(New Perspektiva e riboton këtë artikull, të përkthyer, me lejen e Carnegie Europe)
Ballkani Perëndimor zë një vend të veçantë në politikën e jashtme ruse.
Përveç afërsisë së saj kulturore dhe historike me sllavët ortodoksë lokalë, lidershipin rus vazhdon ta mundojë kriza e Kosovës e viteve “90 dhe bombardimi i Serbisë nga NATO në fillim të vitit 1999. Rusia nuk ia ka falur NATO-s atë fushatë ushtarake, e cila u krye pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ndjenja e të qenit të trajtuar padrejtësisht nga Perëndimi “hipokrit” e çimenton miqësinë e pashembulltë në mes të rusëve dhe serbëve, të cilët nuk jetojnë vetëm në Serbi por gjithashtu përbëjnë pakica me ndikim në vendet fqinje.
Pavarësisht këtyre shfaqjeve të tepruara të miqësisë së ngushtë; marrëdhëniet e Rusisë me Ballkanin Perëndimor janë të rënduara nga një mungesë e substancës ekonomike. Pjesëmarrja e Rusisë në tregtinë e jashtme të rajonit, investimet, kreditë dhe flukset e remitencave, ka shënuar rënie me vite, duke rënë nga një prej partnerëve kryesorë ekonomikë të rajonit në fillim të shekullit deri tek shifrat njëshe sot. Edhe në Serbi, aleati më i ngushtë ballkanik i Moskës, Rusia ngec dhjetëfish pas BE-së sa i përket tregtisë së jashtme të Beogradit, e cila arriti në vetëm 6.7% me Rusinë në 2016, krahasuar me 64.4% me BE-në në të njëjtën periudhë.
Në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Rusia i afrohet edhe më pak mbështetjes financiare evropiane ose tregtisë bilaterale me shtetet individuale të BE-së. Dhe refuzimi i Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Moskës nuk ia ka dalë të ringjallë bashkëpunimin ekonomik të rajonit me Rusinë.
Për më shumë, Moska duket se po e humb entuziazmin edhe për fushën e saj të pëlqyer tradicionale, sektorin e energjisë në Ballkan. Përkundër njoftimit me shumë pompozitet, projekte të shumta të përbashkëta ruse në rajon – si integrimi i naftësjellësve Druzhba dhe Adria – nuk janë aktive. Rusia vazhdon t’i mbështesë investimet që bëri në vitet 2000, duke përfshirë rafineritë e naftës në Bosnje dhe Hercegovinë (që më në fund negociuan furnizimet me gaz nga Kroacia gjatë vizitës së fundit të presidentes kroate në Rusi) dhe gjigantin e naftës dhe gazit NIS në Serbi. Por pjesa qendrore e strategjisë së saj energjetike në rajon, gazsjellësi South Stream, u braktis në vitin 2014. Edhe pse projekti alternativ Turkish Stream tashmë është në ndërtim e sipër, rruga e segmentit të tij evropian, nëse ekziston, është ende e pasigurtë.
Ngecja ekonomike, çmimet e ulëta të naftës dhe prioritetet e reja në Lindjen e Mesme dhe në Paqësor e kanë zhvendosur Ballkanin Perëndimor në çështje të rëndësisë së nivelit të tretë në listën e politikës së jashtme të Moskës. Por, kjo nuk nënkupton që rajoni tash është bërë i parëndësishëm për Rusinë.
Për Moskën, popullariteti historik të cilin e gëzon në Ballkanin Perëndimor si kundërpeshë ndaj Perëndimit është një mënyrë e përshtatshme dhe me kosto të ultë për ta mbajtur imazhin e Rusisë si një fuqi e vërtetë botërore me interesa që shtrihen në të gjithë globin, përfshirë edhe fqinjtë e BE-së.
Pasi që vendet e Ballkanit Perëndimor janë kandidatët më potencialë për t’u bërë anëtarë të rinj të NATO-s, parandalimi i çdo zgjerimi të mëtejshëm të aleancës është një prej shtytësve kryesorë afatgjatë të politikës së jashtme ruse. Moska nuk e sheh si kërcënim direkt anëtarësimin e shteteve të vogla dhe në gjendje jo të mirë të Ballkanit Perëndimor në aleancën e udhëhequr nga SHBA; rajoni është tashmë i ndarë nga kufijtë e Rusisë nga një rrip i vendeve të tjera të NATO-s. Por, lidershipi rus frikësohet se ripërtërirja e zgjerimit të NATO-s ka të ngjarë të krijojë një impuls ekpansionist që mund të përhapet edhe në hapësirën post-sovjetike.
Moska beson po ashtu se vitet e fundit Perëndimi po nxitë probleme në vendet fqinje të Rusisë; andaj ndihet se i takon që “t’ia kthejë”. Nuk mungojnë shembuj për të përshkruar përzierjen e fundit të Rusisë në Ballkan. Shumica e tyre tregojnë që Moska nuk është e përgatitur t’i kushtojë mjete të konsiderueshme rajonit. Megjithatë, Rusia është e interesuar të përfitojë nga problemet e rrënjosura lokale për ta bërë Ballkanin Perëndimor një gjemb për Perëndimin, ndërsa paraqitet si forcë botërore me ndikim.
Të inkurajuar nga një qorrsokak i ri në mes të Rusisë dhe Perëndimit, liderët e Ballkanit shpejt e kuptuan se Moska nuk do t’i joshte me projekte të reja fitimprurëse dhe linja kreditore të subvencionuara. Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i kaloi dy vite të tëra ndërmjet 2014 dhe 2016 duke negociuar për një kredi ruse, që u njoftua se arrinte vlerën prej disa qindra milionë eurosh. Por, pa sukses. Në vështirësi financiare, Moska parapëlqeu ta mbështeste Dodikun vetëm me fjalë, pasi mjafton të mbajë shtetin boshnjak të paralizuar.
Rusia nuk është e gatshme as të rrezikojë të ushtrojë presion të plotë mbi shtetet e Ballkanit Perëndimor, siç bën shpesh kur ka punë me vendet post-sovjetike. Në vend të kësaj, Moska e ka zgjedhur një qasje oportuniste, me kosto të ulët në rajon, duke e zhvendosur shumicën e barrës tek aktorët lokalë.
Në çështjen e aktiviteteve të shërbimit të zbulimit, zakonisht janë disa agjentë rusë që thjesht bashkërendisin veprimet e strukturave shumë më të mëdha të radikalëve ultra-nacionalistë lokalë. Numri i mediave propagandistike ruse që transmetojnë në gjuhët rajonale është i kufizuar, por ato mjeshtërisht i amplifikojnë narrativat anti-perëndimore që tashmë janë të pranishme në mediet lokale.
Sa për politikanët ballkanas, edhe ata janë gjithnjë të etshëm për të promovuar imazhin e Rusisë si një alternativë e fuqishme ndaj Perëndimit kur ndjekin interesat personale. Disa e bëjnë këtë në mënyrë negative, për të portretizuar veten si e vetmja forcë e aftë për ta ndalur influencën ruse në rajon. Të tjerët e përdorin qasjen e kundërt: ata e stërzmadhojnë rëndësinë e ndihmës ruse për një rast për ta shkrepur një fotografi me Putinin, i cili vazhdon të jetë politikan i popullarizuar tek votuesit serbë.
Me aktorët lokalë që vullnetarisht e kryejnë punën më të madhe, Moska e ka mundësinë t’i kufizojë përpjekjet e veta në disa gjeste mbresëlënëse, por me kosto të ulët që përputhen me narrativën anti-perëndimore. Për shembull, ajo mund të organizojë pritje luksoze për një politikan ballkanas në Kremlin ose të japë pajisje të vjetra ushtarake si dhuratë.
Ajo çka e bën një politikë të tillë të mundshme, dhe deri në një masë efektive, nuk është se Moska e kupton rajonin në mënyrë të shkëlqyeshme, e as gjenialiteti i saj strategjik, por dështimet e shumta perëndimore në Ballkan. Hyrja në BE mbetet ende një perspektivë e largët për shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor, derisa disa liderë evropianë kanë tendencë të shohin me më shumë përparësi një ngjasim stabiliteti (dhe politikanët që janë në gjendje ta ofrojnë atë) se sa reformat e thella në rajon.
Shkurt, kombet në Ballkanin Perëndimor janë deziluzionuar aq shumë me Perëndimin dhe paaftësinë e tij për t’i përmbushur pritjet e ekzagjeruara sa që shumë nga to janë të gatshme të tërhiqen apo joshen nga çfarëdo alternative, pa marrë parasysh se sa e pamundshme është. Dhe ndonëse Moska nuk ka dëshirë t’i marrë përsipër problemet ekonomike dhe të sigurisë të Ballkanit Perëndimorë, ajo është e gatshme ta mbështesë një iluzion të tillë.
(carnegieeurope.eu,03/11/2017)