Nuk mbeti shok as shoqe që nuk ka motër apo vëlla që tanimë nuk ka marrë rrugën për në Evropë, kudo qoftë, Hungari, Gjermani, Francë – vetëm sa më larg Kosovës, është dëshira e tyre. Është vërtetë e dhimbshme kur sheh të rinj që lënë shkollën apo edhe punën, ku tek e fundit, më shumë keqtrajtohen sesa që paguhen, dhe largohen në çfarëdo mënyre që është e mundshme.
Para disa javëve, teksa po udhëtoja për një trajnim në Sllovaki, isha në një autobus që po kalonte përmes Serbisë, dhe shkonte për Hungari, nga ku pastaj njerëzit merrnin autobusë të tjerë, varësisht se ku do të udhëtonin. Autobusi, që pothuajse ishte i zbrazët kur u nis nga Prishtina, u mbush pothuajse i tëri deri sa erdhi koha që të kalonte kufirin Serbi-Hungari. Ajo që më çuditi më shumë ishte fakti se sa shumë njerëz nga Kosova kishin shkuar paraprakisht në Serbi, dhe që në Beograd ata hipën në autobus për të vazhduar rrugën më tutje. Nga bisedat e përgjithshme kuptova se shumica kishin shkuar atje për të gjetur ndonjë lidhje e cila do t’ua mundësonte ta kalonin kufirin më lehtë. Askush nuk bisedonte mbi detajet, duke pasur frikë që do t’i prishnin punë vetës. Fëmijët e as të moshuarit nuk mungonin.
Nuk munguan arsyetime të ndryshme për këtë eksod, përfshirë politike, ekonomike e sociale. Ajo që më lë më shumë përshtypje në shtetet e Ballkanit është mënyra sesi shtetet që kanë armiqësi midis tyre përdorin fatkeqësinë apo tragjedinë njerëzore për të shpalosur dobësinë e shtetit me të cilin kanë armiqësi. Me emigrimin ilegal të qytetarëve kosovarë u mor edhe i akuzuari për krime lufte Vojislav Šešelj, i cili në një koment në twitter tha: “Në vend se të ndihmojë që sa më shumë shqiptarë nga Kosova të shkojnë në Evropë, qeveria e Vučić-it i ndalon ata në kufirin serbo-hungarez”. Sipas medias, për kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vučić, ky emigrim kaq i madh paraqet paaftësinë e qeverisë së Kosovës për të përmbushur kërkesat e qytetarëve të vet.
Mirëpo, shumë qytetarë të Kosovës mendojnë se emigrimi nuk po i kënaqë vetëm politikanët serbë, por edhe tanët, pasi, sipas tyre, ata do të kenë më pak qytetarë të papunë për t’u marrë me ta, dhe si rrjedhojë edhe më pak qytetarë të cilët mund të jenë të gatshëm që të revoltohen ne të ardhmen.
Sidoqoftë, mendoj që problemi nuk qëndron vetëm tek qytetarët apo vetëm tek qeveria. Duke marrë parasysh ndërvarësinë e këtyre dy faktorëve, nuk do të kishte logjikë që vetëm njëra palë të jetë fajtore.
“Puna e shtetit është më e mira”
Besoj që shumë nga qytetarët tanë e kanë dëgjuar këtë thënie; të gjithë dëshirojnë të punojnë në administratë apo në pozita që paguhen nga taksat, me bindjen se një vend i tillë pune është më i sigurtë. Eshtë koha të zgjohemi dhe të shohim që përderisa nuk ka për të gjithë vende pune në administratë, ende kemi toka, ferma, dhe mundësi tjera të ekonomisë që janë shumë pak të eksploruara. Mënyra se si ekonomia ndërtohet nuk varet vetëm nga politikat shtetërore, por varet edhe nga ajo se sa njerëzit i respektojnë e i funksionalizojnë ato. Në shtete të fuqishme, si për shembull SHBA, shumica e popullsisë janë të punësuar në biznese të vogla. Besoj që në Kosovë duhet rritur më shumë vetëdija e popullsisë për të nisur biznese të vogla dhe për të krijuar kështu një “pavarësi” ekonomike. Duhet pasur parasysh edhe thënia e Kenedit: “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por çfarë mund të bësh ti për vendin tënd!”
Para disa ditëve lexova nëpër portale e gazeta se si qeveritarët tanë fajësonin mungesën e liberalizimit të vizave nga ana e Bashkimit Evropian për qytetarët kosovarë si arsye për numrin e lartë të emigrantëve. Liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë asgjë me çështjet e zhvendosjes apo ndërrimit permanent të vendbanimit, për më tepër, liberalizimi nuk do të thotë udhëtim në shtetet e Shengenit për çështje punësimi por janë udhëtime me qëllime më shumë turistike, sociale e ndonjëherë edhe hulumtuese. Fatmirësisht, Komisioneri i BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negociim të zgjerimit, Johannes Hahn, në një takim me Presidenten Atifete Jahjaga, kumtoi se emigrimi ilegal s’ka lidhje me liberalizimin e vizave dhe se procesi i liberalizimit të vizave vazhdon edhe më tutje. Siç shihet, Qeveria e Kosovës, nuk do të mund të vazhdojë tutje duke fajësuar të tjerët për mospunën në zhvillimin e vendit. Gjithashtu, mendoj që ka ardhur koha të zgjohemi nga ato format e viktimizimit kolektiv ku vazhdimisht potencojmë se ëshë dashur të niset nga zeroja për shkak të shkatërrimit total nga ana e Serbisë. Tani më shumë se kurrë kemi nevojë për ide të reja për zhvillim të mëtutjeshëm, pa shikuar dhe fajësuar historinë, pasi që ajo është siç është, dhe nuk do të ndryshojë, ndërkaq të tashmen dhe të ardhmen e vendosim ne.