Vijat e kuqe dhe krizat institucionale

Zgjedhjet e 11 qershorit nuk e zgjidhën krizën. Krejt e kundërta, i dhanë më shumë forcë. Ose, për ta thënë më figurshëm: e rimodeluan një lëmsh të ri me do pështjellime të reja.

0
1008

Zgjedhjet e 11 qershorit nuk e zgjidhën krizën. Krejt e kundërta, i dhanë më shumë forcë. Ose, për ta thënë më figurshëm: e rimodeluan një lëmsh të ri me do pështjellime të reja.

Koalicioni PAN doli i pari dhe u deklarua fitues. Por, nuk mundi të fitonte mjaftueshëm vota sa për të formuar vetëm qeverinë. VV doli e dyta dhe u deklarua po ashtu fituese shkaku i dyfishimit të votave. Por as kjo s’mund të bëjë asgjë pa bashkëpunuar. LAA ndërkohë, doli e treta dhe nuk u deklarua fituese. Mirëpo pikërisht kjo e fundit është fituesja reale e zgjedhjeve.

Shkaku i vijës së kuqe që i ka vënë VV-ja PDK-së, LAA-ja është alternativa e vetme e mbetur për të dyja. Si e tillë, ajo natyrshëm do ta ngre ‘pazarin’. Kryeministrin ose asgjë – tha kryetari i saj Isa Mustafa. Por çka nënkupton kjo? Asgjë më shumë e as më pak se zhvlerësim i plotë i rezultatit zgjedhor. E vërtetë, e gjithë kjo lojë politike bëhet mbi votën qytetare por duke e shkelur në plotësi atë. Dhe kjo pastaj çon në krizë.

Në fakt, nëse vijohet me vijat e kuqe, praktikisht bëhen të parëndësishme rezultatet zgjedhore dhe vetë zgjedhjet. E vërtetë, PDK-ja nuk ka ditur as ta mbrojë e as ta kuptojë rrugën nëpër të cilën ecte. Dhe, padyshim, meritonte ndëshkim për keqqeverisjen e saj. Por, ‘konsistenca’ e një partie nuk duhet ndërtuar mbi djallosjen e saj. Fundja, nuk jemi shoqëri totalitare dhe jo gjithçka varet në duart e saj. Jemi në një luftë politike, dhe PDK-ja e ka dëshmuar se përdorë një teknologji të vrazhdë e primitive pushtetimi. Përmes klientelizmit, ajo ka krijuar një rrjet interesxhinjsh, të cilët do t’i largohen sapo të mos kenë interes. Prandaj, vazhdimi i mëtejmë i ‘vijave të kuqe’ nuk i bën mirë demokracisë. Krejt e kundërta, e dëmton tepër rëndë atë. Vetëvendosje mund të dalë e para në zgjedhjet e ardhshme, por në nevojë të koalicionit, dhe duke pasur vetëm një alternativë, do të detyrohet të heqë dorë dhe të japë kryeministrin.

S’ka dyshim që diskursi nacionalist i Vetëvendosjes ka fituar. Këtë e dëshmon jo thjesht rezultati i saj, por edhe shërbimi me retorikë të saj i të gjitha partive tjera përfshirë edhe PDK-në. Të gjitha duan të rishqyrtojnë dialogun me Serbinë, të kuptojnë normalizimin e marrëdhënjeve, të ndërtojnë dialog me serbët e Kosovës, dhe t’i thonë jo demarkacionit (përjashtu këtu LDK-në). Por, sado i pëlqyer a i papëlqyer qoftë, asgjë nuk mund të ecë përpara në krizë institucionale. Dhe kriza institucionale e Kosovës duket seriozisht e pakalueshme.

Si rrjedhojë e kësaj, Kosova do të mbetet në një gjendje të papërcaktuar shumë të rrezikshme. Derisa gjërat në Evropë ecin, ajo po mbetet në një vend duke u munduar ta kuptojë më mirë rrugën e saj. Kjo gjë e rrezikon shumë seriozisht çdo përparim të bërë deri tash, nisur nga dialogu me Serbinë, procesi i kthimit, dhe në përgjithësi integrimi i komuniteteve.

Haradinaj dhe Kurti kanë deklaruar se do të provojnë të ndërtojnë komunikim me serbët e Kosovës. Por, Serbët e Kosovës folën. Ata vendosën për një lidhje me Serbinë. Ky është vullneti i tyre. Prandaj, është tepër e rëndësishme ta lëmë anash populizmin dhe të shënojmë progres sa kjo është e mundur.