Zgjedhjet, pjesa e dytë

Siç njoftojnë mediat, serbët në këto zgjedhje do të shkojnë në gjashtë kolona. Tani, kjo është diçka që nuk është pritur. Në zgjedhjet e kaluara bile e kemi ditur se duhet të mbështesim një listë ashtu që të kemi një numër sa më të madh të deputetëve në parlament. Por çka do të ndodhë tani? Dhe ku u zhduk papritmas ajo e ashtuquajtur harmoni për të cilën flisnin të gjithë? Veçanërisht politikanët nga Serbia? Një gjë është e sigurt, lufta gjoja për serbët e Kosovës është shndërruar në luftë për interesa personale të politikanëve lokalë.

0
1249

Pikërisht sa u qetësuam pak pas zgjedhjeve presidenciale dhe derisa presim kryeministrin e ardhshëm të marrë detyrën në Qeverinë e Serbisë, na presin zgjedhje të reja. Dhe atë për parlamentin e Kosovës. Dhe natyrsht, po flas për serbët e Kosovës në këtë rast. Kjo është ajo “pozita speciale” të cilën e kemi. Për ne pothuajse çdo vit është vit i zgjedhjeve. Nganjëherë madje kemi zgjedhje edhe dy herë në vit, sikur tani. Jetesë e përhershme në përplasje politike dhe fushatë zgjedhore. Mirëpo, çështja është se çka dallojnë këto zgjedhje nga zgjedhjet tjera? Nga zgjedhjet e kaluara për parlamentin e Kosovës? Siç njoftojnë mediat, serbët në këto zgjedhje do të shkojnë në gjashtë kolona. Tani, kjo është diçka që nuk është pritur. Në zgjedhjet e kaluara bile e kemi ditur se duhet të mbështesim një listë ashtu që të kemi një numër sa më të madh të deputetëve në parlament. Por çka do të ndodhë tani? Dhe ku u zhduk papritmas ajo e ashtuquajtur harmoni për të cilën flisnin të gjithë? Veçanërisht politikanët nga Serbia? Një gjë është e sigurt, lufta gjoja për serbët e Kosovës është shndërruar në luftë për interesa personale të politikanëve lokalë. Për të gjitha këto, nga Serbia na vijnë deklarata se lista e vetme që duhet të mështetet është Lista Serbe. Gjithnjë e më shumë cirk, gjithnjë e më pak histori serioze dhe veprim serioz politik. Në fund të fundit, çka tjetër mund të na ofrojnë këto lista e që tashmë nuk e kemi humbur? Në momentin kur kartelat e telefonisë serbe në Kosovë pushojnë së funksionuari në territorin e Kosovës, çka saktësisht mund të thonë politikanët e Serbisë në mbrojtje të tyre dhe të nxjerrin sa më shumë serbë në votime? Nuk jam e sigurt. Aq më tepër nëse na thuhet se si “Kosova është zemra e Serbisë” në momentin kur të gjithë ata po përpiqen që të bëhen deputetë në parlamentin e Kosovës. Të kuptohemi, nuk kam unë asgjë kundër pjesëmarrjes së serbëve në parlamentin e Kosovës. Madje për më tepër edhe angazhohem për një gjë të tillë. Sepse nëse ne vetë nuk i mbrojmë qëndrimet dhe të drejtat tona, askush nuk do ta bëjë këtë për ne. Por jam tejet kundër dyfytyrësisë dhe gënjimit të serbëve për përfitime personale.

Përveç pyetjes se përse kemi aq shumë lista serbe, shtrohet edhe pyetja se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm. Haradinaj? Siç qëndrojnë gjërat tani, ka gjasa të mira që kjo të ndodhë. Kur u lirua nga burgu, do të thosha se më furishëm reagoi pushteti në Beograd se sa serbët e Kosovës. Arsyet janë të qarta:  frika nga hakmarrja nëse rastësisht nuk e lirojnë por edhe pritja se do të lirohej. Dhe në fund çka mund të presin serbët nga kryeministri i cili nuk u dënua për krime, vëllai i të cilit iu kërcënua po atyre serbëve nëse nuk lirohet dhe paralajmëroi përsëritjen e vitit 1999, dhe i cili thotë se nuk do të ketë BKS? Paj, asgjë pozitive, do të thosha. Disi e kam përshtypjen se serbët do të jetojnë me një frikë edhe më të madhe se sa deri më tani nëse del që Ramush Haradinaj me të vërtetë e fiton pozitën e Kryeministrit. E mendoj se edhe kanë arsye për diçka të tillë. Duke iu kthyer rrëfimit për listat serbe nga fillimi, pyetja është nëse do të kemi shansin që të fitojmë të drejtat tona edhe në rast të fitores së Haradinajt? E kjo është problematike. Nëse edhe ato pak vota të serbëve i ndajmë në gjashtë lista, vështirë se do të kemi çfarëdo fuqie parlamentare.

Në fund të fundit, mbetet të shohim e të presim. Por edhe të votojmë më 11 qershor. Siç e thashë më parë, nëse ne vetë nuk i zgjedhim përfaqësuesit, askush nuk mund të na ndihmojë. Deri atëherë, na mbetet të jetojmë ashtu siç jemi mësuar kaherë. Në fushatë zgjedhore në nivel të përditshëm. Midis përplasjeve politike mes njerëve që duket se lodhen për gjithçka përveç për jetën e njerëzve të zakonshëm në Kosovë.