Viti i ri, e problemet e vjetra

Deri para një jave, dukej se nuk do të ketë festim të fundvitit në Prishtinë – ishte vërtet një qytet i “vdekur”.

0
1232

Deri para një jave, dukej se nuk do të ketë festim të fundvitit në Prishtinë – ishte vërtet një qytet i “vdekur”.

Nuk të jepte as përshtypjen e një vendi që është kaq pranë Evropës, por më në fund u zbukurua. Tani atmosfera është krejt ndryshe, më festive, njerëzit duken më të gjallë dhe qetësia nuk bie deri vonë në qytet. Shpresoj që viti i ardhshëm të na gjejë pa shumë nga problemet që na shoqëruan këtë vit.

Në prag të vitit të ri, shumë nga ne fillojnë të mendojnë për sfidat e këtij viti, çfarë kemi realizuar e çfarë jo nga ato që kemi planifikuar. Kur mendoj për disa gjëra, më duket dëshpëruese, e kur mendoj për disa të tjera ndjehem më i inkurajuar që të bëjë plane të reja ose të vazhdoj të punoj në ato që kam nisur. Rinia jonë, fatkeqësisht, vazhdon të përballet me një nivel të lartë të papunësisë. Prandaj, për shumë nga ne është e vështirë të bëjmë plane realizimi i të cilave jo domosdoshmërish varet nga vendimet tona.

Shpresoj që në vitin e ri 2015 të ketë më shumë mundësi e projekte në të cilat rinia Kosovare do të mund të angazhohet, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo elemente tjera në bazë të cilave mund të diskriminohen. Shpresoj që gjithashtu do të ketë më shumë dëshirë e vullnet që të punohet në të mirë të të gjithëve dhe që njerëz të komuniteteve tjera, ashtu si Branko, të kenë mundësinë të vijnë e të vizitojnë kryeqytetin lirshëm, dhe pse jo, të kalojnë festat e fundvitit këtu!