Richard Grenell, i dërguari special i presidentit të SHBA-së për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, si sherif, udhëhoqi delegacionin amerikan në qytetet e përmendura. Që amerikanët janë pragmatik e tregon edhe ky shembull sepse pak kohë pas marrëveshjes së arritur në Uashington u nisën për ta implementuar atë, në fakt për t’i vizituar këto vende ballkanike. Amerikanët u pritën si yje, sytë e të gjithëve ishin drejtuar kah ata.
Një dozë e lajkave dhe e hipokrizisë u pa si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. U ndanë dhurata e dekorata vetëm e vetëm që të tregohej “përzemërsi” dhe mikpritje. Prishtina dhe Beogradi sikur garonin se kush do të lëshohet më ulët që t’i lajkatonin “sherifit” dhe ekipit të tij. Derisa ata premtonin investime, projekte dhe lloje tjera të mbështetjes, këta ballkanas buzëqeshnin dhe falënderoheshin. Kjo është rruga në të cilën janë nisur Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vučić në Uashington, politika e cila si fokus ka ekonominë. Mendoj që as kryeministri Hoti e as presidenti Vučić nuk kanë pritur se çka krejt do të nënshkruajnë, por kjo është çka është, kjo është ajo që është ofruar dhe nuk ka mundur të bëhet ndryshe. Është mirë që të dyja palët, e madje edhe SHBA-ja janë të “kënaqura” me marrëveshjen e arritur.
Populli i Serbisë do ta gëlltis me lehtësi këtë sjellje vartëse të delegacionit të saj, mbi të gjitha për shkak të vendeve të reja të punës, ekonomisë më të mirë, pagave më të larta. Nuk është më ai kombi sfidues i viteve të nëntëdhjeta apo i kohës së luftës së parë dhe të dytë botërore kur vdisej për ideologji, liri. Tani kombi serb është i thyer nga turri i ca projekteve të reja, investimeve, i varur nga investimet dhe premtimet e huaja. Mendoj se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kosovën, vështirë që do të funksiononte ajo pa mbështetjen e jashtme.
Vendi i cili para 21 viteve na bombardoi është tani “miku” ynë, do të investojë në shtetin tonë ose në dy shtete (kushdo ta quaj siç do), nënshkruese të marrëveshjes. Ekonomia e përmirësuar me siguri do të largojë vëmendjen nga çështjet e vështira politike rreth të cilave Serbia dhe Kosova me vite të tëra nuk po mund të arrijnë një marrëveshje. Besoj që kryeshefi ekzekutiv i korporatës ndërkombëtare për financimin e zhvillimit (DFC), Adam Boehler, dhe bashkëpunëtorët e tij me idetë e tyre dhe investimet do të ndryshojnë disa gjëra që kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, ky nuk është çelësi, kjo marrëveshje dhe zbatimi i saj nuk do të zgjidhë problemet më të rëndësishme ekzistuese. Megjithatë, kjo nuk është edhe aq e rëndësishme, marrëveshja historike e nënshkruar nën patronazhin e SHBA-ve, kjo është ajo që do të mbahet në mend.
A do të ketë një statujë të re të Donald Trumpit në Prishtinë, pranë statujës së Bill Clintonit? A do të marrë edhe Trumpi një dekoratë nëse vjen në Prishtinë, megjithëse është e qartë për të gjithë se është më e dëshirueshme që Joe Biden të jetë aty? A është e mundur që Beogradi zyrtar kërkon me padurim ardhjen e presidentit të shtetit që ishte xhelat i Serbisë vetëm dy dekada më parë? Çfarë do t’i thonë vëllezërit rusë Serbisë kur të shohin videon nga darka ku u këndua “Sweet home Alabama” – a do të jetë edhe më tej e pranishme mbështetja ruse? Eh, kjo politika, e pamundura bëhet e mundshme, interesi mbizotëron mendjen e shëndoshë, morali bredh diku, por qëllimet arrihen. Në veçanti qëllimet e njerëzve të fuqishëm, mbase kjo kierarkia globaliste funksionon në këtë mënyrë.
Tonin që Prishtina dhe Beogradi kanë përdorur deri më tani ndoshta do ta ngulfasin investimet e premtuara dhe epërsia amerikane. Kështu që besoj se në të ardhmen na presin më shumë vizita të tilla, fotografime, dhurata, darka, lajka, gazetarë, buzëqeshje. Edhe pse pikat e rëndësishme janë shmangur, është e rëndësishme të ecet përpara, dhe ne në periudhën e ardhshme do të shohim se sa do të thotë kjo vizitë e amerikanëve për Kosovën dhe Serbinë.
Amerikanët premtuan „rrugën e paqes“ (autostrada Prishtinë – Nish) dhe shumë investime tjera. Ne na mbetet vetëm që të mbështetemi dhe të “besojmë” në qëllimet e tyre të mira. Mirë, nëse diku duhet t’i mbyllim pak sytë, për ndonjë nënshkrim, kjo duket se nuk do të jetë problem, mbase kështu duhet të jetë.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës