Zoti Kandidat

Fushata tashmë ka filluar, e ajo në nivelin lokal mund të jetë shumë më këmbëngulëse dhe me më shumë vrull sesa ajo për zgjedhjet parlamentare sepse këtu lufta bëhet për secilën votë, por në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Mes tjerash, nëse në zgjedhjet e kaluara një zyrtar i deridjeshëm i lartë i Qeverisë mbeti pa pozitë të deputetit në parlament për më pak se 10 vota, çfarë të pritet atëherë në zgjedhjet lokale.

0
818

Para nesh janë edhe një palë zgjedhje, në thelb asgjë e re por kur e dimë që bëhet fjalë për zgjedhjet e rregullta lokale atëherë duhet t’i kushtojmë rëndësi të madhe zgjidhjeve kadrovike sa i përket kandidatëve të cilët në komunitetet e tyre lokale do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve në çdo aspekt. Pikërisht kjo është ajo që këto zgjedhje i bën në një mënyrë më të rëndësishme se ato të mëparshmet, parlamentaret këto zgjedhje janë rast që populli t’i zgjedhë ata njerëz që i njeh dhe për të cilët konsideron se në mënyrën më të mirë do t’i përfaqësojnë interesat e tij në parlamentin lokal. Mirëpo, nëse i shikojmë listat e kandidatëve, është një pikëpyetje e madhe nëse do të jetë kjo pikërisht ashtu siç pret populli. 


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi listat e kandidatëve të cilët në garën për një vend në parlamentin lokal do t’i prezantohen popullit në mënyrën më të mirë të mundshme, do të prezantojnë veten, opsionet politike që i përfaqësojnë, por ajo që është më e rëndësishmja prej të gjithave, do ta prezantojnë vetveten, e të jemi të sinqertë, kandidatë të caktuar edhe nuk kanë se me çka të lavdërohen. Përveç kësaj, mjedisi ku zhvillohet gara zgjedhore është para së gjithash i vogël dhe të gjithë kandidatët na janë të njohur mirë edhe pa prezantimin e tyre, si në planin personal ashtu edhe në atë profesional. Disa  kandidatëve kjo u shkon për shtati, por thënë sinqerisht, për një numër të madh të tyre është megjithatë diçka që mund të shkaktojë më shumë dëm sesa dobi. Mes tjerash, kjo më së miri do të provohet gjatë zgjedhjeve. 

Koha në të cilën gjendemi, kriza e përgjithshme ekonomike, si dhe ngjarjet politike që nuk janë aspak pozitive dhe nuk i kontribuojnë stabilitetit, as në nivelin qendror e as në atë lokal, para institucioneve lokale vënë sfidën që në një moment të caktuar duhet të mbështeten në kapacitetet vetanake dhe shkathtësitë e menaxhimit të financave, të politikës, por edhe me nevojat e përgjithshme jetësore të popullatës, e cila edhe i ka zgjedhur në ato funksione. Pikërisht aty do të shprehen të gjitha aftësitë menaxheriale me të cilat janë lavdëruar kandidatët gjatë garës zgjedhore dhe ua kanë ofruar qytetarëve si zgjedhjen e tyre më të mirë e, të jemi të sinqertë, unë me të drejtë dyshoj në aftësitë intelektuale të shumicës së kandidatëve. 

Listat janë aty, individët janë aty, populli është gjithmonë aty ku ka qenë, politikat si me shprehi po ndryshojnë, por, mbi të gjitha, aty janë problemet që duhet të zgjidhen edhe atë jo disa probleme të përgjithshme politike por ato më të rëndësishmet, problemet jetësore, ato që më së shumti i prekin pikërisht ata qytetarë para të cilëve po vendoset zgjedhja. Dhe populli do të zgjedhë, por para së gjithash duhet të mendojë mirë kujt do t’ia japë votën, sepse ai kandidat është fqinji, miku apo i afërmi i tij. Më e keqja nga të gjitha është se ata miq, të afërm dhe fqinjë nganjëherë ndodhen në listat e subjekteve të kundërta e me këtë zgjedhja bëhet edhe më e vështirë. Fushata tashmë ka filluar, e ajo në nivelin lokal mund të jetë shumë më këmbëngulëse dhe me më shumë vrull sesa ajo për zgjedhjet parlamentare sepse këtu lufta bëhet për secilën votë, por në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Mes tjerash, nëse në zgjedhjet e kaluara një  zyrtar i deridjeshëm i  lartë i Qeverisë mbeti pa pozitë të deputetit në parlament për më pak se 10 vota, çfarë të pritet atëherë në zgjedhjet lokale. Do të fillojë prezantimi i i kandidatëve ballë për ballë me popullin, shtëpi më shtëpi, rrugë më rrugë, nga fshati në fshat. Duke i hedhur një sy listës për komunën ku jetoj, po shoh emra të njohur, shoh të afërm, fqinjë dhe miq. Disa do të thoshin po e shoh rastin, por unë shoh diçka krejtësisht tjetër, megjithëse nuk do të flas për këtë, ka të bëjë me natyrën personale. Mezi pres që disa kandidatëve t’ua bëj ca pyetje kur të më pyesin se për kë do të votoj, më intereson shumë përgjigjja e tyre, nëse fare do të ketë ndonjë përgjigjje.