2013 e 2014, janë brenda saj me motive hakmarrëse ndaj kastës së pasur politike, dhe meqë nuk ia dolën të kapeshin në rrjetin klientelist të partive në pushtet.

Serbët në Kosovë duhet të vetëvendosin poashtu. Duhet të iniciojnë shkëputjen nga Beogradi. Të përpiqen të zbehin ndikimin e diskurseve nacionalromantike. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se mirëqenia dhe perspektiva. Vetëvendosje kërkon që të bëhet një debat me serbët e Kosovës për problemet dhe pikëpamjet e tyre. Dhe deri këtu, nacionalizmi i saj nuk përbën ndonjëfarë rreziku. Natyrisht, rreziku nga rrjedhimet nacionaliste është i përhershëm, por në rastin në fjalë, kur një parti politike e ndan hapur dhe publikisht vijën e saj ideologjike nga besimet e masës me të cilat shërbehet, rreziku është më i vogël.