Sipas marrëveshjes midis Mbretërisë së Danimarkës dhe Kosovës, Gjilani nga viti 2023 do të bëhet më i pasur për 300 banorë. Mirëpo, këta 300 banorë nuk do të jenë të lirë, porse do të vuajnë dënimet e tyre të marra larg nga Kosova. Është nënshkruar një marrëveshje për dhënien me qira të qelive për 10 vjet dhe çmimi i qirasë është tejet i lartë. Ky mund të quhet biznes i mirë, sepse sipas fjalëve të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, Kosova do të arkëtojë 210 milionë euro për 10 vitet e ardhshme, duke filluar nga viti 2023. Sipas fjalëve të saj, menaxhimi i qendrës korrektuese do të bëhet nga danezët, ndërsa për sigurinë do të jenë kompetent zyrtarët kosovarë.
Në vend që të importojë teknologji të lartë, digjitalizim, robotikë dhe sisteme të avancuara të zhvilluara për të forcuar ekonominë e saj, Kosova ka zgjedhur të importojë të burgosur. Nuk kam pasur rastin të lexoj vitet e fundit se Kosova ka importuar pajisje, teknologji më moderne, për të punuar në rritjen e bujqësisë, xehetarisë, apo ndonjë dege tjetër të ekonomisë, të punojnë për shfrytëzimin e potencialeve të tyre, resurseve natyrore. Pa një lëvizje domethënëse ekonomike, Kosova disi po mbyllet, po izolohet dhe nuk e ka pranuar as nismën rajonale “Ballkani i Hapur”. Ky ishte një shans për të hapur mundësinë e një bashkëpunimi më të mirë ekonomik, përkundër mosmarrëveshjeve politike, për t’u ofruar qytetarëve të saj sa më shumë hapësirë për veprimtari afariste. Kosova ka zgjedhur një rrugë tjetër, një rrugë që më duket se krijon kënaqësi vetëm për qeverinë e Kosovës, por jo edhe për qytetarët e saj.
Kur e ke standardin e ulët, kur ke nevojë për bashkëpunim me shtete të tjera, kur ke nevojë për para, për hir të qëllimeve më të larta, disi me entuziazëm e pranon një ofertë të tillë – importimin e të burgosurve. Kjo marrëveshje sigurisht që do t’i forcojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, por a është kjo diçka e mirë për institucionet e Kosovës nëse ky trend vazhdon edhe në të ardhmen? A do të bëhet Kosova “qendër grumbullimi” për personat me precedentë kriminal? Për shkak të mbipopullimit të burgjeve të saj, Danimarka u detyrua të gjente një alternativë, kështu që pa një shans në Kosovë. Prishtina gjithashtu pa një shans, i cili duhet t’i kontribuojë një standardi më të mirë, së bashku me masat e tjera të ndërmarra nga qeveria e Kosovës. Eh, jo, kjo nuk do të ndodhë, standardi këtu po stagnon.
Rreth këtij veprimi të qeverisë së Kosovës po ngrihen një milion pikëpyetje. A do të vazhdojë ky trend? Sa të burgosur janë aktualisht në Kosovë dhe pse Danimarka zgjodhi pikërisht Kosovën? Çështja e të drejtave të njeriut dhe barrierave gjuhësore me të cilat do të përballen të burgosurit dhe punonjësit e institucionit ndëshkues korrektues? Rreziku potencial nga të burgosurit? Mbase në një periudhë të afërt edhe do të marrim disa përgjigje nga personat që janë përgjegjës për këtë.
Duket sikur në mungesë të ideve më të mira për biznes, Qeveria e Kosovës e ka pranuar këtë veprimtari ekonomike mjaft fitimprurëse, por për rrjedhojë shumë të rrezikshme dhe mund të thuhet një veprimtari e çuditshme ekonomike. Po i bie që Kosova po eksporton qytetarë të lirë në Evropë, dhe po importon të burgosur. Ndërsa për Danimarkën kjo mund të nënkuptojë lirim nga barra mbi supe, duke i dhënë njëkohësisht një injeksion financiar Kosovës.
Sido që të jetë, ne po i presim të burgosurit nga Danimarka dhe aty e shohim një shans për “prosperitet”, sepse mbase edhe nuk dimë më mirë ose ndoshta as nuk kemi merituar më mirë. Përkundër të gjithave, ne këtu në Kosovë edhe vetë po bëhemi robër të ideologjive të ndryshme politike, viruseve dhe barrierave të tjera që na qëndrojnë në rrugë, nuk na japin liri të mjaftueshme dhe rruga kah përparimi është në mënyrë të përhershme e kushtëzuar.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.