Veri – jug (Mitrovicë – Shtërpce)

Cilësia e jetesës dhe ndjenja e lirisë në Mitrovicë dhe Shtërpce dallojnë ndjeshëm. Ky dallim nga viti në vit vetëm sa rritet.

0
1139

Cilësia e jetesës dhe ndjenja e lirisë në Mitrovicë dhe Shtërpce dallojnë ndjeshëm. Ky dallim nga viti në vit vetëm sa rritet.

Edhe disa fjalë të shkruara për enklavat dhe “mjediset e lira” ku serbët si komunitet e shpenzojnë kohën – jetën. Edhe një përpjekje e imja që të vëzhgoj dallimin mes këtyre mjediseve. Si shembull e mora enklavën e Shtërpces e cila gjendet në jug të lumit Ibër, më saktësisht përgjatë kufirit me Maqedoninë, dhe Mitrovicën, në fakt pjesën e saj veriore në të cilën serbët janë popullatë shumicë.

Shtërpce është enklava më e madhe juglindore e cila ka rreth 7000 serbë me fshatrat përreth, vend që në mua la një gjurmë të mirë, pak pesimiste, të hirtë, për shumë arsye. Vrragët të cilat i mban ky popull zgjasin që nga viti 1999 e më duket që kjo do të zgjasë edhe për një periudhë goxha të gjatë kohore. Të ndarë nga ama e Serbisë, ata po ballafaqohen me sfida të rënda, me tundime nga më të ndryshmet. Në Shtërpce dhe në enklavat tjera situata e vështirë ekonomike është një nga faktorët që edhe më shumë po i zë frymën këtij populli të përvuajtur.

Në bazë të të dhënave që i paraqet “Ekipi ekonomik për Kosovë dhe Metohi dhe jug të Serbisë”, papunësia e popullatës në enklava është diç nën 80%, mbi mesataren për Kosovë. Për të pasur një mbijetesë më të sigurt, këta njerëz janë të detyruar që të punojnë edhe në firmat shqiptare, nuk kanë shumë zgjedhje. Gjendjen në këto mjedise e rëndon sabotimi nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila ka kryer privatizimin, ku thuajse të gjithë blerësit ishin shqiptarë. Tek këta njerëz është i pranishëm edhe tatimi i dyfishtë; për shembull, nëse duan të qarkullojnë, të shkojnë në Serbinë qendrore, ata duhet t’i paguajnë regjistrimin e automjeteve edhe Serbisë edhe Kosovës. Pompimi artificial i parave për të rimëkëmbur këtë zonë po e shfrytëzojnë individët. Për banorët e Shtërpces një burim i të hollave është shfrytëzimi i resurseve që i posedon qendra e skijimit në Brezovicë ku përveç serbëve me ski rrëshqasin edhe shqiptarët. Çelës i suksesit – dhe potencialisht të hyrat më të mëdha të këtij vendi – gjithsesi do të ishte përmirësimi i infrastruktures turistike në Brezovicë. Situata tmerrësisht e rëndë ekonomike nuk po i lejon të rinjtë të kenë një jetë cilësore kulturore-shoqërore sikur moshatarët e tyre të përkatësisë së njëjtë etnike, ja aty, jo shumë larg, si në Mitrovicë.

Serbët që jetojnë nëpër enklava, përkundër asaj që më shumë bashkëpunojnë me pjesën tjetër të Serbisë sesa me shqiptarët që jetojnë përreth tyre, disi janë më të prirur të pranojnë faktin se janë pakicë dhe që duhet t’i përshtaten aspiratave të shumicës. Liderët lokal të serbëve për dallim nga liderët e atyre në veri, e kanë të kufizuar lirinë e të folurit, të veprimeve në terren, thjesht janë të varur dhe duhet të vënë në peshojë midis Serbisë dhe Kosovës. Secila deklaratë mund të interpretohet gabimisht, tek njëra apo pala tjetër. Kjo liri e kufizuar është e shprehur edhe tek populli, liria e lëvizjes, dihet se kah mund të lëvizin serbët në enklava dhe çka mund të flasin. Të mos i përmendi sulmet e shpeshta mbi ta, mbi të kthyerit që disi e rikthyen besimin dhe erdhën në vatrat e veta që të përpiqen të vazhdojnë aty ku mbetën në vitin 1999 apo 2004.

Nga ana tjetër, Mitrovica – pjesa veriore e këtij qyteti – do të thoja është beden i serbizmit në Kosovë. Një vëzhgues i zakonshm, kur kalon nga pjesa jugore në pjesën veriore të këtij qyteti, nuk e ka ndjenjën se është më në Kosovë. Këtu funksionojnë do të thosha disa “ligje” tjera. Ajo që është e dukshme dhe që bie në sy është se këtu automjetet nuk kanë targa të Kosovës, e shumë sosh nuk kanë targa fare; mbishkrimet në shenjat e komunikacionit janë ekskluzivisht në gjuhën serbe, si dhe mbishkrimet nëpër shitore për dallim nga enklavat ku ato janë në dy gjuhë. Malli nëpër po ato shitore është gati se i tëri me origjinë nga Serbia dhe deri vonë ka ardhur pothuajse pa kurrfarë tatimi. Cilësia e jetesës në veri është goxha më i mirë në krahasim me enklavat çka e dëshmojnë shumë tregues: biznesmenët nuk paguajnë tatime, automjetet nuk janë të regjistruara, të ardhurat në këtë pjesë të Kosovës vijnë nga dy burime, nga Serbia dhe Kosova; organizohen ngjarje të ndryshme shoqërore e kulturore. Përveç kësaj, Mitrovica është edhe vend tranzit – rreth 10000 (dhjetë mijë) studentë në Universitetin e Prishtinës me seli në Mitrovicë e bëjnë këtë qytet më të gjallë, në këtë mënyrë i japin edhe një injeksion financiar veriut të Kosovës; madje edhe jeta e natës në Mitrovicë është sikur në qytetet e mëdha. Me një kalim, me një shëtitje nëpër pjesën veriore të Mitrovicës mund të shihni mjaft fëmijë, fytyra të lumtura, gjallëri nëpër rrugë, derisa e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Shtërpcen.

Ekzistojnë disa firma që punojnë mjaft mirë derisa të tjerat janë në falimentim, të shuara dhe kjo i ka lënë të papunë një pjesë të mirë të banorëve. Kombinati xehetar Trepça, një nga ndërmarrjet pak më të mëdha, tani për tani funksionon ashtu-ashtu; disa degë madje mjaft mirë, ekziston prodhimtaria, eksporti. Në veri të Kosovës pas luftës ka mbretëruar anarkia, ka qenë strehimore e të ikurve të ndryshëm, kriminelëve, ndërtimit të egër, mungesës së ligjit, mosfunksionimit të institucioneve themelore për kryerjen e aktiviteteve, madje edhe sot një institucion si gjykata nuk punon. Kjo është një pasqyrë që nuk ekziston askund në Evropë. Për dallim nga liderët nëpër enklava, liderët në veri ishin të gatshëm që me vetëiniciativë të zbatojnë veprimtari të ndryshme, kanë pasur më shumë hapësirë për të folur dhe për implementimin e aktiviteteve të caktuara.

Cilësia e jetesës dhe ndjenja e lirisë në Mitrovicë dhe Shtërpce dallojnë ndjeshëm. Ky dallim nga viti në vit vetëm sa rritet. Është e qartë që veriu i Kosovës është më afër amës së vet; jo vetëm gjeografikisht, por edhe në çdo aspekt tjetër Serbia është më shumë e pranishme në këtë pjesë të territorit, me veprimin e vet e disi më duket edhe me angazhim më të madh. Shpresoj që me kalimin e kohës Serbia do të marrë pjesë në ngritjen ekonomike dhe morale të popullatës serbe në jug të Ibrit.