Lajm kryesor, planetar, këto ditë ishte një fjalim i një vajze të quajtur Greta Thunberg, një aktiviste për klimen që po lufton kundër ndryshimeve klimatike. Konkretisht, më 24 shtator, Greta foli në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimën. Pas atij fjalimi, definitivisht askush nuk mbeti indiferent, pa marrë parasysh nëse njerëzit u bënë optimistë se diçka mund të bëhej për të ndalur ndryshimet klimatike, nëse ata u bënë pesimist, pavarësisht nëse e miratuan fjalimin ose e kundërshtuan atë. Ndërsa ky lajm i rëndësishëm global përhapej në të gjitha mediat botërore, ne na mbeti të shtrojmë pyetjen se si ndikojnë ndryshimet klimatike në Kosovë?
Përgjigjja e parë është: definitivisht keq, sikur në çdo pjesë të planetit. Por ekziston një aspekt pozitiv të cilin ia sollën qytetarëve në Kosovë protestat kundër ndryshimeve klimatike: i bashkoi serbët dhe shqiptarët! Serbët dhe shqiptarët së bashku kanë vendosur që t’i thonë jo shkatërrimit të mëtejmë të natyrës dhe mjedisit jetësor që çdo ditë gjithnjë e më shumë po e shkatërrojnë planetin.
Në fakt, më 14 shtator, serbët dhe shqiptarët, së bashku, protestuan kundër ndërtimit të një hidrocentrali dhe shkatërrimit të njërit prej përrenjve më të bukur të Malit Sharr, përroit të Durlës. Të bashkuar dhe nga anë e vende të ndryshme të Kosovës, serbët dhe shqiptarët treguan unitet dhe shprehën pakënaqësi në tubimin tek përroi i Durlës.
Të tubuarit, para së gjithash, të rinj, me protestën dhe pankartat e tyre treguan atë që na mungon në shumë aspekte të jetës në Kosovë: unitetin! Mbishkrimet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze treguan vetëm një gjë, që njerëzit janë të gatshëm të bashkëpunojnë së bashku për një të nesërme më të mirë të të gjithë neve, siç e thotë edhe vetë parulla e protestës: Zajedno za Šaru/Bashkë për Sharrin.
Derisa ende jemi në pritje të fatit të hidrocentraleve të planifikuara dhe e ndjekim luftën e njerëzve të rëndomtë e sektorit civil për mbrojtjen e natyrës në Sharr, do të duhej që të gjithë për të satën herë të pyesim veten se çka mund të na sjellë përbashkësia.
Le të fillojmë vetëm nga ajo se sa gjëra mund t’i bëjmë të bashkuar për përmirësimin e jetës së përditshme, për përmirësimin e komunikimit të ndërsjellë, për ditë më të qeta? Siç po na bashkon natyra në këtë rast, na bashkojnë edhe shumë gjëra tjera në të cilat gjithsesi mund të ndikojmë së bashku. Sikur të ishim vetëm pak më të vetëdijshëm për fuqinë, forcën e bashkësisë, ndoshta do të mund t’i kundërviheshim tërë urrejtjes të cilën politikanët e mbjellin çdo ditë, ndoshta do të jetonim më qetë dhe me më shumë harmoni, ndoshta çdo gjë që po na mundon në Kosovë do të ishte më e lehtë. Ndoshta.
Shpresën se një gjë e tillë është vërtetë e mundshme na e japin pikërisht këta serbë dhe shqiptarë të rinj, të vendosur që mos ta japin natyrën dhe t’i kundërvihen shkatërrimit të përditshëm të jetës në Tokë. Duhet thënë: ju lumtë, por gjithsesi do të duhej që edhe t’u bashkoheshim. Ndoshta edhe mënyra më e mirë është që të gjitha t’i fillojmë sërish me luftë të përbashkët, në këtë rast shumë pozitive: me luftë për mbrojtjen e natyrës.