Zgjedhje “me kusht” 

Rastësisht isha, në një mënyrë, i kyçur thuajse në tërë procesin kështu që kam qenë edhe dëshmitar i disa veprimeve të cilat të paktën është vështirë të shpjegohen, bile jo të shpjegohen në mënyrë të arsyeshme. Por, sido që të jetë, zgjedhjet kaluan dhe duket se gjithçka ka përfunduar, por në këtë rast nuk ka marrë fund, sepse ethet parazgjedhore shumë  shpejt u shndërruan në çmendi paszgjedhore.

0
723

Zgjedhjet si proces demokratik i vendosjes dhe zgjedhjes së përfaqësuesve në organet shtetërore kanë qenë gjithmonë mënyra më e mirë që populli të shprehë vullnetin e vet sa i përket përcaktimit të politikës shtetërore në të ardhmen. Dhe zakonisht populli edhe e  shfrytëzon këtë rast, qoftë në një masë më të madhe apo më të vogël. Mirëpo, skenari më i keq është kur veprimet e institucioneve të cilat i zbatojnë zgjedhjet ua humbin atyre dhe tërë procesit të vendosjes kuptimin deri në kufijtë e skajshëm, duke ua qitur atyre një hije të keqe. Rastësisht isha, në një mënyrë, i kyçur thuajse në tërë procesin kështu që kam qenë edhe dëshmitar i disa veprimeve të cilat të paktën është vështirë të shpjegohen, bile jo të shpjegohen në mënyrë të arsyeshme. Por, sido që të jetë, zgjedhjet kaluan dhe duket se gjithçka ka përfunduar, por në këtë rast nuk ka marrë fund, sepse ethet parazgjedhore shumë  shpejt u shndërruan në çmendi paszgjedhore. 

Pa qëllim që të ofendoj dikë, por nuk ka tjetër fjalë me të cilën do të shpjegoheshin disa skena e veprime gjatë procesit paszgjedhor të numërimit të votave në qendrën në Fushë Kosovë që zgjati thuajse u numëruan votat nga zgjedhjet parlamentare në Indi apo Kinë e jo në Kosovë, por duket se kjo është bërë me dëshirën që i tërë procesi të kryhet thellësisht dhe me shumë seriozitet, pa kurrfarë lëshimesh. Por, që gjërat të bëhen edhe më keq, erdhi deri tek helmimi, dhe atë jo çfarëdo helmimi, bëhet fjalë për një lloj specifik të helmimit njënacional, në fund të fundit, a nuk është qëllimi që të jesh origjinal në çdo aspekt. Derisa në njërën tavolinë ka kollitje dhe ankesa për përzierje në stomak dhe të kruar, në anën tjetër, dy metra më larg, në tavolinën pranë numërimi zhvillohej normalisht pa kurrfarë vështirësish dhe problemesh shëndetësore. Ku qëndron dallimi, pa qëllim që të nxis mostolerancë ndërnacionale, helmimin e ndien vetëm shqiptarët, derisa të gjithë të tjerët si serbët, turqit, romët dhe goranët i numëruan po ata zarfa dhe vota pa kurrfarë problemi. 

Por që tërë kjo të mos jetë rrëfim për një helmim qesharak dhe regji të keqe të një farse të thjeshtë, vetë rezultatet dhe vrapi pas mandateve disa ditë më pas mua personalisht m’u dukën shumë qesharake. E atëherë më erdhi mundim, më villej nga të gjitha ato marifete të imëta të cilat i përdornin vëzhguesit e partive politike për të kontestuar votën e kundërshtarit deri tek situata kur i tërë ekipi për numërim, madje as me ndihmën e kalkulatorit, nuk mund të harmonizonte shifrat në një vendvotim. Pati shumë amatorizëm, dhe po të mos ishin, për fat të mirë, trajnerët e aftësuar dhe ata normal që udhëhiqnin vetë procesin e numërimit, do të vihej në pyetje nëse do të mund t’i besonim rezultateve. Në fund të fundit, po e shohim edhe vetë që disa parti politike, pa marrë parasysh rezultatet, pa marrë parasysh dispozitat ligjore, duan që në qeveri t’i fusin disa që në këto zgjedhje nuk e kanë kaluar as pragun, që është precedent i llojit të vet; për këtë arsye këto zgjedhje do të mund të quheshin zgjedhje “me kusht”, sepse pranimi i rezultateve të tyre është selektiv dhe varet nga interesi politik në terren e jo nga vullneti i shprehur i qytetarëve. Por për këtë mund të komentojmë vetëm atëherë kur, në bazë të rezultateve, të formohet qeveria, nëse do të formohet fare në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve.