Vlera e viktimës

Edhe përkundër të gjitha gjykatave, tribunaleve për krime të luftës, mbretëron ndjenja që drejtësia nuk është vendosur aty ku duhet, e që madje edhe këtu politika i ka përzier gishtat e saj të ndytë ashtu që të zbukurojë situatën pikërisht siç iu shkon për shtati disa njerëzve të fuqishëm.

0
246

Pse është aq e vështirë të pranohet publikisht që është kryer një krim ndaj një njeriu të pafajshëm? Pse edhe sot e kësaj dite po fshihen disa gjëra që janë bërë ndaj viktimave të pafajshme? A janë dhe cilat viktima të pafajshme në tregun botëror janë më pak apo më shumë të vlefshme dhe cili tregtar botëror e bën këtë vlerësim? 

Të gjitha këto janë pyetje që na rrethojnë përmes mediave dhe në të cilat edhe ne vetë nuk kemi përgjigjje. Është e pabesueshme apatia ndaj viktimave që kanë një ngjyrë, besim apo komb në raport me dhimbjen që ndiejmë kur u ndodh ndonjë tragjedi njerëzve që i kemi më të afërt sipas besimit, ngjyrës së lëkurës, etj. Kjo çon në një pyetje tejet të rëndësishme: A jemi të gjithë ne në fakt racistë të fshehtë? E marrim me lehtësi lajmin që për shembull në Somali fëmijët e vegjël po vdesin nga uria dhe që shumica e popullsisë në Afrikë është e kequshqyer. Kur dëgjojmë diçka të tillë ne kryesisht me gjakftohtësi e marrim atë lajm apo thjesht e ndërrojmë kanalin, kurse kur dëgjojmë që për shembull një vajzë e vogël  u vra nga një bombë në Ukrainë, e tërë Evropa që nga ai moment shpreh trishtim dhe solidaritet me një informatë të tillë. Të kuptohemi, edhe unë u preka shumë nga ky lajm sepse konsideroj që asnjë jetë njerëzore nuk është më pak e vlefshme se grindjet e tyre për shkak të cilave njerëzit po vdesin çdo ditë në shekullin 21 në kontinentin evropian, por përse ne si njerëz të arsyeshëm, me këmbëngulje dhe kategorikisht, refuzojmë të solidarizohemi dhe të protestojmë kundër mjerimit, kequshqyerjes dhe një numri të madh të vdekjeve të fëmijëve dhe njerëzve në vende të tjera të Afrikës, Azisë apo vendeve të botës së tretë. Për mua personalisht kjo është një disfatë e madhe dhe turp për ne.          

Edhe më të vështira më duken situatat që kanë të bëjnë me viktimat që janë të lidhura me ngjarjet e luftërave. Në situata të tilla as rrjedhja e kohës nuk ka mëshirë. Ja, jemi dëshmitarë që çdo vit me këmbëngulje hidhet faji nga një anë tek tjetra për vrasjen e njerëzve të pafajshëm në fshatin Kravicë, Bratunac, Srebrenicë, Prebillovc, në Kosovë, shtëpia e verdhë dhe në kushedi se sa vende tjera ku janë vrarë njerëz të pafajshëm edhe të besimit katolik, edhe ortodoks edhe musliman. Ata njerëz nuk janë më kurse xhelatët e tyre edhe sot e kësaj dite shëtiten lirshëm, i ndërtojnë karrierat e tyre politike dhe krijojnë familje derisa të njëjtën të drejtë ua kanë mohuar para dhjetë, njëzet e më shumë viteve këtyre njerëzve të vrarë. Edhe përkundër të gjitha gjykatave, tribunaleve për krime të luftës, mbretëron ndjenja që drejtësia nuk është vendosur aty ku duhet, e që madje edhe këtu politika i ka përzier gishtat e saj të ndytë ashtu që të zbukurojë situatën pikërisht siç u shkon për shtati disa njerëzve të fuqishëm. E për çfarë arsye dhe qëllimi i kujt ishte, këtë nuk do ta marrim vesh kurrë. Sinqerisht shpresoj që kjo luftë që për momentin po zhvillohet në truallin e Evropës nuk do të marrë përmasa më të gjera si dhe që të gjitha palët do t’i thërrasin mendjes për të parandaluar këtë çmenduri dhe vrasjen e viktimave të pafajshme. Në këtë konstelacion dhe ndarje gjeopolitike të letrave, për fatin tonë të keq të madh, mendoj se është hapur kutia e Pandorës, të cilën nëse dikush së shpejti nuk e mbyll, do të na mbetet që vetëm në formë të statistikës të numërojmë vktimat e pafajshme të rëna në Evropë e edhe më gjerë.    


Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.