Zgjim nga dremitja

Keqkuptimi e pamundëson dialogun. Ai mund të jetë i qëllimshëm ose i paqëllimshëm – por gjithmonë ai është pengues i komunikimit. Shteti i Kosovës ekziston. Ky është një fakt që kërkon njohje, në rend të parë nga serbët që jetojnë në Kosovë. E më pas, edhe nga shqiptarët që patetikisht e vendosën flamurin e vendit fqinj duke u betuar si deputet.

0
1578

Duket se Kosova nuk përbën më një ‘pasion mobilizues’ për Serbinë. Çështja e Kosovës më shumë ndjell lodhje e mërzi, se inat e dhimbje. Fitorja bindëse e partisë së Vučić-it në zgjedhjet e fundit në Serbi – marrë parasysh faktin që dialogu në Bruksel hapëroi më së shumti gjatë kohës së tij – tregon se opinioni serb është i lodhur nga tema e Kosovës.

Mendjet e serbëve duket se janë topitur mosvet shumë në dy dekadat e fundit. Por, kjo topitje ndoshta kishte të bënte thjesht dhe vetëm me retorikën nacionaliste të thuajse të gjitha partive në pushtet. Por, po këto mendje duket se u zgjuan nga ‘dremitja dogmatike’ sa i përket ecjes përpara. Ata i hapën veshët dhe i dëgjuan qortimet e zyrtarëve të lartë evropianë, dhe e kuptuan se rruga drejt BE-së nuk duhej ndalur.

Zgjimin nga kjo dremitje duket se e shenjon letra interesante e presidentit Vučić – për mua, një lider atipik për rrethanat ballkanike, i kthjellët e jokonformist. Ai u kërkoi serbëve të shihnin përpara, e të mos merreshin më shumë me të kaluarën dhe historinë, sepse kjo gjë po i dëmtonte. Po e bënin zvarrë rrugën tepara. Ai e bëri të qartë se Kosova është e humbur. Dhe ky mesazh, për dallim nga të tjerë, nuk ishte aspak i dykuptimshëm. Ndër tjera, Vučić bëri thirrje edhe për një dialog të brendshëm në Serbi për çështjen e Kosovës – gjë të cilën po e bëjnë të gjithë liderët kosovarë aktualisht. Dialog për dialogun – tha kryeministri i ardhshëm Albin Kurti dhe u tall nga mediat serbe. Ndoshta, Kurti është pak i vonë në këtë pikë. Jo dialog për dialogun, por dialog për hapin vendimtar: njohjen e rezultateve. Kjo e pret edhe Kosovën, ashtu si Serbinë. Dhe Kosova, marrë parasysh që nuk ka lider jokonformist si Vučić-in, duket se do ta ketë më zor. 

Dje e lexova një artikull në New Perspektiva, nga Nevena Radosavljević, një serbe nga Kosova, e cila shprehej konfuze lidhur me përmbajtjen e letrës së Presidentit Vučić. Konfuziteti ishte e qartë se anonte drejt një mohimi e kundërshtimi të asaj që Vučić e kërkon. Një njohje të realitetit. Radosavljević, shkruan se e mbështet dialogun dhe e kundërshton konfliktin mes shqiptarëve e serbëve – por sa i përket njohjes së rezultatit të dialogut, ajo është konfuze-në-mohim. “Nuk e di, veç po pyes” – është titulli i atij artikulli. Por çka pyet konkretisht Radosavljević? Në fakt, mendoj se në shkrimin e saj nuk gjendet asnjë pyetje e mirëfilltë dhe e bazuar. Autorja e shpreh vetëm konfuzitetin e një mendjeje të topitur. Si është e mundur, të jesh për dialog, e në tjetrën anë, të mos i njohësh rezultatet e atij dialogu? Këtë e kërkon presidentit serb, dhe duket se kjo është e pamundur të pranohet nga autorja në fjalë.

Unë mendoj se është e domosdoshme që t’i qartësojmë gjërat. Politikanët nuk mund të veprojnë në qartësi, dhe nuk mund të presim nga presidenti Vučić të jetë i hapur për gjithçka. Por të paktën, në sferën publike, mund të mbjellim njëfarë dialektike sokratike për nxjerrjen e të vërtetës. Keqkuptimi e pamundëson dialogun. Ai mund të jetë i qëllimshëm ose i paqëllimshëm – por gjithmonë ai është pengues i komunikimit. Shteti i Kosovës ekziston. Ky është një fakt që kërkon njohje, në rend të parë nga serbët që jetojnë në Kosovë. E më pas, edhe nga shqiptarët që patetikisht e vendosën flamurin e vendit fqinj duke u betuar si deputet. Është me rëndësi të mos dremisim më.

Radosavljević poashtu e bën një ankesë lidhur me problemet me dokumente të Serbisë, moslejimin e librave të Serbisë në Kosovë, konfiskimin e librezave shëndetësore etj. Ajo ankohet që Kosova po sillet si një shtet ndaj komunitetit që i përket. Epo, është e qartë se një shtet nuk mund të sillet tjetërqysh. Shteti sillet edhe me mua njësoj. Edhe mua m’i kërkon të njëjtat dokumente. Dhe Kosova është shtet. Ky është një fakt që duhet ta njohin si nacionalistët shqiptarë që duan bashkim me Shqipërinë, si ata serb që duan Serbi në Kosovë – e që po të pyeteshin këto dy grupime, do ta ndanin mes tyre shtetin tonë.

Është koha t’i hapni sytë e të mos dremisni më. Koha e fundit bile.