Fillimi i muajit mars u shënua nga shumë gjëra interesante, por, si zakonisht, disa ngjarje u spikatën si të veçanta dhe interesante ose me rëndësinë e tyre ose për nga esenca e tyre. Kështu në fillim të muajit më në fund u arrit deri tek zgjidhja e kontestit të llojit të vet se si i fitoi votat përfaqësuesja e partisë boshnjake “Komuniteti i bashkuar” në zgjedhjet e sapo mbajtura. Që kjo është karakteristike, kjo është e vërtetë, por pasi që procesi zgjedhor në Kosovë pothuajse asnjëherë nuk është i logjikshëm dhe gjithmonë është burim i senzacioneve, as kjo nuk do të duhej të befasonte. Mirëpo disa parti të caktuara boshnjake menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve paraqitën një ankesë kundër zhvillimit të procesit zgjedhor sa i përket vlefshmërisë së votave të marra nga “Komuniteti i bashkuar” në mjediset e banuara me serbë. Po të mos ishte e vërtetë do të ishte qesharake, sepse me vetë këtë ankesë vihet në pikëpyetje diçka që në demokracitë e zhvilluara konsiderohet normale. Derisa në një numër të madh të shteteve votohet për politika dhe ideologji, nga ana tjetër tek ne ende konsiderohet që vota në zgjedhje duhet gjithmonë të ketë një parashenjë kombëtare si të vetmen gjë të mundshme. Përveç Adrijana Hodžić-it, në mjediset e banuara me serbë një numër të madh votash mori edhe koalicioni Vakat kështu që edhe kjo u gjet nën llupën e të pakënaqurve por edhe të Panelit për ankesa dhe parashtresa, i cili, sipas logjikës së gjërave por edhe sipas ligjit, është i vetmi kompetent që edhe të diskutojë për këtë çështje.
Dhe më në fund Paneli i përmendur edhe e mori vendimin që të anulohen votat për partitë boshnjake që janë marrë në mjediset e banuara me serbë. Është e logjikshme që çdo vendim duhet të ketë edhe një shpjegim të arsyeshëm në bazë të të cilit është marrë, por pikërisht këtu qëndron i gjithë absurdi sepse arsyeja e cekur për një vendim të tillë është krejtësisht sipërfaqësore, arbitrare dhe tejet destruktive për bazat e parimeve demokratike të shprehjes së lirë të vullnetit. Në fakt, në vendim thuhet që për herë të parë një subjekt politik boshnjak ka marrë shumicën e votave të tij në mjediset e banuara me serbë në Kosovë dhe që me ngritje prej 49% në raport me zgjedhjet e mëparshme paraqet devijim të vullnetit të votuesve të komunitetit boshnjak. Shtrohet pyetje logjike se kush mundet paraprakisht të dijë se si do të votonin boshnjakët, kush përcakton ashtu paraprakisht se kush për kë guxon dhe mund të votojë dhe kush ka fare të drejtë që në një mënyrë aq sipërfaqësore të interpretojë rezultatet zgjedhore.
Vendim i tillë mund të merret vetëm nëse ekzistojnë prova taksative për shkeljen e procesit zgjedhor apo ndikimit në shprehjen e vullnetit të qytetarëve. Vetëm nëse ka prova adekuate mund të merret vendimi për anulimin e një numri të caktuar të votave ose për anulimin e rezultateve zgjedhore në një numër të caktuar të vendvotimeve dhe për përsëritjen e zgjedhjeve në ato vendvotime. Rezultatet e dyshimta zgjedhore assesi nuk interpretohen në këtë mënyrë. Nëse të gjithë ne e kemi gojën plot me demokraci dhe sundim të ligjit, atëherë kjo edhe duhet të zbatohet në praktikë. Vendimi i Panelit mund të interpretohet edhe në një mënyrë diskriminuese sepse çfarë lidhje ka ajo se ku i ka fituar votat një parti e caktuar. Në shoqëritë e zhvilluara demokratike, askush nuk do të guxonte të marrë një vendim të tillë sipas Kushtetutës sepse përkatësia kombëtare dhe përcaktimi politik nuk shkojnë dorë për dore, siç po e interpreton dikush në këtë rast. Me këtë vendim gjithashtu u vendos një standard sipas të cilit serbët votojnë për serbët, shqiptarët për shqiptarët, boshnjakët për boshnjakët, etj., e një standard i tillë në botë interpretohet gjerësisht si jodemokratik dhe diskriminues.
Gjithsesi që është simptomatike dhe e papritur dhe, do të pranonit, diçka në të cilën mund të dyshohet, por nëse veç është dyshuar, atëherë duhet të përsëriten votimet në vendvotimet e caktuara e vetëm mandej të merret vendimi. Nëse do të përsëriteshin rezultatet atëherë një vendim i tillë do të ishte i pamundur dhe rezultatet do të duhej të merreshin si gjendje faktike në terren, kurse kështu vendimi është marrë me shpejtësi, në mënyrë arbitrare, sipërfaqësore dhe tejet joprofesionale, por ky është mbase njëfarë rezultati i pritur sepse kaherë jemi mësuar me interpretimet e ligjeve që janë tejet qesharake dhe kontradiktore. Tek ne, demokracia dhe ligji duken bukur vetëm në letër, ndërsa këto 4205 vota për ligjin nuk ekzistojnë sepse vullneti i tyre nuk është në përputhje me ligjin.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.
Vullneti sipas ligjit
Në shoqëritë e zhvilluara demokratike, askush nuk do të guxonte të marrë një vendim të tillë sipas Kushtetutës sepse përkatësia kombëtare dhe përcaktimi politik nuk shkojnë dorë për dore, siç po e interpreton dikush në këtë rast. Me këtë vendim gjithashtu u vendos një standard sipas të cilit serbët votojnë për serbët, shqiptarët për shqiptarët, boshnjakët për boshnjakët, etj., e një standard i tillë në botë interpretohet gjerësisht si jodemokratik dhe diskriminues.