Me vite të tëra dokumentet e serbëve që jetojnë në Kosovë janë problematike. Kjo çështje u hap prapë gjatë kësaj vere sepse duket që njerëzit nuk kanë më as durim e as dëshirë të presin që diçka të ndryshojë. Para së gjithash, po flasim për pasaportat. Nganjëherë më duket se njerëzit anembanë Serbisë dhe Kosovës nuk janë të vetëdijshëm se sa jeta në Kosovë dhe të pasurit e një pasaporte të Serbisë është në të vërtetë problematike. Në Kosovë mendojnë që i kemi pasaportat pa viza sepse kështu është me pasaportat e Serbisë, derisa në Serbi as që mendojnë se ekziston ndonjë ndryshim midis dokumenteve të udhëtimit të lëshuara për serbët e Kosovës dhe për serbët në Serbi. Por natyrisht, mashtrohen edhe këta edhe ata.
Në shikim të parë, të gjiha pasaportat e lëshuara nga ana e Republikës së Serbisë duken njësoj. Me ngjyrë të kuqe, Republika e Serbisë, brendësia është e njëjtë… Mirëpo, është një fjali që na ndan nga ajo që quhet liri e lëvizjes. Në fakt, nëse jetoni në Kosovë dhe posedoni dokumente serbe të udhëtimit, nëse doni të udhëtoni në cilindo shtet tjetër përveç Mali të Zi dhe eventualisht Maqedonisë, ju keni nevojë për vizë. Përse, kur pasaporta është e Serbisë e Serbia ka regjim pa viza me shtetet e zonës së Shengenit? Siç e thashë pak më parë, për shkak të një fjalie të vetme. Pasaportat që i posedojnë serbët e Kosovës janë të lëshuara nga ana e Drejtorisë koordinuese për Kosovë e Metohi, dhe për këtë është e pamundur që të udhëtoni me ta pa pasur një vizë. Vizën natyrisht duhet marrë në njërën nga konsullatat apo ambasadat në Prishtinë. Që të jetë edhe më keq, edhe ai proces është vështirësuar shumë kohët e fundit sepse përnjëherë tani përveç pasaportës, për të marrë një vizë duhen të gjitha dokumentet tjera të nevojshme të jenë të lëshuara nga Kosova. Meqë edhe ashtu është e komplikuar, pse të mos komplikohet edhe më shumë. Ndoshta pikërisht këtu fshehet arsyeja se pse është rritur kërkesa për dokumente të Kosovës. Siç thashë, njerëzit kanë pritur tepër gjatë që kjo të zgjidhet, saqë u bë pothuajse çmendi që të pritet edhe më, që të keni një shans që të udhëtoni kudo. E për t’i marrë ato dokumente, duhen diku rreth 200 euro dhe 15 dokumente, prej të cilave disa është pothuajse e pamundur të merren, siç theksojnë mediat këto ditë. Mirëpo, siç ndodh zakonisht, gjërat nuk përfundojë këtu. Serbët që jetojnë në Kosovë po ashtu posedojnë edhe libreza shëndetësore të Serbisë. Meqenëse në Serbi më në fund i erdhi radha edhe ndërrimit të librezave, të njëjtën gjë e bënë edhe serbët e Kosovës. Pikërisht dje, kur librezat duhej të vinin në Kosovë, më saktësisht në Gjilan, ato u konfiskuan në kalimin administrativ nga ana e Policisë së Kosovës. Edhe një vështirësim i jetës normale për shkak të kaosit politik i cili vite me radhë nuk po ndalet.
Nëse vetëm kështu sipërfaqësisht i prekni problemet burokratike të një serbi të rëndomtë nga Kosova, mund vetëm të merrni me mend çka do të na priste po t’i hynim pak më thellë disa tematikave të caktuara.
Këtu na mbetet t’i pyesim politikanët nga të dyja anët, çfarë bëhet me të drejtat themelore të njeriut? Në vend se të diskutoni për tema që nganjëherë nuk kanë kurrfarë ndikimi në jetën tonë të përditshme, ndoshta do të kishte qenë më e dobishme sa për ndryshim të negociohet për diçka që na e përcakton jetën. Ndoshta dikush përfundimisht duhet të merret me dokumentet e serbëve, ndoshta dikush duhet të na thotë se si të mjekohemi tani e tutje. Sepse nëse për shkak të njërës palë nuk mund të udhëtojmë pothuajse askund, e për shkak të tjetrës nuk mund të marrim dokumentet me ndihmën e të cilave do të mjekohemi, atëherë diçka është e kalbur, por këtë herë jo në shtetin e Danimarkës.