Borrell pret “hapa të tjerë pozitivë” nga Kosova

0
211

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka mirëpritur pajtimin mes bllokut evropian dhe Kosovës për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

“Ne presim që Kosova të ndërmarrë hapa të tjerë pozitivë dhe të vazhdojë përparimin në këtë drejtim”, shkroi Borrell në Twitter, duke shtuar se do të vazhdojë puna me palët në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.

Më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja arritën pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit. Megjithatë, ato u bën publike një ditë më pas.


Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

10 korrik 2023

Hapi 1
Veprimi: Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.
Koha: Java e parë

Hapi 2
Veprimi: Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.
Koha: Nga java e parë, në vazhdimësi

Hapi 3
Veprimi: Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.
Koha: Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur

Hapi 4
Veprimi: BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.
Koha: Java e dytë

(Burimi: Qeveria e Kosovës)


Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi serbët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë në veri, që hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Serbët po kërkojnë tërheqjen e plotë të njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve të rinj.

Faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja. Kosova edhe më herët nuk është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve në komunat në veri – të banuara me shumicë serbe – por zyrtarët shtetërorë kanë kërkuar që ato të përgatiten në mënyrë që të mos ketë bojkot.

Zgjedhjet e fundit në veri, ato të prillit kur u zgjodhën kryetarët e rinj shqiptarë, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

(evropaelire.org, 12/07/2023)