Së fundmi, me marrëveshjen e arritur mbi targat në raportin mes Kosovës dhe Serbisë mund të pretendohet një lloj hapi pozitiv drejt normalizimit eventual të raportit mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, një arritje e tillë nuk mund të ofrojë shumë optimizëm për raportin mes dy shteteve. Kjo pasi një arritje e tillë është së pari në natyrë teknike. Së dyti, shtetet do vazhdojnë me tendencën e tyre për të shmangur kompromisin. Përveç kësaj, dialogu deri më tani ka një histori të të qenit joefektiv sa i përket temave të rëndësishme.
Arritja e dakordimit sa i përket çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse një lëvizje shpresëdhënëse, paraqet një lloj progresi në nivelin teknik të bisedimeve. Për këtë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, u shpreh se “Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”. Pa dashur të injorohet rëndësia e një arritje të tillë, kjo nuk paraqet të arritur në ndonjë pikë substanciale të procesit të dialogut që më pas do të mund të dërgonte te pretendimi për ndonjë normalizim eventual të raportit mes shteteve. Pra, ende janë shumë tema të ndryshme që duhet të zgjidhen në mënyrë që të fillojmë të konsiderojmë mundësinë për përparime që do të mund të ndikojnë në procesin në tërësi.
Deri më tani Serbia dhe Kosova kanë patur vetëm një tendencë të qartë në procesin e dialogut: prirja e të dy shteteve për të shmangur kompromisin në shumicën e çështjeve në proces të dialogut, e me theks të veçantë te ato çështje që do të mund të konsideroheshin si kruciale në mënyrë që të kemi arritje reale në proces. Për shembull, menjëherë kur u arrit marrëveshja për targat në raportin mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić minoi rëndësinë e një arritje të tillë duke vënë kështu theksin në procesin e krijimit te Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS). Lidhur me arritjen e marrëveshjes së targave, Vučić tha se“është plotësuar një kusht – asnjë gjobë, sekuestrim i makinës, targa, asgjë. Ju keni një kusht tjetër – formimin e AKS-së. Kur të formohet Asociacioni, atëherë do të kalojmë në diçka tjetër.” Kjo deklaratë dëshmon qartë që të dy shtetet do të vazhdojnë të evoluojnë me kërkesat e tyre në mënyrë që të parandalohet progresi në çështjet primare.
Argumenti i fundit që marrëveshja mbi targat nuk do të duhej të na bënte shumë optimistë është që në përgjithësi procesi i dialogut ka qenë një proces frustrues dhe me pak rezultate. Natyrisht, kur flasim për rezultate jemi duke menduar për progres në temat kyçe të këtij procesi. Andaj, ndonëse progresi në çdo aspekt është i mirëseardhur, duke u bazuar te e kaluara e këtij procesi, shtetet nuk pritet që tashmë të ndryshojnë qasjet e tyre në dialog e sidomos te ato aspekte të cilat ata i kanë konsideruar si më prioritare. Në fakt, pretendohet tani se me të ashtuquajturin “Propozimi i Brukselit” tashmë nuk flitet për njohje të Kosovës nga ana e Serbisë por për një lloj normalizimi të raporteve. Pra, dialogu në fakt është duke u minimizuar sa i përket synimeve që në fillim kishin njohjen dhe kështu një arritje si targat vështirë që mund të konsiderohet një arritje relevante për procesin në tërësi.
Arritja e marrëveshjes për targat është një lloj suksesi në procesin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithsesi, kjo nuk do të duhej të na ofronte shumë komoditet sa i përket procesit në tërësi. Procesi i dialogut në fakt është një proces që përqendrohet në synime tejet më të vështira se arritjet teknike dhe vetëm ndonjë lëvizje substanciale në temat kryesore do të përbënte lajm për këtë proces.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.
A duhet të jemi optimistë, bazuar në zhvillimet e fundit në procesin e dialogut?
Arritja e marrëveshjes për targat është një lloj suksesi në procesin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithsesi, kjo nuk do të duhej të na ofronte shumë komoditet sa i përket procesit në tërësi. Procesi i dialogut në fakt është një proces që përqendrohet në synime tejet më të vështira se arritjet teknike dhe vetëm ndonjë lëvizje substanciale në temat kryesore do të përbënte lajm për këtë proces.