Vjeshtë e nxehtë

Përveç vendimit për targat, edhe vendimi për ndalimin e përdorimit të dokumenteve personale të lëshuara nga Serbia është të paktën i çuditshëm, sepse edhe ai duhet të jetë fryt i marrëveshjes dhe jo vendimeve të njëanshme, kështu që si i tillë është tejet kundërproduktiv.

0
158

Megjithëse do të duhej të merreshim me atë që po ndodh tani dhe në këtë moment, ndonjëherë duhet t’i lejojmë vetes një udhëtim të vogël në të ardhmen dhe të supozojmë se çfarë mund të ndodhë bazuar në atë që shohim tani në skenë, pa qëllim për të gjykuar, por ndoshta për të kontribuar në zbulimin me kohë të disa gabimeve dhe lëshimeve, të cilat e dimë se  tek ne mund të shkaktojnë pasoja të cilat nuk janë aspak të padëmshme.

Një vendim i tillë që mund të ndryshojë situatën në terren është vendimi i Qeverisë në Prishtinë që të ndalojë përdorimin e targave për automjetet në Kosovë që i lëshon Serbia, dhe që mbajnë shenjat shkronjore të qyteteve të Kosovës, si dhe ndalimin e dokumenteve personale po ashtu të lëshuara nga Serbia. Para së gjithash, vendimi është jopraktik dhe kundërproduktiv sepse ai vetë kufizon lirinë e lëvizjes dhe ndërlikon jetën e njerëzve të zakonshëm. Një vendim i tillë mund të merret vetëm nëse merret në marrëveshje me palën tjetër, në këtë rast Serbinë; çdo gjë tjetër, mund të thuhet, është e pamundur të zbatohet. Shenjat si KM janë në përdorim në numër të madh në veri të Kosovës, kështu që ky vendim do të nënkuptonte që praktikisht çdo i dyti automjet në veri të hiqet nga qarkullimi deri në riregjistrimin në targa RKS, e përveç kësaj, është fjala edhe për atë se si i kuptojnë gjërat serbët në veri, të cilët e kanë shprehur qartë qëndrimin e tyre se nuk do të heqin dorë nga ato targa kështu që kjo në vetvete mund të jetë shkas për të destabilizuar sërish situatën, siç ka ndodhur shumë herë deri më tani.

Përveç vendimit për targat, edhe vendimi për ndalimin e përdorimit të dokumenteve personale të lëshuara nga Serbia është të paktën i çuditshëm, sepse edhe ai duhet të jetë fryt i marrëveshjes dhe jo vendimeve të njëanshme, kështu që si i tillë është tejet kundërproduktiv. Kufizimi i lëvizjes së njerëzve dhe ndalimi i përdorimit të dokumenteve personale është një vendim tejet i krisur dhe si i tillë i paqëndrueshëm në planin afatgjatë. Me lëshimin e të ashtuquajturës Fletë deklarimi për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë që kanë dokumentet personale të lartpërmendura është, nëse asgjë tjetër, jopraktike dhe ngadalësuese. Një numër i madh i studentëve që studiojnë në veri do të pengohen të hyjnë në Kosovë ose do të ngadalësohen dhe dekurajohen që të vazhdojnë fare studimet në veri të Kosovës. Përveç studentëve, është edhe një numër i madh i njerëzve të cilët për arsye të ndryshme kanë nevojë të hyjnë apo dalin shpesh nga Kosova.

Në një kohë krize të përgjithshme në botë, vendime të tilla janë vetëm kundërproduktive dhe nuk kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve që është evidente se ekzistojnë në terren. Vendime dhe dekrete të tilla janë më shumë rezultat i populizmit politik dhe përpjekjeve për të larguar vëmendjen nga problemet edhe më të mëdha që po ashtu ekzistojnë, por që nuk janë politikisht të dobishme. Sipas matjeve, kjo verë klasifikohet si një nga më të nxehtat, por tek ne në Kosovë është më e rëndësishme që na pret një vjeshtë e nxehtë dhe kjo jo falë Luciferit (valës së të nxehtit që e goditi Evropën) por është meritë e disa të tjerëve.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.