Viti i ri

0
1761

Përshëndetje njerëz. Fundi i vitit. Të gjitha punët e rëndësishme dhe më pak të rëndësishme po përfundohen, po bëhen plane për pushime. Disa prej jush tashmë keni festuar Krishtlindjet, të gjithë do ta festojmë Vitin e Ri, disa prej nesh pas Vitit të Ri do të festojmë Krishtlindjet. Periudhë e mirë, apo jo? Disi është kjo kohë kur askush nuk mendon për të gjitha problemet që i kemi, askush nuk mendon për politikën, për veriun – jugun, madje edhe problemet më të mëdha, siç janë për të gjithë ne në Kosovë para së gjithash problemet ekzistenciale, kanë rënë në plan të dytë dhe të gjithë janë në një mënyrë të lumtur. Paj, kështu është edhe më së miri!

Ja, unë të hollat e fundit i shpenzova për bredhin, dritat dhe zbukurimet. Po, për këtë shkak sipas të gjitha gjasave për këtë Vit të Ri do të mbetem në Leposaviq. Tërë vitin kam qenë këtu e edhe tani, çka të bëj, nuk ka ku. Shumica e njerëzve nga këtu shkojnë në Beograd për të festuar, thonë se do të jenë tri skena në qendër të qytetit, shumë muzikë të mirë, qyteti i zbukuruar në mënyrë fenomenale, edhe shumë turistë nga vende tjera. Do të doja edhe unë, por bredhi ishte i shtrenjtë.  E çka ka në Prishtinë, a organizohet pritja atje? Si është qyteti? Këtë e kam afër, nuk do të kisha pasur nevojë për shumë të holla. Ndoshta do të kisha mundur ta festojë aty… apo megjithatë jo?! Askush as që më ftoi në Prishtinë, madje nuk kam as informata për pritjen, për vendet e mira, muzikën, njerëzit… kurse është larg prej meje vetëm një orë e gjysëm me veturë. Çudi, apo jo?

Në rregull pra njerëz, ika unë që të bëhem gati, duhet të festohet, e ju më tregoni se si ishte në Prishtinë. Ndoshta vitin tjetër do të mund edhe ta shoh. Kush e di?!

Gëzuar Vitin e Ri!!!